Nga Nada DOSTI: Si e përjetoj një “hot take”

Një “hot take” është një replikë e atypëratyshme ndaj një ngjarjeje të caktuar, debati politik apo çështjeje të momentit. Mund të jetë një koment i shkurtër, një analizë e thjeshtë dhe e shpejtë apo një artikull disa orë pas ngjarjes apo ditët e para të pas ngjarjes.

Artikulli im i parë ka qenë i tillë, e për të cilin dhe kam marrë shumë kritika dhe vërejtje deri në ofendime. Shumë të tjerë do të ishin demoralizuar, dhe njoh shumë të tillë që kanë hequr dorë nga publikimi artikujve, vetëm e vetëm sepse nuk ia kanë qëlluar ose i kanë sulmuar shumë rëndë dhe nuk e marrin guximin të shkruajnë më. Mirëpo, qëllimi i replikave të shpejta nuk është që t’ia qëllojë, as të krijojë një panoramë reale të ngjarjes aq më tepër akoma të bëjë një analizë objektive të ngjarjes. Përkundrazi, për këtë ekzistojnë kolumnet, opinionet dhe editorialet (apo dhe shumë forma të tjera artikujsh gazetaresk). Madje mungesa e objektivizmit e përshkruan më së shumti këtë lloj artikulli apo shkrimi, quajeni si të doni. Mirëpo për dikë që gazetarinë e ka pasion dhe dëshiron ta përdorë atë për të mirën e komunitetit, me shpresën për përmisim drejt profesionalizmit, kritikat nuk duhet të kenë ndonjë peshë të madhe.

Profesionalizmi, në këto raste konsiderohet i barazvlefshëm me objektivizmin, por nuk është e thënë. Nëse dikush dëshiron të krijojë një impakt, të ngrejë zërin për diçka që e shqetëson, të ankohet për diçka që nuk e sheh të drejtë, të nxisë për nisma pozitive dhe të ngjashme si këto, nuk duhet medoemos të jetë objektiv, sepse në fund të fundit një opinion personal mbetet dhe s’ka si të jetë ndryshe.

Kush merret me shkrime të tilla besoj se e ka të qartë që në fillim se e gjithë ngjarja ende nuk është sqaruar mirë dhe është pa vend të akuzohet me : “Përse nxitohesh, prit sa të sqarohet situata.” Ndonjëherë mund të ndodhë që të dalin jashtë kontekstit, por sërish dhe kjo nuk mund të konsiderohet një gabim fatal, sepse në fund të fundit, ai shkrimi, ai artikulli i nxehtë krijon pikërisht një copëz të kontekstit, që mund të jetë i vlefshëm për kohë më pas, deri tek pasardhësit tanë të cilët duke iu rikthyer ngjarjes do të analizojnë dhe terrenin në të cilin është zhvilluar debati, përfshi këtu dhe replikat e çastit. Këto lloj shkrimesh kanë vlerën e tyre sepse shërbejnë si një pasuri emocionale dhe intelektuale për ngjarjen që mbulojnë. Ato shkruhen aq shpejt saqë përshtypja e parë i formëson ato dhe ato formësohen pikërisht nga kjo lloj përshtypje. Në një të ardhme do të na shërbejnë të analizojmë proçesin e debatit se si ka evoluar se sa në fakt një mendim i esëllt i situatës.

Personalisht më pëlqen të lexoj replika të tilla, madje janë zhanri im i preferuar për të lexuar online; në disa raste edhe i koleksionoj kur bëhet fjalë për një temë që më intereson. Më pëlqejnë mbi të gjitha sepse krijojnë një lidhje të veçantë mes lexuesit dhe shkruesit; kur ajo që lexon është pikërisht ajo që t’i vetë ke pasur në mendje dhe çdo opinion i hedhur aty të duket sikur të të kishin lexuar mendjen, e kjo në rastin më pozitiv. Në të kundërt, të bën të të vlojë gjaku dhe të duash t’ia ktheshë replikën “me të njëjtën monedhë”. Por përsëri mbetet një lloj shkrimi i veçantë që nxit reagim dhe shkakton impakt.

Për ata që nuk merren me këtë punë, janë disa komente të thjeshta që mundësojnë rrjedhshmërinë e informacionit. Por në fakt është shumë e vështirë të përpilohen në kohë reale sepse kërkojnë një multitasking: të qëndrosh i përditësuar me ngjarjet në kohë reale, të luftosh mes objektivizmit dhe ndjenjave personale, dhe në të njejtën kohë edhe të shkruash, qoftë dhe gjatë natës, që në mëngjes të dalë e freskët e servirur për audiencën.

Kush dëshiron të merret me të tilla shkrime duhet më parë të sigurohet që për çdo gjë që shkruan, me shumë mundësi, nuk do të pendohet në një të ardhme. Por nga ana tjetër kjo nuk duhet ta bllokojë nga shprehja e mendimit sepse në fund të fundit jemi individë që përfaqësojmë veten. Ndërsa në raste kur këto lloj shkrimesh publikohen nga persona me pozitë dhe autoritet, mund të shkaktojnë shumë polemika dhe të çojnë më shumë në dëm se sa në dobi. Edhe nëse nuk ja qëllojnë apo janë përpjekje të dështuara, mbi të gjitha mbeten shkrime të mira për mendimin tim, sepse tregojnë se për një çështje të caktuar dikush e ka marrë mundimin të ngrejë zërin. Është si puna e ixhtihadit/përpjekjes ku vlerësohet qëllimi dhe mundi, përkundër përfundimit. Nëse ia ka qëlluar, shumë mirë, nëse jo, prap mirë. Por shumë fshihen pas arsyetimit se “më mirë fol saktë dhe drejtë ose hesht fare” për të mbuluar frikën e tyre për t’u përballur me kritikën. Disa janë tepër profeksionistë, që ose duhet ta bëjnë siç duhet ose nuk e bëjnë hiç, dhe mbeten gjithë jetën të tillë; pra një hiç që nuk ka marr guximin të thotë asgjë.

Replikat e çastit janë fantastike kur janë të freskëta, ndërsa me kalimin e viteve mund të të lënë një shije të mirë ose të hidhur për rastin në fjalë, por megjithatë mbeten një kujtim. Më kujtohet dikur se si me “masterminded” e mija kalonim netë pa gjumë duke pritur e gjuajtur shkrimet tona për ndonjë situatë të nxehtë që na kishte lënduar si komunitet dhe ne si luftëtare trime do të zgjidhnim të gjitha hallet e komunitetit tonë. Replikat e çastit kanë dhe një të keqe: të damkosin përgjithmonë. Ende marr refuzime për publikime të artikujve të mij për arsye të një replike të tillë në fillimet e karrierës time këtu e para 10 vjetëve.

Të dhimbshme janë kritikat fyese, por nuk ka çmim frymëzimi që mund të kemi arritur duke nxitur që dhe të tjera si ne të merrnin guximin për të thënë atë që duhej thënë. Mesazhet falenderuese dhe nxitëse për atë që po bënim të mbushnin plot vetëbesim dhe përgjegjësi për t’u përmisuar.

Dhe kur më pyesin: “A nuk di të shkruash më objektivisht dhe me më pak sentimentalizma dhe emocione?” – u përgjigjem: “Ti, vetë, dëshiron të lexosh një opinion të sinqertë apo një analizë të mërzitshme të sforcuar kur në fund të fundit nuk kuptohet as çfarë qëndrimi mban autori dhe se ku dëshiron të dalë? Unë, vetë, preferoj të parat”. /tesheshi.com/

 

Related posts