728 x 90 Leaderboard

Nga Redi SHEHU: Fjalët janë më të rëndësishme se liria për t’i shprehur ato

Nuk do të kishte kuptim një bashkekzistencë bazuar në tolerimin e ndërsjelltë, nëse të gjithë ne do të duhej të përqëndroheshim në ndalimin vetëm të dhunës nga pikëpamja fizike dhe të braktisnim përpjekjet tona kundër dhunës verbale të fshehur nën petkun e lirisë së fjalës. Kjo e fundit, qëndron në piedestalin që i takon atëhere kur qytetarëve jo vetëm u jepet e drejta për të folur dhe shkruar çfarë ata dëshirojnë, por mbi të gjitha në të drejtën e qytetarëve për të dëgjuar dhe lexuar atë çfarë ata kanë nevojë. Individi dhe kolektivja përplasen në liritë respektive, i pari për të thënë atë që dëshiron dhe të dytët për të dëgjuar e lexuar atë që ata kanë më shumë nevojë, të vërtetën. Dhuna kundra së vërtetës përmes fjalës, është një nga format më të rënda të diktaturës verbale të mishëruar në pretendimin se liria e shprehjes është një e drejtë absolute, dhe jo një princip i përgjithshëm i ligjit për të drejtat e njeriut. Ne, nuk mundemi të pranojmë lirinë e qytetarëve për të qenë të informuar bazuar mbi deformimin e lirisë së tyre të të shprehurit.

Fakti i të qënurit të lirisë së shprehjes në të ashtuquajturën e drejtë që gëzon një status më të lartë në raport me të gjitha drejtat, për shkak se shijimi i të gjitha të drejtave dhe lirive varen nga shkalla e lirisë sëtë shprehurit, nuk e bën atë të padisiplinueshme në marrëdhëniet e saja me liritë e tjera dhe me vetë shoqërinë. Ekuilibrimi i lirive është karakteristika themelore e një demokracie të vërtetë. Por, për shkak të keqkuptimit dhe keqadministrimit të kësaj lirie, del si nevojë rishikimi dhe rimoralizimi i kësaj të drejte të rëndësishme, pasi modernizmi e keqvendosi atë në raport me moralin dhe të vërtetën. Kjo, edhe për arsyen se angazhimi për promovimin e lirisë së fjalës, jodomosdoshmërisht na pengon neve nga të gjitha përpjekjet për rregullimin e fjalës. Sigurisht që kjo e fundit është tepër larg të konsideruarit çensurë. Angazhimi për rregullimin e fjalës, nënkupton se ne e vlerësojmë fjalën dhe lirinë e saj të të shprehurit aq shumë, saqë ajo ta meritojë fuqinë dhe rëndësinë që ka.

Problemet fillojnë që nga emërtimi i saj, “liri e shprehjes”, një lloj termi konfuz i shkaktuar nga modernizmi dhe komplekset që ai mbart. Sepse, secili prej neshështë i lirë të shprehet kudo në jetën e tij përditshme për gjërat që kanë të bëjnë me të dhe për këtë ai nuk ka nevojë për ndonjë kuadër ligjor. Ky i fundit, bëhet i nevojshëm kur liria e njeriut për t’u shprehur fillon proçesin e kritikës ndaj tjetrit apo të tjerëve dhe kur i konsideron ato objekte dhe mision më vete.

Mirëpo, e pambështetur mbi një kuadër vlerash, lira e të shprehurit nuk merr kuptim dhe as që mund të ekzistojë. Është pikërisht këtu që modernizmi krijoi konfuzion me këtë liri, kur ai relativizoi kuadrin e vlerave, ku secili mund të krijojë vlerat e tij dhe të ketë lirinë t’i shprehë ato pa u merakosur mbi përplasjen që mund të krijojë me vlerat e të tjerëve në të njëjtën kohë. Nxjerrja e njeriut nga kodi i përbashkët i vlerave, e bëri atë që të mos kujdesej në zgjedhjen e fjalëve të tija përballë audiencave të ndryshme. Për më tepër, çështja rëndohet akoma më shumë kur një grup i caktuar, përdor abuzivisht lirinë e shprehjes për të treguar se kuadri i vlerave që ai mbron, është më superior se ai i vlerave të një grupi tjetër, e në këtë kuptim, atëhere liria e të shprehurit nuk gëzon më ngjyrën e lirisë, por të një metodologjie presioni dhe kërcënimi me synim poshtrimin e “tjetrit” dhe vlerave që ai përfaqëson.

Gjuha ka qenë dhëështë një mjet për ndërtimin e karaktereve, por në të njëjtën kohë edhe të shkatërrimit të tyre. Modernizmi e ka konsideruar gjithmonë moralin dhe traditën, të cilat ne fakt janë një kuadër vlerash konsesuale të ardhura nga historia më të cilat njerëzimi ka rregulluar termat e të shprehurit, si antiprogres dhe të refuzuara për shoqërinë e re. Pikërisht, abuzimi pa vend me lirinë e shprehjes, u pa si mekanizmi i cili do godiste çdo rrugë që të çonte drejt antiprogresit.

Liria e shprehjes, si qëllim në vetvete, nuk ndihmon askënd nëse ajo nuk i bashkëshoqërohet një kuadri vlerash. Po ashtu, mënyra dhe fjalët që përdoren për ta konsumuar këtë liri, janë më të rëndësishme se vetë liria për t’i shprehur ato. Por a mund të konceptohet liria e fjalës jashtë një rregulli të përgjithshëm, jashtë një rendi ku ajo merr kuptim?

 

Pa kufizim, liria nuk do të kishte kuptim.            

Ne, jetojmë në një botë ku rendi dhe ligji fizik, në kuptimin kozmologjik, është tipari themelor i ekzistencës. Ai, (rendi) projektohet që nga makrosfera në një kozmos ku rregulli perfekt dhe ligji fizik janë formë e jashtme e mirëmbajtjes. Ky rend zbret edhe në ekzistencën tonë duke strukturuar jetën e gjallesave e sendeve. Është pak e vështirë të argumentosh faktin, se liria si koncept duhet të qëndrojë e shkëputur, apo thënë ndryshe, e emancipuar nga rendi nga norma dhe rregulli, për sa kohë ajo si kategori merr formë brënda këtij realiteti. Në këtë kuptim, liria si tipar i qënies më të privilegjuar të planetit (njeriut), merr jetë brënda dimensionit të rendit, çka do të thotë se, përsa kohë ajo është pjesë e rendit dhe rregullit duhet të jetë subjekt i kufizimeve dhe përkufizimeve të cilat i japin kuptim asaj.

Të jesh i lire, në fakt do të thotë të dalësh nga statusi i të qënurit i penguar. Nëse nuk do të ekzistonte pengesa dhe kufizimi, liria nuk do të kishte kuptim dhe as që do të emërtohej si e tillë. Ajo çka ne mund të themi, është se liria merr kuptim përmes kufizimeve dhe është pikërisht përmes marrëdhënies më to që ajo shfaqet si situatë. Çdo gjë e cila bashkëshoqërohet me nevojën, në të njëjtën kohë është bashkudhëtare me kufizimin. Nëse rendi kozmologjik është në nevojë të ligjësive rregulluese të cilat garantojnë ekzistencën e tij, atëhere ky rend është në vetvehte i kufizuar. Nëse njeriu, qëniet e tjera si dhe ekzistenca në tokë është në nevojë të ligjeve dhe rregullave fizike për të marrë kuptim, atëherë edhe ato janë të kufizuara. Kjo sjell si pasojë rrjedhimin logjik që një ekzitencë e kufizuar nuk mund të prodhojë veti absolute, një qënie e kufizuar nuk mund të aktualizojë liri absolute.

Për me tepër qënia e kufizuar nuk mund as edhe ta konsumojë një liri absolute nëse i jepet, sepse përsëri atë do ta shpërfaqte brënda kufizimeve të veta. E nëse ne po flasim për lirinë në shoqëri, atëherë e vetmja rrugë për të folur për lirinë është përmes kufizimeve të saj. Meqë kufizimi qënka tipar i lirisë, menaxhimi i këtij kufizimi është detyrë themelore për të përcaktuar atë që i zgjat jetën lirisë, e ajo që i zgjat jetën lirisë në një shoqëri, është ndërtimi i ekuilibrit të saj. Një ekuilibër i nevojave të lirisë i cili shtrihet në terrene të paracaktuara. Nëse do të ndodhte e kundërta dhe terrenet e lirisë të mos paracaktoheshin, atëherë në sajë të shpengimit të vet, liria do të humbte pikën e referencës që në fakt është vetë humbje e modelit të lirisë.

Referenca e lirisë e cila e mban të gjallë modelin e saj, mbështetet mbi dy shtylla të forta që janë e vërteta dhe drejtësia, sepse janë të pathyeshme përgjatë historisë së vetë lirisë. Relativizimi i kufinjve të lirisë, humbja e referencës së saj, në të njëjtën kohë përbën edhe humbjen e vijës ndarëse të dëmit. Pra, për të pasur besim tek liria dhe për ta kuptuar drejt ashtu si duhet atë, duhen njohur arsyet e ekzistencës së saj.

 

Papërgjegjshmëria e lirisë konsiderohet krim ndaj arsyes

Dikur, të thoje diçka dhe të besojë në të, ishte e njëjta gjë. Në shoqëritë e sotme, të besosh në atë që thua, është kthyer në një fenomen të rrallë sidomos atëhere kur mund të fitohet një sasi e mirë parash qoftë kjo edhe duke fyer, apo përmes dhunës së gjuhës, duke e shpërbërë tjetrin moralisht. Detyrimi moral dhe ai njerëzor për të mos fyer, është bërë sot më shumë se kurrë, në epokën e multikulturalizimit, një normë e respektimit të tjetrit. Prandaj, në përgjithësi, shoqëria njerëzore vendos kufinj të mirëpërcaktuar dhe liria e shprehjes, mbi të gjitha duhet të jetë bashkudhëtare me përgjegjshmërinë.

John Stuart Mill në veprën e tij “On Liberty”, e shtron si argument faktin se pse liria e shprehjes duhet t’i nënshtrohet terreneve kufizuese nëse ajo bëhet shkas për të dëmtuar të tjerët, pikërisht për të parandaluar diktaturën e dhunës verbale. Ai e konsideron dëmtim të interesave të të tjerëve nëse si pasojë e lirisë së shprehjes dikush mund të ngrihet në mesin e një teatri të mbushur plot e përplot me njerëz dhe të bërtasë “Zjarr!”  Në raste të tilla dëmi i shkaktuar si pasojë e lirisë së dikujt në raport me të tjerët mund të jetë dëm i matshëm në parametra fizikë, financiarë apo edhe moral. Pra e konsideron këtë si shkelje të drejte e cila nga ana e vet konsiderohet si dëm lehtësisht i përllogaritshëm. Kështu, çdo njëri mund të ndjehet i lirë të thotë apo të shprehë çfarë ai dëshiron përderisa kjo nuk shkakton dëmtim dhe prishje të harmonisë së të drejtave.Papërgjegjshmëria e përdorimit të lirive në përgjithësi por edhe lirisë së shprehjes në veçanti, fillon në momentin kur individi këtyre lirive u jep atribute absolute.

Pretendimi për të qenë i lirë për të ofenduar dhe në të njëjtën kohë po përsëri, pretendimi për t’u mësuar me ofendimin, harron një fakt, se ky fenomen shkakton dy proçese. Së pari shpërndan informacion dhe ide jo te sakta audiencave, dhe së dyti vepron mbi ndjenjat e njerëzve. Por pyetja qe del në këto raste është se si mund t’i bashkërendojmë të dyja liritë? Lirinë nga fyerjet dhe lirinë nga çensura? Atëhere, në këto raste, na thuhet se balanca mes tyre duhet të jetë standarti kulturor i pjesës më të madhe të shoqërisë. Por,ama, “standarti kulturor” i maxhorancës së një shoqërie,është subjekt i ndryshimeve të shpeshta të tipit nga pixhama në bikini. Për më tepër, ne sot jetojmë në një kulturë postmoderniste të atomizuar, në një subjektivizim të kulturës nga njëra anë, dhe nga ana tjetër në globalizim të saj. Pra, dy forca të kundërta që veprojnëbrënda së njëjtës kulturë e cila e bën më aktuale pyetjen se në fund të fundit, çfarë përfaqëson sot një kulturë nëse brënda saj nuk gjallon një kuadër konsesual vlerash?

E gjitha ka të bëjë më atë se çfarë vendi zë në një shoqëri përgjegjshmëria? Çfarë vendi zë dinjiteti? Ështëky i fundit kufiri ndarës mes lirisë dhe ofendimit, është dinjiteti njerëzor dhe rasporti me të që e bën një shoqëri të përgjegjshme dhe liritë e saj cilësore. Thirrja për të qenë i mësuar me ofendimin është thirrje për të degraduar jo vetëm cilësinë e lirive, por edhe cilësinë e personave që i aktualizojnë ato. Kjo çështje ka dy anë të medaljes. Nga njëra anë ajo shkakton dëm ndaj dinjitetit të personit apo grupimit të cilit i adresohet, dhe nga ana tjetër i shkakton dëm edhe ofenduesit, ngase një njeri kur ofendon, është një njeri më i keq seç ishte më parë. . Shoqëria njerëzore është e krijuar e ndryshme në etni, raca, fe, ngjyra dhe të jetuarit bashkë është sfida e kësaj ekzistence. Për ta mbajtur të gjallë shoqërinë njerëzore me gjithë diversitetin e vet, gjithpërfshirja është garancia më e madhe që ajo të vazhdojë të ekzistojë. Elementi garantues i kësaj ekzistence, përkarshi diversitetit të sojit njerëzor dhe nevojës për gjithpërfshirje të tij, është dinjiteti njerëzor dhe respektimi i këtij dinjiteti i jep jetë ndjenjës së sigurisë publike e cila në të njëjtën kohë është një e mirë publike që garanton jetëgjatësi. Edhe etërit e asaj që më vonë u quajt, shoqëria e kapriçiove individuale, nga Locke dhe Bayle e deri tek Voltaire dhe Diderot, thonin se një shoqëri tolerante është e paplotësuar kur ajo kufizohet vetëm në ndalimin e dhunës fizike dhe lë të paprekur ofendimin dhe dhunën verbale.

 

Në konceptin metafizik liria nuk është një koncept statik

Ajo qëështë shfaqur problematike,sa herëështë bërë fjalë për lirinë e shprehjes, ka qenë konsiderimi i kësaj lirie në dimensionin e vet statik dhe të përjashtësuar nga çdo formë e brëndëshme e konceptimit të saj. Njeriu si qënie dhe konsumues i lirisë, në radhë të parë ka kërkuar gjithmonë që t’i japë një sens kësaj lirie. Shpesh kjo e fundit e shikuar si një atribut i dhënë dhe joi prodhuar nga vetë ai, është përpjekur për të përcaktuar nëse kjo liri është shfaqja e jashtme ose fytyra publike e asaj lirie të brëndëshme vetjake që zanafillon që me lirinë e ndërgjegjes. E ardhur nga bota shpirtërore, ndjenja e lirisë e ka shoqëruar gjithmonë njeriun në luftën e tij ndaj kafazit të realitetit i cili është ndërtuar mbi një sërë kufizimesh e ndërvarësish.

Koncepti i lirisë nuk ka qenë kurrë i çliruar nga padroni i saj. Në shoqëritë tradicionale, atributet e dhuruesit të lirive dhe përcaktuesit të kufinjve respektivë të saj i përkasin Zotit i cili në formë transhendente jo vetëm ekuilibron liritë e individit por edhe implementon rolin e monitoruesit të këtyre lirive. Në shoqëritë moderne, tashme padroni i lirisë është zëvendësuar me rolin e përcaktuesit dhe monitoruesit të shtetit ndaj lirive të individit, pavarësisht faktit që “padroni” i dytë i lirisë (shteti) ka bërë ç’është e mundur për të zhdukur çdo gjurmë të padronit të parë (Zotit) në institucionet, politikat dhe qeverisjen e shtetit. Kjo marrje e atributeve hyjnore nga ana e shtetit është reflektuar në përcaktimin e disa kufinjve të lirisë së indivdit. Për shëmbull, nëse padroni i ri në modernizëm (shtetit) nuk është kujdesur për të vendosur limite ekuilibruese në lidhje me liritë e individit në raportet e tij me hyjnoren vetjake dhe shoqërore, kur bëhet fjalë për liritë e individit në raport me aparatin shtetëror, atëhere normat ligjore që ai ka vendosur parashikojnë edhe përdorimin e forcës nëse individi nuk i bindet ligjeve të tij.

Pra, në shoqëritëmoderne, shteti i qaset lirisë së shprehjes vetëm në kontekstin publik dhe nuk e merr fare në konsideratë dimensionin personal të ndërgjegjes, duke e kthyer moralitetin dhe botëkuptimin personal shpirtëror në një çështje aparatusi shtetëror i cili ndërhyn në mes individit dhe shtetit, religjionit dhe politikës, ndërgjegjes personale dhe shoqërisë, publikes dhe privates.Kjo sjell një trajtesë të ftohtë dhe të emigruar nga realiteti personal i anëtarit të shoqërisë sepse teoritë moderne të shtetit, e reduktojnë qëllimin e tyre, kur flasim në këtë kontekst, vetëm në liritë civile dhe politike si dhe marrëdhëniet e ndërvarura që ata kanë. Ajo që vërehet në këto qasje është ikja e trajtesës metafizike të të kuptuarit të lirisë në përgjithësi si dhe lirisë së shprehjes në veçanti që në të vërtetë është një dimension i pashmangshëm i qytetarit. Ndarja pragmatike mes publikes dhe privates në modernizëm nuk merr përsipër, le të themi, të kujdeset për një dimension aq sa moral por edhe etik të lirisë shprehjes e cila do të ishte e pamundur pa një analizë metafizike të burimit të saj.

Në dimensionin metafizik, liria është e kuptuar si pjesë përbërëse e dy tipologjive. E para është liria irracionale në përzgjedhjen e së mirës apo të keqes e bazuar në pasione e cila e bën këtë liri të paaftë në përcaktim, që shpesh bie pre e dobësive. Liria e dytë është ajo racionale, e bazuar në të vërtetën dhe moralin e cila udhëhiqet nga norma të mirëpërcaktuara. Në këtë kuptim, liria e individit luhatet mes këtyre dy dimensioneve duke zhvilluar një dialektikë të brëndëshme e cila herë na shfaqet në racionalen e vendimeve të saj dhe herë në irracionalen e këtyre vendimeve. Për këtë arsye në botëvështrimin metafizik, liria nuk është një koncept statik, ajo është koncept dinamik që kërkon përceptim të tillë bazuar në këtë dialektikë të brëndëshme.

Kur liria hyn në tipologjinë e parë të irracionalitetit, atëherë ajo e humb atributin e saj si liri sepse tashmë bie pre’ e dominimit të dëshirave personale dhe marrëdhënia e saj me botën e jashtme tashmë është irracionale dhe nuk garanton drejtësi dhe ekuilibër. Liri e vërtetë, është ajo që i përket llojit të dytë, atë të lirisë racionale me destinacion të vërtetën që në thelb është kriter moral. Kështu kur kjo liri reflekton në marrëdhëniet me realitetin, karakterizohet nga morali, ekuilibri dhe e mira shoqërore.

E njëjta gjë ndodh edhe me lirinë e shprehjes si derivate e konceptit të përgjithshëm të lirisë. Liria për t’u shprehur pa kufi për çdo gjë dhe për gjithçka, për më tepër duke ofenduar e mos respektuar kufinj dhe ndjeshmëri kulturore, është liri e llojit të parë, liri irracionale e rënë pre’ ndaj dëshirave autonome dhe bindjeve vetjake të disa individëve apo grupeve që e ushtrojnë atë. Liria e shprehjes transformohet në liri irracionale, në momentin kur e prish ekuilibrin, ç’orienton vijën e dëmit dhe del nga përgjegjshmëria duke u bërë pre’ e pasioneve dhe dëshirave.  Pra, kthehet në irracionale, për sa kohë sfera publike konsiderohet si disiplinuese vetëm për të dëgjuar një argument dhe për të qenë e shurdhët ndaj argumentit tjetër. Prandaj dhuna verbale përmes alibisë “liri e shprehjes”, noton vazhdimisht në irracionalitet dhe e ka të domosdoshme të kthehet në racionalen e saj përmes kufizimit si ekuilibrues dhe një kuadri vlerash bazuar mbi dinjitetin njerëzor për t’i dhënë kuptim të qëndrueshëm asaj. /tesheshi.com/

 

Related posts