728 x 90 Leaderboard

Nga Redi SHEHU: Guximi ndaj gazetarëve, shkallë alarmate e kriminalitetit

Është interesant fakti se në Shqipëri, sezonet lidhen me një kordon krimi i cili i përshkon ato në të gjitha gjëndjet e veta natyrore. Fillon viti me ngjarje kriminale, pasohet me muajt në vazhdim me intensitet në rritje dhe vijon me verën në të cilën tashmë krimi transformohet në formën e vetflijimeve me makinë ku aksidente automobilistike përgjakin rrugët tona kokëfortësisht nga viti në vit, ngjashëm me një ritual sakrifikimi i cili i qëndron besnik kohës dhe vendit, por mbi të gjitha kapadaillëkut dhe injorancës së disave që nuk arritën të edukohen me qytetari.

Me të mbaruar sezoni turistik, kordoni i krimit vazhdon tashmë me vrasjet e hasapeve të lëna “pas dore”, e që më pas shtyhet deri në fund të vitit duke u gërshetuar me shumë të preferuarin krimin në familje.

Pra, një kordon krimi i cili duket se as që pyet fare për qeveri, autoritete, njerëz apo bindje. Duket krej i pavarësuar në të keqen e vet dhe të vetmes gjë që i bindet është koha, besnikëria ndaj së cilës as që ka ndryshuar këto dekada.

Kësaj radhe me të mbaruar “sezoni turistik” i krimit, një shfaqje e re në tipologjinë e këtij kordoni e institucionalizuar tashmë, është edhe krimi kundër gazetarëve.

Sezoni i fillimvjeshtës u hap me lajmin se një gazetare e njohur e investigimit të krimit ka pësuar një atentat në drejtim të familjes së saj nga keqbërës të panjohur. Për shkak të detyrës së saj, është lehtësisht e imagjinueshme se për çfarë kategorie bëhet fjalë. Ky lloj atentati më kujton atë të disa viteve më parë ku krimi arriti të shkonte deri aty sa t’i vinte tritol biznesit të babait të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Jo se nuk jemi familjarizuar me krimet, mjafton të kujtojmë kapërcyellin e vitit që shkoi, ku shpërthimet e makinave me tritol shënuan kalimin e zgjidhjes së konflikteve ndërpersonale drejt instalimit të një tritolkulture, por veçantia e ngjarjeve të fundit solli kërcënimin publik më afër audiencës, nisur nga fakti se paprekshmëria e shtetit u vu në pikëpyetje si dhe guximi për të shkaktuar terror publik në  mes të gazetarëve.

Dëshira për të guxuar e një krimineli, zakonisht bazohet në intensitetin e urrejtjes me të cilin aktivizon mekanizmin shkatërrimtar duke marrë përsipër kostot e dështimit dhe kapjes. Në këtë pikëpamje, ku guximi kapërcen pengesat që pushteti gjithmonë vendos mes tij dhe strukturave shtetërore, të lind një pyetje e cila anon nga presupozimi se guximi për të goditur kaq lart mund edhe të lidhet me njohjen dhe afrimitetin. Një të njohuri të cilit i di kapacitetet, e ke më të lehtë ta godasësh kur dhe si. Pra, pyetja që shtrohet është se a është krimi kaq i sigurtë sa të tejkalojë forcat e rendit duke përcaktuar shënjestra të tilla të pamenduara më parë, apo krimi është tashmë në një marrëdhënie intimiteti me pushtetin, sa ia lejon vetes një rehati të tillë sa herë që i prishet qejfi?

Ajo që më shqetëson më shumë se përkatësia e autorit të krimit ndaj gazetarës apo ndaj gazetarëve, është keqadministimi i guximit, i cili tek ne është shpalosur prej kohësh duke thyer limitet e imagjinatës. Ne, pothuaj kemi guxuar gjithmonë drejt të shëmtuarës, krimit, deformimit. Me pak fjalë, guximi ynë është i keqadministruar. Guximi për të sfiduar, si gjithmonë nuk është se na ka munguar, sidomos kur bëhej fjalë për kureshtjet kërshëritëse për të eksperimentuar me kufinjtë më ekstremë të së mbrapshtës. E kemi parë këtë shpesh në guximin për të thyer kufinjtë e krimit në familje e më gjërë, e kemi parë në modelimin pervers që i kemi bërë “estetikës dhe etikës” së vetë krimit. E jo shumë larg, shpërthen në formën e një nyjeje të inatosur, revolta për ta zhdukur tjetrin mediatikisht përmes atentatit që si pararendës ishte instaluar me anë të fjalës dhe artikulimit ndër ne.

Nuk di të ketë një mënyrë më alarmuese për qeveritarët shqiptarë për formën se si po merr rendi dhe sigura tek ne. Mediokriteti i politikës sonë vazhdon të ndërtojë imazhin e vet mbi konfliktin dhe nëse përsëri vazhdohet në këtë mënyrë, gjithsecili ka komoditetin për të guxuar në gjërat për së prapthi, se të guxosh drejt virtytit kjo është një punë e lodhshme dhe me sa duket aspak e këndshme. /tesheshi.com/

 

Related posts