Nga Owen JONES*: Pse nuk duhet falur e harruar fushata raciste kundër Sadiq Khan

Zac Goldsmith humbi, reputacioni i tij u shkatërrua, një shëmtim politik që hyri në histori. Ai kishte një zgjedhje. Ai mund të kishte kapitalizuar reputacionin e tij si një mendje e lexuar, konservator  miqësor me mjedisin, duke tejkaluar ndasitë mes palëve, e duke e dashur një qytet që me shpejtësi po shndërrohet në një bastion të laburistëve. Sondazhet fillestare treguan se ai kishte një mundësi, madje një avantazh domethënës. Drejtuesit e konservatorëve sugjeruan gabim se Sadiq Khan ishte i pazgjedhshëm.

 

Por në vend të kësaj, Goldsmith zhvilloi një fushatë të mbushur me racizëm, në një nga qytetet me diversitetin më të madh etnik mbi tokë, duke u munduar turpshëm të shfrytëzojë paragjykimet kundër muslimanëve në përpjekjen e tij për të siguruar një fitore po aq të turpshme. Khan ishte një kandidat që “legjitimon në vijimësi ata me pikëpamje ekstremiste”,  shkroi ai në gazetën Mail. Londrës iu ofrua një fushatë shpifjesh, frikësimi dhe fanatizmi. Dhe Londra pa dyshim i tregoi atij se ku duhej të shkonte.

 

Khan është një mulsiman progresist që ka marrë kërcënime me vdekje për shkak se votoi disa ligje sikundër edhe kolegë parlamentarë të Goldsmith. Duke u përpjekur të lidhë Khan me ekstremizmin islamik, fondamentalizmin dhe terrorizmin, fushata e Goldsmith shkon krah për krah në histori me fushatën raciste të konservatorëvenë Smethëick gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 1964 si dhe me fushatën homofobike të liberalëve në Bermondsey në vitin 1983. Por, me gjithë respektin, këto dy raste ishin zgjedhje më të parëndësishme.

 

Londra është një nga qytetet me më shumë ndikim në tokë. Nëse fushata e ndërtuar mbi shfrytëzimin e urrejtjes kundër muslimanëve do të kishte fituar, pasojat do të ndiheshin në të gjithë botën perëndimore. A do të ishin në gjendje londinezët të shihnin në sy bashkëqytetarët e tyre? Mendimet e njerëzve në privatësinë e dhomës së votimit, ndërsa lapsi kontrollonte emrat në fletën e votimit, kur në mendje u vinin “ekstremizmi” dhe “terrorizmi” apo “Muslimanët” dhe më pas refuzimi i një njeriu për shkak të besimit të tij. Imazhi i Londrës për përfshirjen dhe diversitetin do të ishte thyer copash, ndoshta për një brez të tërë.

 

Pas një fitoreje përcaktuese elektorale, ka gjithnjë tendencë për të nderuar humbësin. Fitimtari shtrëngon dorën me humbësin, gjithçka falet: ajo që u tha mes pasionit të garës i takon së kaluarës. Duartrokitje të ndjera i ofrohen humbësit.

 

Jo këtë radhë. Një kandidat që shfrytëzoi dhe nxiti paragjykimet dhe urrejtjen. Ai minoi kohezionin e komunitetit. Ai u tha të rinjve muslimanë se është e kotë të angazhohen në procesin politik, pasi edhe muslimanët më progresistë do të trajtohen si njerëz që ndihmojnë e nxisin ekstremizmin. Duke bërë këtë, Zac Goldsmith u shndërrua në rekrut të ekstremistëve me njollën e të cilëve u përpoq të ndyente Khan.

Nuk ka falje, nuk ka harrim. Kudo që Goldsmith shkon tani, ai duhet të përballet me protesta, të konsiderohet si person non grata mes elitës politike. Kur politikanët akuzohen se “po bëjnë një Zac”, ata mund të përfundojnë në fund për shkak të gravitetit të baltës.

 

Ky nuk është sadizëm. Nëse Goldsmith nuk i vuan këto pasoja, politikanët mund të vijojnë të ndërmarrin fushata frike e ndotjeje edhe shumë herë të tjera.

*Owen Jones është columnist britanik, komentator dhe aktivist politik i perspektivës social-demokrate. Ai është kolumnist për “The Guardian” ku është botuar edhe artikulli më sipër, si dhe për “New Statesman”, si dhe ka kontribuar për gazetën “The Independent”.

Përktheu: Juli Prifti – /tesheshi.com/