Nga Rachel SHABI*: Trump hodhi një shkrepëse në Jerusalem pa asnjë plan për shuarjen e zjarrit

Imazhet që erdhën nga rajoni të hënën thanë gjithçka. Në një kuadrat ishte presidenti izraelit, Benjamin Netanjahu, me pamjen e një maceje që ia dhanë tasin e qumështit, ulur ngjitur me Ivanka Trump dhe bashkëshortin e saj, Jared Kushner, në ceremoninë e hapjes së ambasadës së re amerikane, që sapo është zhvendosur drejt Jeruzalemit.

Dhe në kornizën e dytë, ishte Gaza, mbytur nga tymi i gazit lotsjellës gjatë protestave në të cilat u vranë mbi 50 palestinezë dhe u plagosën 1200 të tjerë nga zjarri izraelit. Ndoshta duke reflektuar mbi këto dy imazhe, ish-negociatori i SHBA për paqen, Martin Indyk, çuditshëm vuri në dukje se kontrasti ishte një “moment ëmbëlsie i hidhur”.

Por, ky nuk është dualiteti i zakonshëm i përvojës në rajon në prag të ditës që kujtohet jo vetëm si 70-vjetori i themelimit të shtetit të Izraelit por dhe “Katastrofës” palestineze – në të cilën rreth 700 mijë njerëz ose u detyruan të largohen ose u arratisën nga shtëpitë e tyre mes luftimeve që solli krijimi i Izraelit. Ky është një përshkallëzim që u paralajmërua, rezultat i një përmbysjeje të qëllimshme të konventave ndërkombëtare. Është presidenca e Shteteve të Bashkuara që ka ndezur një shkrepëse dhe e ka hedhur atë në uroren e Jeruzalemit, gjysma e të cilit konsiderohet nga komuniteti ndërkombëtar se është pushtuar nga Izraeli dhe synohet të jetë kryeqytet i një shteti të ardhshëm palestinez.

Mes thirrjeve nga e gjithë bota që dënojnë lëvizjen e ambasadës dhe po ashtu përdorimin fatal e jo-proporcional të forcës në përgjigje ndaj protestuesve të paarmatosur, agjitatorët e krahut të djathtë që tani po shtrojnë binarët e tyre të zakonshëm “me ne ose kundër nesh”, duke sugjeruar se denoncime të tilla janë automatikisht kundër-Izraelit.

Mos e blini këtë mall. Organizata izraelite e të drejtave të njeriut, B’Tselem ka lëshuar një deklaratë ku dënon përdorimin nga Izraeli të municioneve të vërteta në Gaza si një tregues i “një indiference tronditëse ndaj jetës njerëzore”. Daniel Seidemann, themelues i NGO-së izraelite për Jeruzalemin, ka paralajmëruar se lëvizja e ambasadës së Shteteve të Bashkuara do “të sjellë gjak”, duke shtuar: “Dëshpërimi i skajshëm është destabilizuesi më i madh”. Dhe Chemi Shalev, kolumnist për gazetën e Izraelit,  “Haaretz” vinte në dukje “themelin aktual të marrëdhënieve SHBA-Izrael: fundamentalistë, mesianikë dhe fansa të ethshëm të fundit të kohëve” – duke iu referuar mbështetësve të krishterë evangjelistë të Trump që brohoritën për lëvizjen e ambasadës, bazuar në profecinë e Armagedonit që nuk përfundon mirë për popullin hebre.

Netanjahu prej kohësh u ka kërkuar Shteteve të Bashkuara të lëvizin ambasadën dhe të anulojnë marrëveshjen bërthamore me Iranin. Në javët e fundit, Trump ka realizuar të dyja këto kërkesa, vendime që kanë tronditur një rajon që edhe pa to, është i paqëndrueshëm. E megjithatë këto lëvizje të rrezikshme nuk janë shenjë e një politike të re të Shteteve të Bashkuara. Leja për të vazhduar konfliktin rrënues izraelito-palestinez, madje ndërsa palestinezët po vuajnë pasojat e përditshme të pushtimit, do të ishte mjaftueshëm keq, por jo më keq sesa qëndrimi dështak ndërkombëtar që ka qenë në fuqi për kaq kohë.

Por, me lëvizjen e ambasadës,  Trump ka angazhuar hilet e së djathtës ekstreme për hir të saj. Nuk ka kontrolle, monitorime, as rinovim bisedimesh, as diplomaci ndërkombëtare, vetëm llomotitjet e zakonshme e shumë-qëllimshme të Trump se ka arritur një marrëveshje të mirë.  Kjo nuk është politikë për Lindjen e Mesme, vetëm nëse llogarit si politikë praktikën e zjarrvënësit dhe sanksionimin e dhunës së tepruar izraelite. Dhe ashtu si po e shohim sot, janë ata që jetojnë në rajon të cilët do të vuajnë pasojat ndëshkuese të marrëzisë së tij.

*Rachel Shabi është autore dhe komentatore. Opinioni u botua në të përditshmen londineze,  “The Guardian”.  Ajo ka qenë korrespondente në Lindjen e Mesme, ndërsa është autore e librit “Jo armik – hebrenjtë e Izraelit nga tokat arabe”.

Përktheu: Juli Prifti – /tesheshi.com/

Related posts