728 x 90 Leaderboard

Nga Redi SHEHU: Brenda një zbrazëtire politike

Nuk është e lehtë për një audiencë zgjedhësish të kalojë javë të tëra në një situatë ku njëra pas tjetrës ngjarjet skandaloze të vulosura me përgjime apo pretendime për përgjime, trondisin në mënyrë të konsiderueshme, jo vetëm figurat e përfshira në të, por themelin me të cilin këto audienca ndërtojnë pozicionin e tyre politik. Ky themel përmblidhet në besueshmërinë si kapitali më i rëndësishëm për të ndërtuar qeverisje të një vendi. Në fakt, e gjithë kjo betejë bëhet për të tronditur besueshmërinë. Një betejë për vëmendje ndaj një elektorati i cili besueshmërinë politike e ka të ngjizur në më të shumtën e rasteve jashtë racionales, por bazuar në një thurrje sociale të përkatësisë gjenetike mbi atë politike. E gjithë kjo luftë ka nevojë të bazohet diku, ka nevojë për argumentat e veta për t’u çertifikuar si e vërtetë. I tillë ishte edhe debati mediatik mbi ngjarjen e përgjimeve të cilët implikuan vëllain e ministrit Xhafaj.

Ajo që vërehet në tërë logjikën e arsyetimit të palëve është se, motivi postngjarje përbën edhe boshtin e kundërshtive politike të deklaratave dhe qëndrimeve partiake. Ndërkohë që mendoj se themeli i gjithë besueshmërisë qëndron në faktin se pushtetarët tanë janë të zhveshur nga kriteri moral i qënies së tyre si politikanë. E gjithë kjo situatë zanafillon tek postulati që shpesh e dëgjojmë të gjithë, i tipit “politika është e ndarë nga çështjet e moralit”. Duke iu referuar ngjarjes së fundit me vëllain e Ministrit të Brendshëm, refreni i cili pushtoi pothuaj të gjitha studiot televizive, ishte ai se një ministër  ka një “farë” përgjegjësie morale, por politikisht ai as që nuk preket fare nga kjo ngjarje.

Michel J. Perry, një politolog i njohur shkruante dikur se: “vetëm dora që fshin mund të shkruajë të vërtetën”. Ne, në këtë establishmentin tonë politik, kemi duar vetëm që shkruajnë dhe nuk kthehen kurrë mbrapsht për të korrigjuar diçka. Ne shkruajmë e themi pa pushim duke pretenduar se kështu kemi thënë të vërtetën. Mirëpo që të kesh një kriter moral në jetë, por edhe në politikë, duhet të dish të fshish dhe të korigjosh, që në thelb është kriter përmirësues.

Që në fillimet e veta kaotike, e gjithë historia jonë politike ka pasur një motiv të vetëm real: atë të dehumanizimit politik të individit përmes bjerrjes së kodit moral mbi mënyrën se si gjykohej realiteti. Ka pothuaj tre dekada që ky vend sorollatet në kulisa politike me të njëjtët personazhe të cilët lëvrijnë në të njëjtën hapësirë politike, pikërisht për shkak se “çështjet politike duhet të jenë të ndara nga çështjet morale”. Pra, me pak fjalë, softi me të cilin qënia njerëzore gjykon për veten dhe mjedisin ku jeton, i përmbledhur në kodin moral, nuk funksionon në rastin e politikës. Një kod tjetër politik tashmë përbën kriterin vlerësues të jetës në vend.

Pra, pas muajsh alarmi për lidhjet e mundshme me trafiqet nga ana e e ish-ministrit të Brendshëm Tahiri dhe ministrit aktual Xhafaj, gjendja është njësoj ashtu si në kohën kur nisi kjo histori. Tahiri ëshë i lirë dhe Xhafaj vazhdon punën pikërisht se kodi i ri politik ua jep këtë të drejtë.

Nga ana tjetër, pas muajsh debatesh parlamentare dhe protestës së fundit, opozita është njësoj si në kohën kur nisi kjo histori, pikërisht se kodi i ri politik fshin çdo aksion opozitar me bazë morali. Nga frika e dështimit, opozita në vend që të merrej me kriterin moral të gjësë, dështoi me sukses duke u marrë me rregjistrimet si kriter politik të ngjarjes.

E gjitha kjo situatë mund të përmblidhet në faktin se ne kemi kaluar në gjendjen e zbrazëtirës politike pa kriter moral dhe vetëm me kriter politik. Kështu, ndodhemi bukur mirë në mesin e një  inercie të kësaj zbarazëtire dhe as që nuk e kuptojmë dhe as që jemi të ndërgjegjshëm për këtë gjëndje. Duke u sorollatur në këtë zbrazëtirë ne humbim kuptimin jo vetëm politik të realitetit, por humbim edhe kuptimin që ne kemi për vetveten. Aftësia jonë përmirësuese dhe korigjuese nuk ka tashmë nga të burojë, dhe dalëngadalë e gjejme dhe ne veten si njerëz që shkruajnë e flasin por nuk dinë të korigjojnë, njerëz që nuk mund të shkruajnë dhe thonë të vërtetën. /tesheshi.com/

 

Related posts