Nga Redi SHEHU: Frika ndaj hesapit

Ditët e fundit po rrjedhin vrullshëm plot ngjarje që i mbivendosen njëra-tjetrës dhe ngjyra që i përshkon ato, është e turbullt për shkak të përmbysjeve jo të zakonshme qe po ndodhin lidhur me shkarkime, arrestime, akuza dhe burgime. Mund të themi se ndodhemi tamam në krahun e kundërt të vektorit të forcës së rutinës ushtruar gjithë këto vite në Shqipëri. Kjo atmosferë e paralajmëruar e drejtësisë, po shkakton një panik të vetorganizuar politiko-ekonomik, sa që thuaj po rrezikojmë të reformohemi përsëmbari pa filluar akoma reforma. Frika ndaj pasojave të “hesapit”, paska qenë tepër e madhe. Kjo në të njëjtën kohë tregon se sa thellë establishmenti ynë ka sharruar në zullum.

Po ndodh një fenomen interesant. Nxitimi për t’u treguar i ndershëm dhe i drejtë, është një “modë” e cila javët e fundit e sheh teksa “vishet”  nga organet e drejtësisë, e sheh teksa arrestime të peshqve periferikë kanë filluar të lëvrijnë, madje nga atmosfera e drejtësisë që po sfidon pluhurin e Tiranës, kemi edhe arratisjet e para të funksionarëve të lartë të policisë së shtetit së bashku me shuma të majme parash. Politikanët duket sikur janë më të urtë. Heshtje në Presidencë. Opozita me zë të mekur përpiqet të artikulojë dhe të adresojë prirjen e vet drejt çështjes “Tahiri”, por përsëri pa tempin dhe revoltën e duhur që ta jep fakti i të qënurit i ndershëm, kryeminstri që lëvdon reformën por që edhe e ka frikë.

Pra, një mpirje e parareformës. Ambasadori amerikan, shpall Janarin si shkrepjen e pistoletës për të filluar garën e drejtësisë. Gjashtë javë afat për t’u shfaqur i drejtë dhe për  të “marrë në qafë” këdo që e meriton por që nuk është akoma në kategorinë e peshave të rënda. Pra, një ring me ndeshje të vogla peshash të lehta për të demosntruar se po reformohemi pa nisur reforma. Gjashtë javë afat, pa pikë sensi. Një formë dhuratë e “ndërkombëtarëve” për të festuar festat e fundvitit për ata që vitin tjetër mund të jenë në vend të gjelit të detit. Një paradrejtësi e provokuar nga konflikte politike e cila në formë antipaste po serviret mediatikisht plot bujë dhe ku pazaret e nëndhenshme kanë arritur në stekën më të lartë.

Janari, nëse do të jetë vërtet ashtu siç ndërkombëtarët thonë, ku sofra me peshq të mëdhenj do të jetë plot, do të shënojë edhe mbylljen e një epoke të cilën për pothuaj tre dekada e kemi quajtur tranzicion. Një tranzicion i cili ka qenë në tranzit të përhershëm drejt një tranzicioni të ri e kështu jemi ricikluar mes vete duke prodhuar një rreth vicioz të së keqes ku vetëm ndërhyrja nga një element  jashtë formulës së sistemit do të mundtë fillonte të zgjidhte diçka.

Frika ndaj hesapit ka filluar hesapet me frikën për secilin që ka menduar se koha është ndalur pikërisht atje diku poshtë kolltukut të tij dhe asgjë nuk do të mund ta bënte atë të lëvizte. Një psikozë frike me asete që fshihen e transferohen drejt destinacionit X dhe kushërinj miq që janë më shumë se sa të tillë, që gjenden në shportën e re fringo të peshqve të vegjël.

Ngjarjet po rrjedhin vrullshëm këto ditët e fundit edhe pse ato po i mbivendosen njëra-tjetrës, përsëri turbullira është ngjyra që i përshkon ato. Turbullira jo vetëm mbi atë se kush do jenë peshqit e mëdhenj, por edhe mbi atë se kur të mbarojnë peshqit kush do piqet në tiganin e përvëluar të drejtësisë. Hesapet me frikën nuk mbarojnë me mbarimin e peshqve. Hesapet me frikën fillojnë në kohën kur drejtësia nuk vjen si proçes i natyrshëm por e sforcuar dhe e trysnuar si imponim nga gjendja aktuale. Një formë e tillë e të qenurit i drejtë është e kompleksuar nga tendosja dhe panatyrshmëria sepse është produkt i një situate të pazakontë në të cilën po kalojmë. Pyetja që shtrohet është se a do mund të funksionojë kjo drejtësi në një situatë të natyrshme kur burimi i saj vjen nga një gjëndje e jashtëzakonshme? /tesheshi.com/