728 x 90 Leaderboard

Nga Namir LAPARDHAJA: Pas 11 shtatorit 2001 asgjë nuk është më si më parë!

Pamjet rrëqethese të sulmit mbi Kullat Binjake më 11 shtator 2001 i ndoqa nga xhamia e Sahatit në Berat. Për një adoleshent, të mësuar me idenë se myslimanët mund të jenë objekte, por jo subjekte që mund të sulmojnë, është, pothuajse, e paperceptueshme ideja se ishin pikërisht myslimanë shkaktarët e asaj maskare njerëzore.

Si mund të shkaktonin pjesëtarët e një besimi atë plojë, ndërkohë që na kishin mësuar në shkollë se në Librin e Shenjtë thuhej se “ai që vret një person, ka vrarë të gjithë njerëzimin”; po ashtu, edhe e kundërta: ai që bëhet shkaktar për shpëtimin e një jete, është njëlloj sikur të ketë shpëtuar jetën e të gjithë njerëzve. Dhe mbi të gjitha, përse?!

Pavarësisht se masmedia në vitin e largët 2001 nuk ishte në kushtet e sotme, teknologjisë dhe botës së inovacionit i mungonin facebook-u dhe rrjetet e tjera sociale, ekrani i televizorit në atë dhomë të vogël në një cep të xhamisë, ku ishim mbledhur për të parë se ç’po ndodhte atje larg, na e përcolli live dhe në kohë rekord shembjen e kullave gjigante, të cilat do të zinin brenda bash 3 mijë njerëz, mes të cilëve përkatësi të ndryshme nacionale dhe religjoze. Momenti i parë është mbajtja e frymës! A mos kemi të bëjmë me një konspiracion botëror?!

Lajmet janë të rrufeshme dhe të menjëhershme. Muhamed Ata, një nënshtetas egjiptian, është shkaktari i hatasë dhe koka e sulmit, ndërsa pas gjithë kësaj masakre fshihet organizata terroriste Al-Kaida, e cila drejtohet nga një ish-mik i dikurshëm i SHBA-ve dhe i regjimit Saudit, Osama bin Laden, një veteran i luftës kundër Bashkimit Sovjetik. Emri ishte fort i njohur në atë kohë, duke qenë se pak vite më parë, në Kenia dhe Tanzani, kishte qenë e njëjta organizatë që kishte sulmuar interesat e SHBA-ve në këto dhe vende të tjera. Çudia shtohej edhe më tej, kur shihje se në vendin e tragjedisë jetonte i lirshëm, një i egjiptian i dyshuar për terrorizëm, Omar Abdurrahman, grupi i të cilit, po ashtu, i kishte pasur Kullat Binjake objekt sulmi në vitin e largët 1993.

Ndërkohë që informacionet zyrtare të lëshuara nga Departamenti i Shtetit dhe Pentagoni zbulojnë të gjithë skemën e sulmit, nuk mungojnë teoritë e konspiracionit, aq të dashura dhe të pëlqyera për natyrën njerëzore. Televizionet italiane janë në garë me ato amerikane për të çmitizuar mitin e terrorizmit islamik dhe për të hapur shtigje të tjera interpretimi. Ajo që ndodhi pas 11 shtatorit, e parë nga sot, është e qartë. Në fillim Afganistani, pastaj Iraku etj., duket se janë objektivat e parë të hakmarrjes së politikës zyrtare amerikane. Për të mos folur për efektin domino që ndodhi vite me pas në të gjithë Lindjen e Mesme dhe që vijon edhe sot e kësaj dite, ku Al-Kaeda ia ka lënë vendin ISIS-it, ndërsa Bin Laden duket mjaft amator përpara propagandës dhe teknologjisë moderne të Abu Bekër al Bagdatit.

Sulmet terroriste nuk përfunduan. Ndërkohë që SHBA dhe aleatët perëndimor godisnin objektivat terroriste, kundërpërgjigjet ishin të menjëhershme, ku epiqendra ishte Evropa dhe vende si Britania e Madhe, Spanja, Franca etj. Ebu Hamza, një ish-muxhahidinë i luftës së Bosnjës, jo vetëm që jetonte i lirë në Londër dhe bënte thirrje për ekstremizëm, por ai gëzonte status të veçantë nga shteti britanik: shtëpi, makinë, shoqërues dhe mundësi predikimi. Në të gjthë këtë situatë dhe panoramë, pyetja që shtrohet është kush fshihet pas sulmeve terroriste dhe cili është frymëzues i tyre?! Sigurisht që përgjigjet janë nga më të ndryshmet, mirëpo ato asnjëherë nuk mund të jenë përfundimtare dhe shteruese.

Duke parë se çfarë ndodhi pas sulmeve të 11 shtatorit, e kupton mjaft mirë se më lehtë është për t’u besuar se gjithçka ishte e planifikuar në mënyrë perfekte për të ndodhur ato që ndodhën, mirëpo pse-ja ngelet një çekan permanent që rreh në kokën e gjithsecilit që kërkon një përgjigje. Nga ana tjetër, të besosh tek konsiracioni botëror, dhe të mos marrësh në konsideratë elementet fetare, që kanë qenë prezentë prej kohës së hershme të zhvillimit të islamit pas Profetit Muhamed, do të thotë që nuk i shërben zbardhjes dhe zbulimit të përgjigjeve të së vërtetës.

Terrorizmi dhe ekstremizmi është një realitet që nuk mund të fshihet pas gishtit. Pavarësisht luftrave dhe vatrave të konfliktit, një gjë është e sigurt: ai nuk mund të luftohet me forcën e armëve dhe bombave mbi civilët e pafajshëm. Ai mund të luftohet vetëm nga brenda bashkësisë së myslimanëve në Evropë dhe në botë. Evropa ngelet një target i përhershëm i elementeve ekstremistë. E kaluara e saj, historia dhe konfliktet nacionale, në dukje të tejkaluara, mund ta shndërrojnë atë në objektiv të elementeve ektremistë në çdo moment.

Zgjidhja ngelet tek edukimi dhe ndërtimi i urave të komunikimit dhe të bashkëpunimit. Ndarja dhe getoizimi vetëm se do të prodhojnë ektremizmave të llojeve të ndryshme, që padyshim do të fshihen pas petkut fetar. Pavarësisht se Muhamed Ata para sulmeve terroriste është dokumentuar se bënte jetë të shthurur dhe në kundërshti me mësimet e besimit islam, terroristët që kryejnë sulme herë pas herë në Francë e gjetkë jetojnë nën avujt e hashashit dhe të drogave të tjera dhe pa kurrfarë lidhjeje me mësimet fetare, sërish epitetit islamik ngelet sa herë që flitet për këtë lloj terrorizmi.

Gjithsesi, pas 11 shtatorit 2011 asgjë nuk është më si më parë. As për myslimanët, as për të krishterët, as për të pafetë. Bota duket se është në kaos të vazhdueshëm dhe nën kërcënimin e frikës. Të gjithë jetojnë nën ankthin e një gogoli që është prezent, por nuk duket dhe mund të godasë nga momenti në moment. /tesheshi.com/

Related posts