Nga Olimpiakosi në futbollin anglez: një grek blen klubin e njohur

“Notingam Foresti është një nga klubet më të vjetëra të Anglisë. Ne duam ta përsërisim me Notingam Forestin atë që kemi arritur me Olimpiakosin në futbollin kombëtar dhe europian.”

Eshtë ky premtimi i i blerësit të klubit të njohur anglez, i cili është njëkohësisht dhe pronari i Olimpiakosit, ekipit që e dominon prej vitesh futbollin grek.

Një magnat me emër, Evangelos Marinakis, e ka blerë Notingam Forestin me synimin për ta kthyer në ditët e tij më të mira, edhe pse për momentin gjendet në pozita të mjerueshme në Championship.

Për blerjen është dhënë miratimi nga Liga Angleze e Futbollit, sido që Evangelos Marinakis përballet në vendin e tij me akuzat për manipulim rezultatesh e për përfshirje në një organizatë kriminale.

Marinakis i ka hedhur poshtë akuzat në një intervistë për BBC-në, duke i quajtur ato sajime të njerëzve xhelozë për sukseset e tij me Olimpiakosin.

Olimpiakosi fitoi këtë sezon trofeun e 44-t të kampionatit grek, me një dominim të plotë që nga sezoni 1996-1997, të ndërprerë aty-këtu nga Panathinaikosi.

Në kontrast me këtë, Notingam Foresti e përfundoi sezonin në vend të 21-të në Championship-in anglez. /tesheshi.com/