Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

Nga Redi SHEHU: A mund të zgjedhim përtej të keqes më të vogël politike?

Ngjarjet politike të javëve të fundit, të  shpërthyera nga detonatorët “Doshi” dhe “Frroku”, rikthyen vëmendjen në formë intensive nga sistemi yne politik, e në mënyrë të posaçme nga sistemi i listave sepse lista e personave të renditur për nga “meritokracia”  në optikën e liderëve të partive, do të përbënte edhe bashkësinë e njerëzve me kollare të cilët për katër vitet e ardhshme, do të përpiqeshin të prodhonin qeverisjen e këtij vendi. Një qeverisje e cila dukej se do të ishte në limitet e të lejueshmes me probabilitet përplasjeje të shpeshtë dhe me një mundësi të lartë bojkoti e abrogimi nga pala e cila do të tentonte për të pafundmen herë ta projektonte disfatën e vet tek pala tjetër. Kështu rrethi ynë vicioz politik, u bë pjesë e inskenimit të një atmosfere  të emergjencës politike, ku zgjidhja u pa, për të pafundmen herë, si e keqja më e vogël.

Rrugëtimi ynë në përzgjedhjen qeverisëse, është mbajtur rob nga  situata të herëpashershme të të këqijave politike që duhen përmirësuar me çdo kusht. Përmirësimi që duhej bërë, u konceptua duke zgjedhur të keqen më të vogël politike. Kjo formulë e instaluar pothuaj në regjim tek ne, ka implikimet e veta sepse nuk ekziton në politikën tone një konsensus për të keqen më të madhe dhe të keqen më të vogël, për të cilat duhet bërë një zgjedhje në bllok. Fakti është që elektorati ynë është i ndarë mes dy konceptesh për të keqen më të vogël. Ajo që për popullin e majtë është e keqja më e vogël nuk është për popullin e djathtë dhe anasjelltas.

Kjo e ndërlikon zgjidhjen e dilemës, sepse secili popull politik, do t’i referohet zgjidhjes së problemit, duke hequr të keqen më të madhe që ai mendon, por që në fakt përbën të keqen më të vogël të popullit tjetër elektoral.  Partia Socialiste dhe z. Rama, thoshte se për të hequr të keqen më të madhe, Saliun, duhet bërë çdo gjë dhe  konsideronte lëvizjet amorale politike, si të keqen më të vogël. Z.Berisha dhe partia e tij, e kishin shpallur si sfidë  zhdukjen e z. Rama nga politika si e keqja më e madhe, e për këtë arsye çfarëdolloj metode, përfshirë këtu edhe ndonjë numërim pak elastik të votave, përbënte të   keqen më të vogël. Po kështu  artikulimi politik trashëgohej asokohe edhe nga z.Nano për z. Berisha dhe anasjelltas.

Situata jonë politike kalonte caqet e të arsyeshmes dhe  kthehej në një sistem të emergjencës së përhershme, në sistemin e “të këqiave më të vogla”  kundrejt “të këqijave më të mëdha” të kahëve të kundërt. Kjo formë e ekzistencës së identiteve të dyfishta politike dhe kufinjve të dyfishtë të ndarjes morale, në fakt ka prodhuar në formë ciklike të këqija dhe tani pas më shumë se dy dekadash jemi përsëri në të njëjtën situate ku sistemi i të këqijave më të vogla ka prodhuar tw keqen e madhe kriminale brenda parlamentit tonë. Nëse do të vazhdohet kështu, pjelloria në botën e të këqijave dhe të të këqinjve, do të vazhdojë të jetë e lartë dhe përsëri përplasja nuk do të zgjidhë asgjë, veçse shpërfytyrim të elektoratit dhe dëmtim të strukturës morale të shoqërisë . Ndërsa tek popujt tanë elektoralë, të ndarë që në strukturën identitare, përzgjedhja  e të keqes më të vogël prej kohësh ka prodhuar një të keqe më të madhe për t’u luftuar me anën e të keqes më të vogël të radhës

Elektoratet e tjera të vendeve të standartizuara, janë përpjekur prej kohësh të dalin nga situatat e emergjencës politike dhe përballjen e ndërtojnë mbi premisën e asaj  çka është kombëtarisht më pozitive dhe dobiprurëse se tjetra, jashtë qerthullit të të këqijave. Problemi  është se struktura e mbyllur e të dy grupimeve më të mëdha politike, struktura e kodit të ri zgjedhor, hartimi i listave si dhe teknologjia e rekrutimit të prurjeve të reja në partitë politike,  e bën të pamundur ardhjen e individualiteteve apo grupimeve me integritet, vlera dhe pavarësi konceptuale, të cilat mund të ndërronin qasjet konfliktuale. Përkundrazi, çdo hap politik i të gjitha niveleve, ndërmerret në bazë të një kriteri i cili rreptësisht sanksionon përfundimisht kultin e individit, kultin e liderit edhe nëse ai ndodhet në gabim nga mëngjesi deri në darkë. Kështu, ja ku ndodhemi në qarkun e mbyllur ku për të dalë nga ciklika e të këqijave je i dënuar së pari të futesh në llumin e të keqes me shpresë që ta pastrosh atë

Lindja e një amortizatori politik, i cili i barazlarguar nga të dy krahët, duke u distancuar nga ciklika e të keqes dhe duke paraqitur krejtësisht një ofertë politike bazuar mbi parimet më të mira që konsensualisht ekzistojnë në të gjithë elektoratin, si ndershmëria, antikorrupsioni, drejtësia, mirëqënia, punësimi, moraliteti, familja etj. si vlera të përbashkëta elektorale në Shqipëri, do të sillte ndryshimin me politikën aktuale duke i gjalluar këto vlerave jo vetëm në retorikë, ashtu siç bën politika sot, por  në institucione funksionale. Për të ndodhur kjo duhen njerëz të cilët nuk janë produkt i këtij sistemi të ndotur politik. Por fakti është se të gjithë ato forca për të cilat u shpresua se do ta luanin rolin e amortizimit politik, që nga LSI, AK e deri tek FRD , janë produkte të kësaj strukture të kompromentuar, janë thjesht zgjatime të tyre,  të cilat inciativën e bazuan jo në një ideal dhe ofertë të re politike, por si hakmarrje  e inateve politike ndaj padronëve të vjetër. Pra, asgjë të re, veçse disa detonatorëve shtesë për të hedhur në erë të këqiat më të mëdha aktuale në emër të këqiave më të vogla.

Që ndershmëria, drejtësia, mirëqënia, antikorrupsioni, morali, familja të kthehen në arsye publike, duhen grupime njerëzish që i kanë ideale jetësore ato dhe jo sllogane sociale. Duhen njerëz që të mund t’i formulojnë ato në ofertë politike në formë këmbëngulëse. Është  e pamundur që një ofertë e tillë politike, që të bind për thjeshtësinë dhe qëndrueshmërinë e saj, të mos marrë mbështetje popullore Mendoj se grupime të tilla në shoqërinë shqiptare ekzistojnë  edhe pse ndodhen të shtypura nga presioni i lidershipit aktual. Ata duhen vetëm zbuluar e pastruar, ngjashëm me diamantet që qëndrojnë në heshtje në thellësi të tokës. /tesheshi.com/

 

auto pjese dak

Related posts