Nga Redi SHEHU: Liria racionale dhe irracionale

Liria është e kuptuar si pjesë përbërëse e dy tipologjive të lirisë. E para është liria irracionale në përzgjedhjen e së mirës apo të keqes e bazuar në pasione e cila e bën këtë liri të paaftë në përcaktim, që shpesh bie pre e dobësive, dhe  liria e dytë është ajo racionale, liri e bazuar në të vërtetën dhe moralin e cila udhëhiqet nga norma të mirëpërcaktuara me burim të vërtetën absolute.

Në këtë kuptim liria e individit luhatet mes këtyre dy dimensioneve duke zhvilluar një dialektikë të brendshme. Për këtë arsye, në botëvështrimin metafizik liria nuk është një koncept statik, ajo është  koncept dinamik që kërkon përceptim të tillë bazuar në këtë dialektikë të brendshme. Kur liria hyn në tipologjinë e parë të irracionalitetit, të pasionit drejt djallëzores, atëherë ajo e humb atributin e saj si liri sepse tashmë bie pre’ e dominimit të epshit dhe marrëdhënia e saj me botën e jashtme tashmë është irracionale dhe nuk garanton drejtësi dhe ekuilibër. Liri e vërtetë është ajo që i përket llojit të dytë, atë të lirisë racionale me destinacion të vërtetën që në thelb është kriter moral.

Kështu, kur kjo liri reflekton në marrëdhëniet me realitetin, karakterizohet nga morali dhe e mira shoqërore. E njëjta gjë ndodh edhe me lirinë e shprehjes si derivate e konceptit të përgjithshëm të lirisë. Liria për t’u shprehur pa kufi për çdo gjë dhe për gjithçka duke mos respektuar kufinj dhe ndjeshmëri kulturore, siç edhe e kemi parë të shkapërderdhet pa fund, është liri e llojit të parë, liri irracionale e cila është e kufizuar, e rënë pre’ ndaj dëshirave autonome dhe bindjeve vetjake të disa individëve apo grupeve që e ushtrojnë atë. Është irracionale se kriteri moral i saj, i përzgjedhjes së dobishmërisë ose jo sociale, bazohet mbi të vërteta relative.

Liria e shprehjes, në vetvehte është kategori racionale, sepse ajo bazohet mbi moralitetin e ekzistencës së saj. Është atribut fisnik për qënien njerëzore dhe për sa kohë qëndron e ekuilibruar ndodhet brënda racionalitetit të saj. Liria e shprehjes transformohet në liri irracionale, në momentin kur e prish ekuilibrin, ç’orienton vijën e dëmit dhe del nga përgjegjshmëria duke u bërë pre’ e pasioneve dhe dëshirave. Pra, kthehet në irracionale për sa kohë ndërhyn në territorin e lirisë së tjetrit, për sa kohë sfera publike konsiderohet si disiplinuese vetëm për të dëgjuar një argument dhe për të qenë e shurdhët ndaj argumentit tjetër.

Prandaj  qëndrojmë brenda racionalitet kur përpiqemi të kuptojmë dhe të interpretojmë sa më mirë pretendimin e tjetrit, dhe kthehemi në irracionalë kur imponojmë pretendimin tonë mbi të drejtën e tjetrit.

Për këtë arsye të kuptuarit vetëm politik të lirive në dimensionin e fundëm, pa marrë parasysh shpjegimet e dimensionit të pafundëm të saj, dhe pa ndërtuar një strukturë morale të lirisë, çon në përplasje të ushtrimit të lirive në shoqëritë e dimensionit vetëm politik. Prandaj përpjekjet për të balancuar liritë në shoqëritë demokratike, së pari duhen të drejtohen në të kuptuarit të rrënjëve dhe të burimit të lirisë për të ndërtuar një diskurs më të shëndoshë social. /tesheshi.com/