Nga Redi SHEHU: Krimi, si diskurs mes të ndoturve për të përcaktuar më të ndoturin

Nuk është hera e parë që krimi i bën karshillëk qeverisë dhe të gjithë neve. Edhe pse duke shtyrë një makinë policie dhe duke lënë si “hunj gardhi” një taborr me policë të cilët me armë në dorë u  “vetngrinë” si demonstrim i paaftësisë totale ndaj tij, përsëri mund të themi se tradita e krimit për ta kapur për veshi qeverisjen në këtë vend është një sport i kahershëm. Sepse krimi është parë gjithmonë si mekanizmi më i fuqishëm i prodhimit dhe ambalazhimit të votës. Për këtë, edhe në sistemin e “lashtë” mazhoritar, kriminelët ishin ata që përcaktonin, mbushnin dhe mirëmbanin kutitë e votimit në funksion të pushteteve, për të mos vazhduar me historinë kur krimi kërcënoi direkt familjen e ministrit të Rendit të asaj kohe, Saimir Tahiri, duke i vënë eksploziv biznesit të prindërve të tij.

Asnjë nga forcat politike në Shqipëri të mos luajë rolin e puritanit, sepse të gjithëve u ka pëlqyer nakatosja me njerëzit e fortë. Ky është tipar i parashoqërive politike, dhe parademokratike ku shteti nuk është parë asnjëherë si mjeti i cili rregullon gjërat. Pikërisht në këto lloj parashoqërish, fisi, të fortët, grupet e ndryshme kriminale, janë praktikisht proçedura më efikase në ndërtimin e një rrjeti funksional për të garantuar fuqinë. Në fakt, sot ndarja politike dhe administrative e pushtetit është një ndarje mes fuqisë së krahëve të armatosur. Aq sa janë koalicionet politike apo grupet parlamentare, aq në proporcion janë edhe “parlamentet” e të fortëve, të cilët të padukshëm garantojnë fuqinë reale të politikës dhe aftësinë e saj negociuese me palët e tjera.

Tani, diskursi politik mbi kriminalizimin e politikës nuk është një diskurs midis të pastërtëve të cilët duan t’ua tregojnë vendin të pistëve në politikë. Diskursi sot është një diskurs midis palësh të pista për të përcaktuar se cili prej tyre është më i ndoturi ndër ta. Në këtë pikë është krejtësisht e pamendueshme që të pistët të prodhojnë pastërti. Maksimumi që mund të bëjnë është që të ndryshojnë metodat e të bërit pis, por ama retorika politike mbi ndershmëri dhe lidhje me krimin është veçse mjet për ta ndërtuar përplasjen politike në funksion të pushtetit të ardhshëm.

A është mazhoranca e sotme e përlyer me krimin dhe kanabisin? Kjo nuk do shumë mund për ta kuptuar. Ndryshimi me këtë mazhorancë, është se e ka bërë baltë punën duke mos u merakosur fare për vijën ndarëse mes pushteti politik dhe atij kriminal. Për rrjedhojë, situata katastrofike e krimit është në nivele alarmante. Por, ajo që dua të them me gjithë këtë, është se nëse vërtet duam që këtë vend ta shpëtojmë nga kthetrat e krimit, duhet së pari të shpëtojmë veten nga këta lloj liderësh të cilët janë fajtorët kryesorë që e kanë bërë këtë aleancë me krimin. Shullazi (si mascot popullor i figurës kriminale) ka qarkulluar në të gjitha pushtetet dhe “shërbimet” e ofruar prej tij kanë qenë mëse të mirëseardhura që në kohën kur demokratët ishin në pushtet.

Pra, nëse kemi një situatë të tillë kriminale, faji nuk është vetëm i njërës palë por i të gjithë “florës dhe faunës” politike e cila ishte kaq pjellore në ndërtimin e një dëshpërimi të tillë dhe mosbesimi në raport me shtetin dhe strukturat e tij.

Korrupsioni në radhët e policië dhe lidhjet e tij me krimin, ka qenë një këngë e kahershme që është kënduar në të gjitha administratat sa kohë që ne jemi njerëz që flasim lirë në këtë vend. Problemi është se qeveria socialiste e ka bërë aq bajate punën, sa disa të inkriminuar të tjerë ngrihen e flasin në emër të “virgjërisë”. Problemi nuk është te ajo se cila parti është e lidhur me bandat. Të gjitha kanë qenë, përfshirë edhe LSI-në.  Masa e lidhjes së partive me bandat mund të shihet në raport me masën që këta parti kanë me votën. Sa më e madhe vota e partive, aq më e madhe lidhja me bandat. Pandaj artikulimi anti-krim sot nuk është në të vërtetë anti-socialist, por në thelb anti-pozitë. Kështu ka qenë edhe artikulimi i opozitës së atëhershme socialiste që akuzonte qeverinë Berisha për lidhjet e saj me krimin e po kështu akuzat e opozitë së Berishës për pozitën e atëhershme të Nanos me grupin e “Dukës së krimit”, apo të “Klanit të Zemunit”.

Ajo që duhet të kuptojmë është se krimi dhe politika, ose më mirë krimi dhe pushteti, më shumë se në çdo vend, në Shqipëri janë projektuar si një binom i pandarë. Diskutimi sot nuk duhet të jetë se cila parti kështu dhe cila parti ashtu. Diskutimi duhet të jetë se si mund ta ndajmë ne krimin nga pushteti politik. Por këtë ama nuk mund ta bëjnë pushtete të cilat janë të kapura nga krimi dhe këtu ja ku jemi në rrethin vicioz i cili na gëlltit të tërëve dhe ndodhemi në situatën qesharake ku politika dhe politikanët përsërisin veten për të pafundmen herë, me të njëjtin patos dhe aktrim.

Prandaj, një pushtet i pavarur gjyqësor i cili është një “trup i huaj” në korpusin e qeverisjes shqiptare, që nuk është derivat i institucioneve të kapura dhe i trafikut të interesave, do të mund ta bënte ndarjen e krimit me pushtetin duke i pozicionuar secilin në vendin që i takon, të parit në burg e të dytëve në foltore, mundësisht me zë të ulët. Veçse një trup i  huaj, i cili nuk vjen nga këto pushtete që prodhon politika shqiptare, do të mund ta  pastronte situatën. Por a është kjo e mundur ? A është “vettingu” mjeti në fjalë? Këto mbeten për t’u parë; por ama sa më shpejt që një proçedurë e tillë të fillojë aq më frymëmarrje do te këtë shoqëria shqiptare. /tesheshi.com/