Auto Dak
Auto Dak

Nga Redi SHEHU: Leksionet e Kosovës

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë u zhvilluan si mos më mirë. Më mirë seç mund ta kishim menduar ne shqiptarët e Shqipërisë. Zgjedhje të cilat tregojnë se nëse ekziston dëshira dhe vullneti që gjërat të përmirësohen, atëhere, ato mund të bëhen realitet. Një realitet që për hir të vërtetës, u fuqizua nga pjesmarrja e më shumë se 30 mijë aktivistëve të lëvizjes “Vetëvendosje” të cilët ndikuan thelbësisht që proçesi të monitorohej dhe të arrinte ato standarte. Ishte ngjashëm me një masë-kundërmasë politike, ku edhe partitë e tjera blinduan  monitorimin me vëzhgues, duke e bërë proçesin të pakontestueshëm  politikisht dhe elektoralisht. Pas votimeve, partive humbëse nuk i mbeti gjë tjetër, vetëm se të luanin kartën e daljes me nder nga beteja duke bërë deklaratën e pranimit të humbjes së zgjedhjeve. Ajo që e bëri të veçantë gjithë këtë process, ishte shpejtësia. Praktikisht, në pak orë kishim fituesin dhe humbësin e deklaruar dhe të pranuar, duke i dhënë Kosovës primatin elektoral në raport me Shqipërinë.

Lëvizja “Vetëvendosje” nuk është hera e parë që ka arritur një masë kaq të madhe dhe homogjene votuesish. Ajo në zgjedhjet e vitit 2017 kishte grumbulluar më shumë vota së sa në këto zgjedhjeve. Asokohe 27.5% e kosovarëve kishin votuar lëvizjen, por për shkak të konfiguracionit të ndryshëm politik dhe sorollatjes katër mujore për ndërtimin e koalicioneve, “Vetëvendosja” nuk arriti të vinte në pushtet duke i lënë rrugë të hapur PAN-it (PDK+AAK+Nisma) që të formonte qeverinë. Pra, nuk ka suprizë në përzgjedhjen e “Vetëvendosjes”, madje në këto zgjehje, këta të fundit kanë dy pikë më pak se në të shkuarën (25.5%), por konfigurimi parazgjedhor me një aleance të deklaruar (ndonëse të pa firmosur) mes saj dhe LDK, e bën të mundur që Albin Kurti të projektohet si Kryeministri i ardhshëm i Kosovës.

Leksionet që vijnë nga Kosova kësaj radhe janë të bollshme dhe të qarta. Leksioni kryesor është ai elektoral që përmblidhet në cilësinë, shpejtësinë dhe dakortësinë totale të këtyre zgjedhjeve. Ky leksion përveçse ishte i tillë, nga ana tjetër përfaqëson turpërimin e klasës politike të Shqipërisë të cilët alibinë për dështimet zgjedhore këto dekada, ia kishin faturuar gjithmonë tjetrit. Turpërimin në vendosjen e prioriteteve dhe pazareve private mbi prioritetet kombëtare dhe interesat e përgjithshme të vendit. Për pothuaj tridhjetë vjet, u investua tek përshtypja se gjendja jonë elektorale ishte e tillë, sepse nuk ka mundësi dhe fuqi tjetër që ne shqiptarët të bënin diçka më mirë. Me një fjalë, një farë dorëzimi i nënkuptuar i faktit se ne  jemi ca specie të dënuara për të mos prodhuar dhe shijuar demokraci. Zgjedhjet e Kosovës e rrëzuan me turp këtë teori dhe vunë klasën politike të Tiranës para anjë sprove dhe detyrimi që ata do të duhet ta kalojnë detyrimisht.

Leksioni tjetër që vjen nga Kosova dhe sidomos me atë të lëvizjes “Vetëvendosje”, është ai i qëndrueshmërisë, besnikërisë dhe këmbënguljes në idealin politik, jashtë pazareve dhe kulisave meskine. Fitorja e “Vetëvendosjes” në mënyrë automatike tregoi masën reale të politikanëve tanë, e cila nuk e kalon atë të liliputit. Kjo fitore e tyre, tregoi se nuk na qenka medoemos pushteti qëllimi kryesor në politikë, por qenka ideali. Pra, striptiza e partive politike të Tiranës këto tre dekada, nuk paska qenë politika e duhur që na u shit si zgjuarsi dhe mençuri. Fitorja e Albin Kurtit dhe levizjes së tij, tregon se mbi të gjitha në një politikë të ndershme dhe atdhetare rëndësi ka ideali dhe këmbëngulja se sa posti dhe përfitimi. Më mirë këtë leksion e ka përkufizuar Kreshnik Spahiu kur thotë se : “Albini shiti shtëpinë për idealin, këta politikanët tanë shitën idealin për prona dhe shtëpi.”

Leksioni më i madh që pritet të vijë nga Kosova, është kapaciteti negociues dhe arritja e një marrëveshje politike, që në thelb është marrëveshje kombëtare, ngase dy forcat LDK dhe “Vetëvendosje” do të duhet të dalin nga vetja për të ndërtuar një hibrid politik që në fund të fundit qëllimin kryesor të saj ka Kosovën realisht të pavarur dhe fuqi ekonomike. Kjo marrëveshje politike,,do të jetë edhe pika e kthesës e cila do çojë drejt integrimit të Kosovës në strukturat evropiane, por mbi të gjitha, do të çojë Kosovën dhe Shqipërinë drejt një bashkimi të natyrshëm,  jo të stisur, jo bashkim futbollistik, jo bashkim imazhesh dhe Power Point-i, por një sintezë reale e kapaciteteve të përbashkëta në çdo fushë. Nëse Shqipëria nuk ndryshon politikisht, atëhere Kosova të transformohet në lokomotivën e cila do ta tërheqë edhe Shqipërinë drejt rrugës së duhur me forcën e modelit dhe forcën e argumentit. Politika dhe politikanët shqiptarë kanë dy rrugë pastaj, ose t’i adoptohen këtij trendi përmirësues, ose të bojkotohen nga zgjedhësit dhe t’i hapin rrugë një levizjeje të re politike të Tiranës. /tesheshi.com/

 

 

 

 

 

 

 

 

auto pjese dak

Related posts