728 x 90 Leaderboard

Nga Muhamed JASHARI: Lufta vetëmbrojtëse e betejës së Bedrit – Jus ad bellum Jus in Bello-

Dita e 17-të e muajit Ramazan ndryshe njihet si dita e Betejës së Bedrit. Ashtu sikurse tani edhe atë ditë ngjau në ditën e premte. Beteja e Bedrit ndodhi dy vite pas hixhretit, -pra pas emigrimit të profetit Muhamed në Medinë- ose rreth 12 vite pas shpalljes së Kuranit. Kur myslimanët u gjetën në situatë të shtrëngimit fizik, represionit, dhunës permanente, padrejtësive dhe detyrimit për tu shpërngulur, Zoti ia shpalli pejgamberit të tij dhe myslimanëve verdiktin si prelud për lejimin e luftës. “Atyre që po sulmohen me luftë, u është dhënë leje të luftojnë, për shkak se u është bërë padrejtësi,… (U lejuan të luftojnë) Ata, të cilët vetëm pse thanë: “All-llahu është Zoti ynë!” u dëbuan prej shtëpive të tyre pa kurrfarë të drejte. E sikur All-llahu të mos i zbrapste disa me disa të tjerë, do të rrënoheshin manastiret, kishat, havrat e edhe xhamitë që në to përmendet shumë emri i All-llahut…” 22; 39-40.

Deri para ardhjes së këtij ajeti edhe pse u shpallën versete të ndryshme kuranore në të cilën përmendet termi “xhihad”, prapseprap nocioni i luftës në kuptim të përleshjes fizike, organizmit dhe formacionit ushtarak, ishte nocion i panjohur për bashkësinë e parë myslimane. Ky verset konsiderohet referenca më e hershme kuranore në lidhje me çështjen e luftës si e tillë. U shpall pikërisht në momentet kur profeti Muhamed bashkërisht me shokun e tij kishin marrë rrugën e emigrimit. Fitorja eventuale në Bedër myslimanëve ua garantonte vazhdimin e jetës sociale, politike dhe ekonomike, në “Medinepolis”.

Ndonëse jo i madh dhe i dobët, Polisi i Medines ishte aktorë në Gadishullin Arabik të shek. VII-të. Banorët e saj, krahas Kuranit, kishin hartuar edhe legjislaturën civile që rregullonte raportet mes tyre. Shkaqet e betejës ishin të natyrave të ndryshme.

Idhujtarët e Mekës pasi që i kishin detyruar myslimanët të largohen nga Meka, ua kishin marrë pasurinë dhe konfiskuar tokat, ata vazhdimisht i kërcënonin edhe në Medinë. Në vitin e 2-të të hixhretit, myslimanët mësuan se një karvan i idhujtarëve të Mekës që vinte nga Damasku, do të kalonte rreth Medines, andaj sulmi ndaj këtij karvani nënkuptonte dobësim ekonomik të klasës sunduese mekase. Gjatë kësaj periudhe të gjendjes së luftës, myslimanët po jetonin nën kërcënimin të vazhdueshëm të një agresioni e invazioni të mundshëm mekas kundrejt Medinës.

Një muaj para se të filloj beteja e Bedrit, Zoti shpalli 3 versete kuranore të kaptinës Bekare, në të cilën myslimanët duhej që të fillonin luftën, por vetëm kundër atyre që po luftohen, pra kundër agresorit. (2:190-193). Shpallja e këtyre ajeteve u bë kornizë juridike për myslimanët e parë, për të filluar luftën dhe me këtë hapej një epokë e re në historinë e zhvillimit të Islamit.

Çdonjëri aktorë sot, që do të ballafaqohej me një situatë të ngjashme sikurse myslimanët e Medinës para fillimit të betejës së Bedrit, duke u nis mbi kreun e VII-të kartës së OKB-së, përkatësisht nenit 51 të saj, do t’i mundësohej hyrja në luftë për shkaqe vetëmbrojtëse.  Në të thuhet se, “Në rast të një sulmi të armatosur kundër një anëtari.. kjo Kartë nuk bie absolutisht ndesh me të drejtën natyrore të vetëmbrojtjes individuale apo kolektive”. (neni 51).

Në Marëdhëniet aktuale Ndërkombëtare përdorimi i forcës ushtarake është i ndaluar, me përjashtim në rast të vetëmbrojtjes, -Jus ad Bellum- pra pikërisht ashtu siç kërkojnë dispozitat islame mbi çështjen e xhihadit ushtarak dhe luftës të precizuara në kaptinën Bekare.

Gjatë betejës së Bedrit -por edhe pas saj- profeti Muhamed i urdhëroi myslimanët që të kenë kujdes ndaj atyre që nuk kanë armë, civilëve, të moshuarve, dhe robërve të luftës. Përndryshe ai iu përmbajt po atyre rregullave dhe normave të asaj që sot e drejta ndërkombëtare humanitare i quan Jus in Bello, pra e drejta në luftë.

Nëse sot komuniteti ndërkombëtar do të kishte themeluar një Komision Ndërkombëtar për betejën e Bedrit, me kuptim të plotë të fjalës do të konstatonte se në Bedër myslimanët respektuan të drejtën ndërkombëtare publike -të drejtën humanitare ndërkombëtare, kartën OKB-së, të drejtën për të filluar luftën, të drejtën në luftë, Konventat e Hagës të vitit 1899 dhe më pas të vitit 1907 (nenet e Anekseve që flasin për trajtimin  e burgosurve të luftës); dhe Konventat e Gjenevës së 1949.

Fitorja në Bedër padyshim se nxori Islamin në skenën e historisë. Myslimanët nga një komunitet që u rrezikoj qenia u shndërruan në aktorë aktiv që vendosën paqen rendin dhe drejtësinë. Fitoret e ardhshme të myslimanëve në shekujt që do të pasonin pas kësaj ngjarje, themelin e kishin mu në Bedër. /tesheshi.com/

 

 

Related posts