728 x 90 Leaderboard

Nga Pëllumb KULLA: Vdekjet në aleancë me shtabet e grabitjes (viti 2005)

Duhet pranuar ndershmërisht se edhe sikur të kishin vullnet të mirë, qeveritë paskomuniste nuk e kanë të lehtë zgjidhjen e çështjes së pronave. Por ato nuk e kanë atë vullnet. Dhe ajo që e përshkëndit situatën është prepotenca, shpërfillja dhe shpesh përbuzja e fshehur me zor, ndaj pronarëve të dikurshëm nga ana e figurave qendrore të qeverisë. Këtyre të fundit, në thelb, u mungon vetëdija për dimensionin real historik edhe të përkohshëm, që ka qenia e tyre në krye të punëve të shtetit.

Dhe nuk është vetëm mungesa e vetëdijes…

Duket sikur në Shqipëri është ndeshja e përditëshme, rutinore, politike e pikpamjeve jo të njëjta. Në të vërtetë, është kohë vendimesh historike, është beteja përfundimtare e një lufte të gjatë dhjetëravjeçarësh. Luftrat me armë, Lufta e Klasave, gjyqet speciale, votimet groteske, copëtimi i PPSh-së, plaçkitja e depove të ushtrisë dhe miratimet e ligjeve, nuk kanë qenë veçse beteja të ndërmjeme, të vogla e të mëdha, të kësaj lufte: luftës së egër për tjetërsimin e pronës, për kalimin nga një zotërim në një zotërim tjetër.

Në skenën e madhe të territorit të republikës, prej më se 15 vjetësh po dekretohen pasanikët. Liritë e shprehjes, reformat, demokratizimi janë shkumba e bardhë e përpjekjeve të nënujëshme. Përsëris, se gjatë tërë këtyre viteve, pak rëndësi patën ato. Kryesorja është se po vendoset cilët do të jenë pasanikët në Shqipëri. Jo ata pasanikë, që bëhen përkohësisht me grykën e pushkës a me thikën në fyt, që të dëbojnë nga vatra e të marrin me zor laçkë e plaçkë, por ata, afatgjatët, të ligjëruarit, të miratuar nga Europa dhe tërë bota e qytetëruar.

Prandaj kjo betejë e fundit është kaq e zgjatur, rraskapitëse dhe e egër.

Ata që kanë marrë përsipër të bëjnë zgjidhjen e çështjes së pronave në kushtet specifike të vendit tonë, në një mënyrë a në një tjetër, favorizojnë një gjendje të krijuar gjatë administrimit anarkik të tranzicionit shqiptar, me një shtet pothuaj inekzistent, që nuk u bëri, (dhe më së shumti, nuk deshi t’i bënte) dot ballë veprimeve të jashtëligjshme të grupeve dhe individëve “të fortë” dhe “grabitqarë”.  Sot, kur qeveritë shqiptare janë vënë në provë nga komuniteti ndërkombëtar, duket se ruajnë më shumë interesat e këtyre individëve dhe grupeve të lidhur me njëqind fije me ta, me botën e politikës, sa që, duke parë tendencat, shtabet e rregullimit, mund të quhen thjesht shtabe të grabitjes.

Ata nuk e përfillin turpin historik që sjell vënia e vulave mbi këtë grabitje. Puna më e madhe, ajo e ndyta, e përgjakshmja, e pushkatimeve, e asgjësimit të protopronarëve është bërë. Ajo ka filluar para ’45-sës dhe ka vazhduar edhe më pas. Tani, shtabit të grabitjes i takon të përpiqet në parlamente, gjykata e organizma ndëkombëtare dhe është i larë e bile nderohet, tek distancohet nga shtabi i mëparshëm bolshevik, që mënjanoi pronarët, që kreu kolektivizimin si etapë të ndërmjeme e të domosdoshme të përzjerjes së kartave, për të arritur këtu, tek rishpërndarja. Këtij shtabi të ri, tani në kohëra të reja, i erdhi radha të vendosë se si do të ndahet prona socialiste, kush do rimarrë këtë e kush do marrë atë, cilit do t’i kthehen florinjtë e cilit jo, cilit do t’i shpërblehet burgu e cilit do t’i paguhet varja në litar, cili do të sistemohet në bregdet e cili do rrijë në moçal, cili do marrë pjelloret dhe cili do ketë për pjesë tokat ranishte.

Është fatkeqësi kombëtare të kesh mbi krye njerëz që zgjidhen të parë të vendit dhe i delegojnë vetes plotfuqinë për të shkelur të drejta kaq sublime, si kjo e pronës. Pas një stazhi të bollshëm si komunistë, ata edhe tani ia lejojnë vetes të dhurojnë e të emërojnë pronarë të rinj, me autoritetin e partisë! Shumica e shqiptarëve e ndjejnë që është mjerim historik, që për një verdikt kaq madhor në konfliktin mes të vjedhurit dhe vjedhësit, gjyqësinë ta bëjë ky i fundit. Na mbetet të nënvizojmë e t’ia bëjmë të qartë botës perëndimore dhe asaj të katër pikave të horizontit, se radhët e komunistëve shqiptarë, sikurse në tërë botën, ishin të ngjeshura paq me proletarë varfanjakë, mbetur ashtu jo për faj të tyre, ngjeshur paq me argatë dhe mëditësa të etur, natyrisht, për barazi sociale. Për shkaqe shumë të qarta, janë ata tani, që duhet të vendosin, me këmbënguljen e ndërkombëtarëve të bezdisshëm, t’ia heqin vetes atë që këto vite e bënë të tyren e t’ia kthejnë një tjetri, atij që historia parakomuniste e ka klasifikuar me termin e neveritshëm “pronar legjitim” e që shtabet e shpërndarjes, organikisht, pa e shpjeguar as vetë se si, e urrejnë dhe, leninistikisht, do ta preferonin të shfarosur.

Ata e kuptojnë, pra, se duhet të rrinë me thonj e dhëmbë aty ku merren vendimet e shpërndarjes. O sot o kurrë! Është kjo arsyeja e vërtetë, se përse tek ne, betejat zgjedhore janë kaq të ashpra dhe nuk do të jenë të tilla në dekadat që vijnë, pasi dekretimi i pasanikëve të ketë përfunduar, pasi gjithëçka të jetë vulosur. Atëhere ambicja për pushtet do të jetë më e vogël dhe pavarësisht nga nderet dhe shiritat e ofiqeve, shtetarët do të jenë më afër statusit të shërbëtorëve të shoqërisë.

Por jemi ende larg. Sot, mjafton të vëzhgosh me vëmendje e do të vesh re se programet e partive ndërluftuese për pushtet, shëmbëllejnë, si dy pika uji. Prandaj dhe ato nuk i publikojnë programet. Nuk ndryshon strategjia në politikat e jashtme dhe të brendshme. Fare! Absolutisht! Nderimi dhe respekti ndaj ShBA dhe Bashkimit Europian, është po ai. Kurvërimi me fqinjët është i pandërprerë. Brenda, vazhdojnë privatizimet me prioritet në favor të atyre që në një mënyrë a një tjetër u bënë me para. Ligji famëkeq i grabitjes, ai me numër 7501, do të jetë gjithaq i respektuar, premtimet e papërmbushura për arsim, shëndetësi e sidomos për energji dhe ujë të pijshëm, janë po ato. Në stafetën e pushtetit nuk sheh, fjala vjen, sipërmarrje të çmendura për të rikolektivizuar pasuritë, apo për t’i kthyer kurrizin NATO-s. Gjithëçka është llahtarisht e njëjtë! Vëzhguesit habiten kot për egërsinë e fushatave dhe urrejtjen e ndërsjellët partiake. Koalicionet zgjedhore urrehen mes tyre, pikërisht ngaqë janë pabesueshmërisht të ngjashëm dhe piksynimi është prania në shtabet e shpërndarjes dhe në mjeljen e lopës-mëmëdhè. Vëzhguesit nuk duhet të habiten as për heqjet dhe zëvendësimet në administratë e sidomos heqjen e vendim marrësve në tendera dhe doganierëve, që është edhe i vetmi qëllim i shumë njerëzve, gjatë viteve në opozitë. Pasurimi është imperativi i kohës. Tek ne nuk zëvendësohen mësuesit dhe mjekët, pasi askush nuk ua ka zilinë pozicioneve të tyre mjeranë në këtë tranzicion. Ah, me postet e doganierve dhe shefave të policisë ndryshon puna! Pjesa më e madhe e tyre janë lindur proletarë dhe vdesin milionerë.

*     *     *

Në Korçë vazhdon t’i qëndrojë viteve një shtëpi dykatëshe, në të cilën është lindur 60 e ca vjet më pare një miku im. Banorët e shtëpisë u dëbuan në vitin 1947 dhe shtëpia iu dha ushtrisë. Më pas shteti e shiti dhe ajo shtëpi tani ka një pronar të ri, i cili nuk pranon kurrsesi të dalë që andej. Titullari i pronësisë, rropatet prej vitesh ta bëjë realitet atë që i thotë dokumenti që ai ka në dorë të lëshuar nga shteti demokratik, që ia rikthen shtëpinë përsëri atij. Peripecia vazhdon, me njëqindmijë trokitje. Gjyqi i hapur nga babai i mikut tim vendos ta marrë në shqyrtim; uzurpatori nga ana e tij, hedh në gjyq komisionin e kthimit të pronave për vendimin, sipas tij, të padrejtë që ka bërë duke ia kthyer pronën të zotit(!). Padia e plakut rri pezull, sa të përfundojë procesi i hapur nga uzurpatori kundër komisionit, në të cilin ai paraqet dokumentacion teknik të falsifikuar, për gjoja meremetime. E natyrshme, të bësh meremetime aty ku ke banuar për gjysmë shekulli, por për askënd që viziton shtëpinë nuk ka dyshim, se të vetmet meremetime në atë shtëpi jetëgjatë, me beton dhe profile hekuri, duhet të kenë qenë vetëm lyerjet e mureve dhe fshirjet e odave me fshesë. Uzurpatori e fiton gjyqin! Babai i mikut tim ia anullon atij në apel këtë fitore mbi Komisionin e Kthimit të Pronave. Hapet rruga për padinë e babait, e cila mund të dalë me sukses, por do të pritet apelimi, dhe tashmë tërë janë të bindur, sipas skenarit të Katovicës, do ta fitojë uzurpuesi. Një inskenim i përsosur i një paragrafi të lënë në testamentin e Ramiz Alisë!

Para ca vitesh u ktheva nga Amerika dhe në Korçë gjeta një formacion të vërtetë luftarak vëllezërish e kushurinjsh mbledhur për rimarrjen e shtëpisë. Dikush në pushtet, u pat sugjeruar të përdornin forcën, siç paskëshin bërë dhe të tjerë anë e mbanë vendit.

U mundova ta shmang përplasjen duke i bindur miqtë e mij, se konfliktin e kanë me shtetin, – të cilit nuk po rri pa ia nënvizuar epitetin demokratik – që u ka rikthyer pronën e nuk ndërhyn të zbatojë vendimet e tij. Edhe uzurpatori, e ka konfliktin me shtetin, gjithmonë demokratik, që me reformat e reja kërkon ta nxjerrë nga një shtëpi, ku ai është mësuar të rehatohet e të pjellë fëmijë. Tani ky shtet batakçi, (megjithëse demokratik!), shtyn të përleshen dy palë, të përgjaken. E ai sodit.

E ndalova përplasjen duke u thënë se edhe unë, personalisht, kisha një proces të ngjashëm. Problem më të koklavitur kishin edhe disa kushurinj të mij, Kulla të emigruar, trojet e të cilëve ishin zënë me ndërtime që shteti kish ndërmend t’i legalizonte. I binda se duhet të presim dhe u ktheva në Tiranë e më pas në Amerikë, ku ndodhen e qindra mijë si unë, gatuar papërshtatshmërisht për këtë jetën e re postkomuniste që bëhet në atdhe. Ata, sikurse unë, nuk e kanë gjëkundi stofin e heronjve dhe janë të paaftë për t’u rreshtuar nën urdhërat e komisarëve të partive, të cilët hapin nganjëherë depot e armatimit. Gojëhidhur, këta lloj shqiptarësh, rrijnë e vështrojnë që këtej, në ankth, se si zhvillohen ngjarjet e ç’fund do të marrë në truallin e vendlindjes, farsa dramatike me ndriçime dhe errësime nga ato të spektakleve më maramendës, se si qarkullojnë paratë e se si në furtuna hedhin shtat pasuritë e reja.

Që këtej soditja e atij teatri është e hidhur. Këtu, në Perëndimin e ëndërruar, në radhët e agjensive të punësimit nuk gjen asnjë nga pinjojtë e nomenklaturës komuniste. Jo ngaqë ata janë më patriotë, por ngaqë janë të gjithë atje, pranë shtabeve, të cilët ndajnë dhe legalizojnë pronat e grabitura. Qeveria e vjetme kish caktuar dy milion dollarë për kompensimin e të vjedhurve. Qeveria e sivjetme cakton për vitin që vjen dy milion të tjerë. Është edhe këtu një rast tipik se sa të ngjashme në taktika e mendësi janë qeveritë me ngjyrime kundërshtare. Por mali i kompensimeve është i madh dhe, sipas vetë specialistëve të qeverisë, do t’i duhen dyzeteshtatë vjet të shlyejë kompensimin! Pronarët e grabitur thonë se vitet nuk dalin as njëqindedyzeteshtatë, por sado që të zgjatë ajo shlyerje, shihet se po luhet me kohën e koha punon për fitoren përfundimtare të shtabeve të grabitjes. Dekadat janë në aleancë me ta. Vdekjet janë në aleancë me ta. Vdesin ata si babai i mikut që tregova, që i duan pronat më shumë; vdesin ata si unë, që shfaqen në shtyp herë të zemëruar dhe herë ironikë; vdesin ata që dikur i patën parë arat me sy, i patën shkelur me këmbë e shkriftuar plisat me gishta: vdesin ata që kishin parë se si i paguheshin napolonat flori pronarit, nga i cili ishin blerë. Pastaj vdekja shuan shtabet bolshevike që bënë shtetëzimet e grabitjet e para. Ja, më thanë se zv/Kryeministri Ilir Rusmajli paskësh thënë se “Ohu! Pronarët t’ia kërkojnë pronat regjimit komunist dhe Enverit, që ua ka marrë dhe jo PD-së!”.E Rusmajli, me të drejtën e tij, fërkon duart se vdekja aleate i ka hequr qafe Enverin me kohë dhe të tjerë vazhdojnë dhe vdesin. Vdesin ca nga ca antarët e Byrosë Politike, vdesin të burgosurit, vdesin hetuesit. Vdekja, si terapi paqtimi, qetëson ujrat, fton prehje për shpirtrat e trazuara, shuan qëndresat dhe, nga vatra e këtij zjarri, pritet të ngrihen e shkundin hirin nipër, që nuk e dinë se në mes të shekullit që shkoi janë grabitur. Do të ngrihen nipër të tjerë fytyrë dlirë, që mund të mos e dinë aspak, që të parët e tyre që u kanë lënë tërë këtë kamje, e paskëshin të grabitur. E të dy palët e fëmijëve do të jetojnë në paqe, të pajtuar me fatet e veta që u vendosën më parë në 1945 dhe më pas në 2005!

Por zv/Kryeministri Rusmajli, që nuk është aspak figurant në shtabin e grabitjes së pronave, duhet të njohë tërë praktikën juridike ndërkombëtare e cila ka literaturë të bollshme mbi praktikën në vendet e lindjes, ku nuk thuhen asnjëherë fjalët që mori guximin e tha ai. “a -Shteti” – thotë Kritz Neil J. në librin e tij ‘Dilemat e drejtësisë tranzicionale’ (1995), fq. XXXVII – “është i detyruar t’u japë kompensim të dëmtuarve nga shkelja e të drejtave njerëzore bërë prej qeverisë, dhe b – detyrimet për këtë kompensim i shlyejnë qeveritë pasardhëse” Për të qortuar  shfryrjen e zv/Kryeministrit, kundër Enver Hoxhës dhe regjimit komunist, që ia paskan lënë Rusmajlit në derë, gjenden dhe të tjerë:  “Reparacionet janë përcaktuar, si një kurim për atë që është bërë keq, në dobi të viktimës që e ka pësuar, por pa as më të voglën nevojë që të jetë i njëjti: keqbërësi dhe ai që paguan –  dhe as i njëjti: viktima dhe ai që përfiton reparacionin”. [Posner, Eric A. dhe Adrian Vermule “Reparacionet për skllavërinë dhe për padrejtësi të tjera historike, “ 103 Columbia Law review 689 (2003)].  Ndryshe nga këta, zoti Rusmajli, thotë një budallallëk tepër të mprehtë, pasi ai nuk di të dallojë, në se më pranë regjimit komunist, kanë qënë pronarët e grabitur, apo ka qenë PD-ja?! Në se e ka të vështirë këtë metaforë, le ta konkretizojë më mirë akoma duke e vrarë ca mendjen: më pranë Enverit, kanë qenë, Kullat apo Rusmajlat!

Rusmajlit dhe shtabit të plaçkitjes, askush nuk po i kërkon të rikthehen të vrarët e të humburit, fëmijët që nuk u lindën dot nga martesat që nuk u bënë dot, për shkak të luftës së klasave. Shtabit i kërkohen terrene që ekzistojnë qysh kur është ftohur rruzulli, i kërkohen ndërtesa që kanë mbetur ende më këmbë dhe vazhdojnë të lëshojnë hije, sapo del dielli.

Momenti është i rëndësishëm. Vendimet që do merren janë me peshë. Zgjidhjet në dëm të pronarëve legjitimë e kanë turpin e rëndë dhe pasojat, me siguri, tepër të mëdha!…

“Panorama”, 3 dhjetor – “Shekulli”, 5 dhjetor – “Illyria”, 7 dhjetor 2005

Përmbledhur në vëllimin “Luftë pa Fund” fq 399 Botimet UET 2013

 /tesheshi.com/

 

 

 

Related posts