Nga Milazim KRASNIQI: Nga mendësia morbite e dhunës serbe nuk jemi çliruar ende

Arshi Pipa, në poezinë “Kosovës”, farkon sintagmën vulën e dhunës, të cilën shqiptarit të Kosovës ia ka shkaktuar mbi vetulla kamxhiku sllav, duke fiksuar kështu edhe pamjen fizike të shëmtuar nga sunduesi.“Sot tjetërkush ta gzon frutin e punës/Mbi tokën tande, Kosovë, je skllav/Ta shof përgjakun, heu, vulën e dhunës/ Qi t’la mbi vetulla kamxhiku sllav” E gjithë kjo poezi e Pipës vërtet është antologjike dhe do të duhej të futej në librat shkollorë si një vlerë artistike e papërsëritshme, por sintagmat “vula e dhunës” dhe “kamxhiku sllav”, përtej transponimit artistiktë realitetit dhe përjetimit estetik të veprës artistike, na japin koordinatat e shkakut dhe të pasojës së gjendjes së njeriut shqiptar në Kosovë.“Vula e dhunës” është pasoja që ka mbetur e gravuar në fytyrën e njeriut shqiptar të Kosovës nga “kamxhiku sllav”,që është shkaku i vuajtjes dhe gjymtimit të tij. Këto dy sintagma janë të përshtatshme për ta kuptuar historinë e dhunës mbi shqiptarët nga sundimi sllav dhe pasojat që ka lënë ai sundim njëshekullor në shoqërinë e Kosovës dhe në shtetin e ri. Dhuna ka qenë konstantia e jetës së njeriut shqiptar në Kosovë që nga viti 1912 e deri në vitin 1999, me oscilime të ndryshme, brenda të cilave disa herë janë lançuar projekte për zhdukjen e plotëfizike të tij, ndërsa dy herë është provuar edhe krimi i gjenocidit.

Kosova si viktimë e krimeve të gjenocidit përgjatë një shekulli

Herën e parë gjenocidi kundër shqiptarëve në Kosovë është zbatuar kur ajo ra nën pushtimin serb, në kasaphanën që prodhoi komploti ballkanik dhe rus i vitit 1912, i emërtuar si Lufta e Parë Ballkanike. Ajo nuk ishte luftë ballkanike, sepse katër shtetet ballkanike (Serbia, Greqia, Bullgaria e Mali i Zi) kishin një aleancë ushtarake të detajuar për të copëtuar tokat shqiptare, gjoja nën pretekstin e dëbimit të Perandorisë Osmane nga Ballkani. Pra, në të ashtuquajturën Lufta e Parë Ballkanike, shtetet ballkanike ishin bashkë në një komplot antishqiptar të paketuar si antiosman. Komploti antishqiptar e antiosman i shteteve ballkanike vetëm në vitin 1913 u shndërrua në luftë ballkanike, pasi shtetet komplotiste nuk iu përmbajtën marrëveshjes për copëtimin e tokave shqiptare. Ky përcaktim i saktë është shumë i rëndësishëm, për dy arsye: e para, ngase këtu e ka farën armiqësia ndërmjet shqiptarëve e serbëve për Kosovën, lufta e të cilëve ende nuk ka përfunduar; dhe e dyta, ngase krimi i gjenocidit, meqë atëherëmbeti i pandëshkuar, u përsërit në vitin 1998-1999. Studiuesi amerikan, Justin Mçarthy, në studimin e tij “Vdekje dhe dëbim-Spastrimi etnik i myslimanëve osmanë, 1821-1922”, duke folur për numrin tepër të madh të viktimave muslimane në Perandorinë Osmane, sjell edhe këtë dëshmi për shqiptarët: “Konsujt britanikë dhe të vendeve të tjera, shpesh kanë raportuar me saktësi atë që iu është bërë shqiptarëve, ndonëse politikanët nuk lejuan që publiku i vendeve të tyre të shikonte raportet e konsujve. Për shembull, diplomatët mbajtën shënim se menjëherë mbasi Mali i Zi mori trojet shqiptare të veriut, në vitin 1878, të gjithë shqiptarët e territoreve të pushtuara ose u vranë, ose dëbuan me dhunë. Të dhënat e luftërave ballkanike tregojnë se në Ballkanin Qendror dhe Perëndimor 27% e myslimanëve kanë vdekur dhe 35% e tyre kanë marrë arratinë. Shqiptarët pësuan një vdekshmëri që ishte, të paktën, po aq e madhe.”(f. 16) Prej kësaj dëshmie del rezultati se 62% e shqiptarëve ose janë vrarë, ose e kanë braktisur vendin e vet. Pra, vrasja dhe dëbimi i 62 për qind të shqiptarëve jo vetëm që nuk është shpallur gjenocid, po në fakt është fshehur dhe është shpërblyer nga Fuqitë e Mëdha të atëhershme evropiane. Faktikisht, ky është gjenocidi më i madh në përqindje i një populli të vrarë e të dëbuar në truallin e Evropës, por që qëllimisht është fshehur! Meqë gjenocidi i vitit 1912 Serbisë i është shpërblyer, ajo e ka përsëritur atë në vitet 1998-1999. Edhe në gjenocidin e dytë u tentua e ashtuquajtura “zgjidhje përfundimtare”, me dëbimin e gjysmës së shqiptarëve nga Kosova, me vrasjen e mijëra civilëve dhe me realizimin e taktikës së “tokës së djegur”, për të cilën pati folur edhe ish-sekretari i OKB-së, Kofi Anan. Kosova as kësaj here nuk ka ngritur (ende) padi as për gjenocidin e viteve 1998-1999, ndonëse ai mund të faktohet lehtësisht.

Po qe se e evokojmë me këtë rast përcaktimin e OKB-së mbi gjenocidin (1948), na rezulton saktësisht se në Kosovë Serbia ka kryer gjenocid në të dyja rastet, më 1912 dhe më 19998-1999. Në artikullin 2 të Konventës së OKB-së për gjenocidin, thuhet:

“Sipas kësaj Konvente, me gjenocid nënkuptohet cilido nga aktet e përmendura më poshtë, të kryera me qëllim të shkatërrimit, në tërësi ose pjesërisht, të ndonjë grupi nacional, etnik, racor ose religjioz, e ato janë:

  1. a) Vrasje e anëtarëve të grupit;
  2. b) Shkaktim i dëmeve serioze trupore ose mendore ndaj anëtarëve të grupit;
  3. c) Imponim i qëllimshëm i kushteve të jetës mbi grupin, të kalkuluara për të shkaktuar shkatërrimin e tij fizik në tërësi ose pjesërisht;
  4. d) Imponim i masave me qëllim të pengimit të lindjeve brenda grupit;
  5. e) Transferim me forcë i fëmijëve të grupit në një grup tjetër.”

Të katër format e krimit të gjenocidit janë të faktueshme në rastin tonë, për të cilat ka dëshmi të shumta. Madje jo vetëm për gjenocidin e vitit 1998-1999, por edhe për atë tëvitit 1912. Për shembull, gazetari amerikan i gazetës “The Neë York Times”, Pikthtall, duke qenë dëshmitar okular i marshimit të armatës së kral Petrit në tetor 1912, ka shkruar: “Masakrat që kryen serbët në Kosovë, nën Kryqin’ e Krishterë, kapërcejnë çdo instinkt gjakpirësie.” Ndërsa konsulli austro-hungarez në Shkup raportonte se me të hyrë në Prishtinë, më 22 tetor 1912, forcat ushtarake serbe kishin ekzekutuar 5000 shqiptarë. Dëshmi të tjera thonë që me të hyrë në Prizren, armata serbe ka vrarë 5000 shqiptarë dhe gjaku ka rrjedhur si përrua lagjeve të qytetit.[1] Edhe ushtari i mobilizuar dhe gazetari socialist serb, Dimitrije Tucoviqi, ka lënë dëshmi tronditëse për krimet e armatës serbe në Kosovë e veçmas në krahinën e Lumës, ku sipas dëshmisë së tij, armata serbe i shënonte fshatrat me gëlqere, se gjoja aty kishte rënë murtaja, pastaj atje hynin ushtarët nëpër shtëpi dhe i digjnin njerëzit të gjallë. Në një artikull Tucoviqi dëshmon: “Për dy orë fshati u zhduk me skena që është vështirë të përshkruhen. Të shtënat i rrëzonin gratë që i mbanin foshnjat në gjinj, skaj nënave të vdekura qanin fëmijët e tyre të vegjël që rastësisht kishin shpëtuar nga plumbat: trupat e malësoreve të bukura, belholla si bredhat, përdridheshin si krimbat në fushë, gratë lindnin nga frika. Për dy orë u vranë 500 shpirtra.”Në një rast tjetër, Tucoviqi dëshmon se si ushtarët serbë i lidhnin civilët shqiptarë rreth sanave, pastaj ia futnin flakën sanës dhe ashtu i digjnin njerëzit e gjallë. Faktikisht këto kanë qenë mjete gjenocidi, sikundër që edhe qëllimi fillestar i komplotit ballkanik ka qenë gjenocidal: qëllimi ishte që nën pretekstin e luftës kundër Perandorisë Osmane, të zhdukej kombi shqiptar dhe tokat e tij të ndaheshin ndërmjet serbëve, bullgarëve, grekëve e malazezve. Pra, edhe qëllimi, edhe mjetet e përdorura kanë qenë tipike gjenocidale, edhe në komplotin ballkanik të vitit 1912. Ilustrim për ekzistencën e qëllimit të gjenocidit gjithsesi është edhe fakti se Serbia ka financuar dhe ka përdorur në terren edhe organizatat speciale terroriste, si “Këshilli Kryesor i Organizatës Çetnike”, të ideuar nga ministri i jashtëm Spallajkoviq, “Narodna Odbrana”(1908), të udhëhequr ngagjenerali Bozhidar Jankoviq dhe organizata tjetër terroriste, “Dora e Zezë’(1911), e cila udhëhiqej nga koloneli famëkeq, Dragutin Dimitrijeviq-Apisi.

Ndërmjet vitit 1912 e viteve 1998-1999, kur u përsërit krimi i gjenocidit serb kundër shqiptarëve në Kosovë, ka pasur edhe disa tentativa të dëbimit dhe të spastrimit etnik: Elaborati i Vaso Çubrilloviqit (1937), Programi i Çubrilloviqit përpakicat (1945), Elaborati i Stevan Moleviqit, Projekti i Drazha Mihajlloviqit (1941), Projekti i Ivo Andriqit, Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencae dhe të Arteve (1986.) Për shembull, në dokumentin “Instruksionet” të Drazha Mihajlloviqit, në kapitullin “Përdorimi i aradhave çetnike në Mal të Zi”, pika 2, lideri çetnik propozonte: “Forcat pjesërisht të veprojnë nëpër Çakorr në drejtim të Rrafshit të Dukagjinit, me detyrën që në këtë drejtim të spastrohet territori nga shqiptarët, si dhe t’u pritet rruga atyre që do të ndiqen nga Peshteri-Sanxhaku” Ndërsa në elaboratin “Problemi i pakicave kombëtare në Jugosllavinë e re” (1945), Çubrilloviqi propozonte: “Në qoftë se dëshirojmë të arrijmë qëllimin e ndërlidhjes së ndërsjellë të Malit të Zi, të Serbisë e të Maqedonisë, Kosova e Rrafshi i Dukagjinit duhet ta ndryshojnë me themel përbërjen etnike të tyre. Para së gjithash, duhet të spastrohet Rrafshi i Dukagjinit si krahinë kufitare, fqinje e Malit të Zi, e cila është e përshtatshme për kolonizimin e malazezve”. Ndërsa, gjenocidi i viteve 1998-1999 de facto është vërtetuar edhe në Gjykatën eHagës, ku u dënuan për krimet në Kosovë krerët e shtetit serb, ndonëse emërtimi gjenocid nuk iu vu krimeve të bëra, për shkaqe thjesht politike.

Kosova si çështje religjioze serbe dhe çështje nebuloze shqiptare

Kosova, si shtet që ende ka mbikëqyrje ushtarake (KFOR) dhe civile (EULEX dhe rezoluta 1244) ndërkombëtare, ka dalë prej kësaj historie të gjatë të dhunës dhe krimeve të gjenocidit. Edhe pse e ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt 2008 dhe është njohur nga njëqind e dhjetë shtete të botës, Kosova është direkt ende e kërcënuar nga Serbia, e cila nuk e njeh si shtet. Përkundrazi, në Kushtetutën e Serbisë Kosova mbahet në preambullë si pjesë përbërëse e shtetit serb. Po ashtu Kisha Ortodokse Serbe ngulmon që Kosova është Serbi dhe do të mbahet e tillë edhe me dhunë. Patriarku i KOS, Irinej, edhe në mesazhin e Krishtlindjeve të këtij viti ka thënë:“Kosova dhe Metohia janë Jerusalemi ynë, toka jonë e shenjtë.” Në një rast tjetër ka deklaruar se, siç është marrë me dhunë, Kosova do të kthehet nën Serbi me dhunë. Nga ana tjetër, për çdo vit, në të ashtuquajturën “Festë e Vidovdanit” (27qershor) grupe ekstremistësh serbë nga mbarë Serbia vijnë në Gazimestan, ulërasin sloganin “Kosova është Serbi”, përleshen me policinë dhe lënë mesazhe kërcënuese se do të kthehen e do të hakmerren. Slogani më tipik i Kishës Ortodokse Serbe është “Ovvetiti Kosovo”(të hakmerremi për Kosovën), që i referohet betejës që serbët ekanë humbur në ballafaqim me osmanët në vitin 1389. Pra ata planifikojnë hakmarrjen ndaj shqiptarëve, të cilët i njëjtësojnë me osmanët, ashtu siç kanë bërë edhe në Bosnje e Hercegovinë, veçmas në Srebrenicë. Pra, çështja e Kosovës, nga aspekti serb, nuk është vetëm çështje politike, ideologjike e nacionale, po më së shumti është çështje religjioze. Motivimi i dhunës më së shumti e ka burimin te përjetimi religjioz i çështjes së Kosovës nga shumica e serbëve të djeshëm e të sotëm, përjetim të cilin e përdorin për të arsyetuar dëbimin e shqiptarëve nga “toka e shenjtë serbe” dhe për vrasjen masive tëtyre, si gjoja pasardhës të vrasësve të shenjtit të Kishës serbe, car Llazarit. Fatkeqësisht, Kosova e sotme nuk ka ndonjë projekt me të cilin do ta amortizonte ose do ta rivalizonte projektin religjioz serb për Kosovën si “Jerusalem serb” dhe “tokë e shenjtë serbe.” Me përpjekjet që janë bërë nga historiografia dhe publicistika marksiste shqiptare, për t’i paraqitur shqiptarët si gjoja aleatë të Serbisë kundër osmanëve në Betejën e Kosovës të vitit 1389, vetëm sa i janë shtuar kreditet Serbisë për argumentimin e saj se ajo ishte dhe është lidere e Ballkanit dhe se Kosova në atë kohë ka qenë tokë serbe. Tentativa që t’i konkurrohet Serbisë për pronësi të shqiptarëve mbi atë betejë, është naivitet, sepse Serbia e ka pretenduar me shekuj pronësinë mbi atë betejë, duke e falsifikuar e duke e mitizuar në përmasa mitologjike ereligjioze. Mundësia tjetër e shqiptarëve,por që nuk po jep rezultate, është ndërtimi i një narracioni për Dardaninë antike dhe për prejardhjen dardane të shqiptarëve të saj. Por, mungesa e dokumentimit të gjuhës dhe e dëshmive të tjera të forta, këtë tentativë e mban pezull. Një mundësi tjetër është që të ndërtohet narracioni konkurrues shqiptar për Kosovën si tokë e triumfit të Islamit, qënë shekullin XIV, por shqiptarët nukkanë guximin që ta lancojnë këtë narracion, për shkak të rrethimit islamofobik ballkanik e gjithevropian. Ndërsa, tentimi që të mbahet rivaliteti me narracionin e serbëve, me vlerat e krishterimit latin, nuk ka potenciale, ngase vetëm rreth 5 për qind e shqiptarëve të Kosovës i përkasin këtij besimi. Pra, shqiptarët nuk kanë ndonjë narracionkonkurrues me serbët për të kaluarën e Kosovës. Kjo mungesë mund të shfaqet shumë kërcënuese në të ardhmen dhe të prodhojë dhunë të re. Pse? Ngase serbët, duke e trajtuar si çështje religjioze, vazhdimisht mund të mobilizojnë jo vetëm Kishën, po edhe një pjesë të madhe të kombit serb për luftë në Kosovë, ndërsa shqiptarëve do t’u mungojë një motivim më i fortë për ta mbrojtur Kosovën nga agresioni serb i radhës, veçmas nëse triumfon versioni që Kosovën e kanë një atdhe tranzitor, drejt një shteti tjetër, Shqipërisë së bashkuar. Pra, njëra nga dobësitë e shtetit të Kosovës është përjetim i tij si tranzitor prej shqiptarëve, ndërsa njëri nga adutet më të forta të serbëve është se e trajtojnë si atdhe biblik prej serbëve. Me kohë, qasja serbe dhe përjetimi religjioz i Kosovës prej tyre, mund të shndërrohet në përparësi të pakthyeshme dhe pastaj u mbetet vetëm të presin rastin për revansh, në kontekstin e ndonjë ndryshimi gjeopolitik të favorshëm për ta.Nga ana e tyre, strategët ushtarakë serbë ashtu thonë, pra presin fuqizimin e Rusisë dhe dobësimin e Amerikës, për ta zbatuar revanshin. Pra dhuna nuk është vetëm histori, por edhe plan veprimi për të ardhmen e shtetit serb, e elitave serbe, shoqërisë serbe, kombit serb dhe mbi të gjitha i Kishës serbe, si emblema e tyre.

A do të transformohen shqiptarët e Kosovës, apo do të mbeten peng i mendësisë serbe të dhunës

Ato plane ogurzeza të serbëve mund të parandaloheshin vetëm nëse do të ndodhte një transformimi vërtetë i shqiptarëve të Kosovës dhe një fuqizim konkret i shtetit të tyre. Transformimi i shqiptarëve të Kosovës! Tingëllon si oksimoron! Prej çkahi drejt çkahit, duhet të jetë ky transformim? Transformimi do të thotë shkëputje nga shumë sedimente e sentimente politike, kulturore e madje edhe antropologjike, më shumë se sa nga ato gjeopolitike, prandaj edhe janë më komplekse dhe më të vështira për t’i arritur. Në fakt, në aspektin gjeopolitik, ndërhyrja e NATO-se vitit 1999,me Marrëveshjen e Kumanovës dhe rezoluta 1244 e Këshillittë Sigurimit, bashkë me Planin e Ahtisarit, kanë krijuar një kontekst për shkëputjen e Kosovës nga trashëgimia serbe dhe transformimin e saj, gjë që është proklamuar me pavarësimin e Kosovës në vitin 2008. Por trashëgimia politike, kulturore e antropologjike me prejardhje sllave ende nuk ka filluar as të analizohet, jo më të sanohen pasojat e saj në shtetin e ri dhe në shoqërinë e re. Shpërthimi i dhunës dhe i hakmarrjes së shqiptarëve ndaj serbëve në vitin 2004, ka dhënë sinjalin e qartë se pasioni i dhunës dhe i hakmarrjes ndër shqiptarë është prezent dhe pret klimën e përshtatshme që të shpërthejë. Paraprakisht uzurpimet e shumta të shtëpive dhe të pronave serbe nga ana e shqiptarëve, pas vitit 1999, kanë provuar se edhe në mesin e shqiptarëve ka jo pak persona që nuk e kanë problem ta përdorin dhunën për të arritur qëllime pasurore e politike. Kjo prirje për dhunë në vitet e fundit është drejtuar ndaj vetë shqiptarëve, që nga sulmet fizike ndaj zyrtarëve shtetërorë, përdorimi i gazit lotsjellës në parlament, sulmi me zollë ndaj godinës së Kuvendit e deri te shkatërrimi i pronës private të kundërshtarëve politikë. Pra, elemente të dhunës ka jo pak brenda shoqërisë së sotme të shqiptarëve të Kosovës, që tërhiqet rrëshqanë, si trashëgimi politike, kulturore e antropologjike nga jetesa në sundimin serb. Kjo trashëgimi negative është duke e penguar transformimin. Meqë Kosova nuk ka pasur ndonjë traditë të jetës politike të pavarur, ajo trashëgiminë në këtë fushë e ka të huazuar. Paradoksalisht, huazimi më i dukshëm vjen nga vetë Serbia, okupatori i deridjeshëm i saj, i cili gjatë nëntëdhjetë vjetëve ka injektuar në mendësinë tonë politike e kulturore disa nga idetë dhe nga praktikat e ndjekura prej saj. Pra, është fjala për injektim të padukshëm e tinëzar të atyre ideve dhe praktikave e jo për një huazim të ndërgjegjshëm. Ku shihet kjo trashëgimi politike, e mbetur si një virus i fshehur në jetën politike të vendit tonë?

  1. E para, është përngjasimi me Serbinë në konceptimin e shtetit. Serbia që nga krijimi i saj si shtet e deri sot, gjithmonë është karakterizuar si “shtet i papërfunduar”. Kjo do të thotë se kufijtë që ka pasur e edhe ata që i ka sot nga serbët konsiderohen si të përkohshëm, pritet vetëm një moment i përshtatshëm që ata të ndryshojnë, duke krijuar ndonjë strukturë më të madhe shtetërore, ndonjë bashkim sipas sloganit “Të gjithë serbët në një shtet!”. Me këtë koncept politik, Serbia ka provokuar edhe Luftën e Parë Botërore, pas vrasjes së dukës Ferdinand në Sarajevë në vitin 1914. Me këtë koncept e filloi edhe Millosheviçi agresionin e Serbisë ndaj Kroacisë, duke piketuar kufirin e ri në linjën Karllovac-Virovitica-Karllobag. Ndërsa në Bosnjë e Hercegovinë Serbia synoi të merrte sa më shumë territore, gjë që rezultoi edhe me një marrëveshje të brishtë ndërmjet Millosheviçit e Tuxhmanit, me ç’rast gjatë një darke ata e ndanë shtetin boshnjak duke e vizatuar ndarjen në një picetë! Fatkeqësisht, një pjesë e mendimit politik e kulturor shqiptar në Kosovë e më gjerë, është i atillë që Kosovën e koncepton si “shtet të përkohshëm”, i cili u dashka që sa më shpejt të bashkohet me Shqipërinë. Sipas këtij konceptimi, për t’u bashkuar me Shqipërinë, ky shtet duhet të bëhet i dështuar e mandej të bëhet bashkimi me “shtetin amë”. Përderisa të jetë aktive kjo mënyrë e konceptimit të shtetit në jetën politike të vendit, kjo do të jetë e rrezikshme për suksesin e Kosovës si shtet, sepse një shtet i dështuar nuk mund të jetë i aftë për bashkim me askënd. Përkundrazi, një shtet i dështuar mbetet cak legjitim i ndërhyrjes së komunitetit ndërkombëtar.

2.Koncepti për shtetin partiak është koncept tipik i praktikave e politikave serbe, e jo i atyre evropiane. Partia/partitë që e marrin pushtetin në Serbi, nuk kanë më kufizime në politikat qeverisëse, po bëjnë çfarë të duan dhe si të duan. Edhe pushteti gjyqësor mbetet i varur dhe nën presionin e pushtetit politik, kështu që askush nuk përgjigjet as për abuzime dhe krime të rënda. Po të vësh re në Serbi, praktikisht, asnjë nga vrasjet e gazetarëve dhe politikanëve opozitarë nuk është ndriçuar plotësisht dhe shumë nga fajtorët janë të lirë. Fatkeqësisht, as në Kosovë nuk ka ndonjë ndjeshmëri për ndriçimin e vrasjeve politike që kanë ndodhur pas çlirimit të vendit.

3.Trajtimi i kundërshtarëve politikë si armiq, është praktikë tradicionale e politikës serbe. Po të shihet me kujdes historia e luftës politike në skenën e Serbisë, ajo është monstruoze, me vrasje mbretërish, kryetarësh e hierarkësh të lartë të shtetit e të partive politike. Kjo praktikë e shëmtuar e ka bërë Serbinë gjatë këtyre njëqind e njëzet e pesë vjetëve, një shtet të frikshëm, ku goja mund t’u mbyllet kundërshtarëve edhe me thika e me plumba. Te ne kjo nuk është dukuri, por është tendencë latente, që nuk duhet të injorohet. Kam frikë se po të mos ishte prezenca e fuqishme ndërkombëtare e KFOR-t dhe e EULEX-it, edhe kjo trashëgimi negative, tipike për politikën serbe, do të kishte reflektimet e saj të errëta në jetën politike të vendit.

4.Folklorizmi dhe populizmi janë elemente të ligjërimit politik edhe ndër ne, ndërsa në ligjërimin politik serb janë dominuese. Thënia e famshme e Petar Petroviq Njegoshit, “Le të bëhet ajo që nuk mund të bëhet”, është filozofia kryesore e folklorizmit dhe populizmit serb, i cili përpiqet t’i paraqesë si të mundshme gjërat që nuk janë të mundshme. Këtë tendencë do ta gjeni edhe në ligjërimet e jo pak politikanëve tanë, si ajo për demarkacionin me Malin e Zi dhe për bashkimin kombëtar.

5.Praktika e vjedhjes së votave është traditë e politikës serbe, ndonëse në vitet e fundit atje kjo dukuri është eliminuar.

  1. Një tjetër trashëgimi negative e politikës serbe është edhe ndikimi i shërbimeve sekrete në politikë dhe në jetën e vendit. Ndërhyrja e shërbimeve sekrete në Serbi ka qenë e tillë që ka prodhuar vrasjen e mbretit Aleksandër Obrenoviqit, të ish-presidentit Ivan Stamboliqit, të kryeministrit, Zoran Gjingjiqit, po të përmenden vetëm disa nga titullarët më të lartë të pushtetit në Serbi. Gjatë sundimit komunist serbo-jugosllav, shërbime sekrete UDB dhe shërbimi sekret i ushtrisë, KOS, kanë bërë krime të shumta kundër kundërshtarëve ideologjikë si brenda ish-Jugosllavisë, ashtu edhe jashtë saj. Edhe disa nga atentatet ndaj shqiptarëve janë vepra të këtyre shërbimeve famëkëqija. Serbia e ka krijuar atë traditë të keqe që shërbimet sekrete të kenë primatin e pararojës politike dhe kombëtare. E frikshme për çdo shtet, sepse ky model e ngulfat demokracinë dhe e mban popullin në frikë. E lidhur me këtë praktikë të ndërhyrjes së shërbimeve sekrete është edhe thashethemnaja kundër kundërshtarëve politikë e njerëzve më përgjithësi, e cila i helmon marrëdhëniet midis njerëzve. Thashethemet dhe shpifjet gëlojnë edhe sot në politikën dhe në jetën shoqërore serbe. Mjafton të lexohen gazetat ditore në gjuhën serbe dhe të shihet se lufta politike edhe sot bëhet me thashetheme dhe me shpifje më shumë se me gjithçka tjetër. Kjo trashëgimi negative politike, kulturore e antropologjike, e cila është mjaft prezente ndër ne, do të duhej të çrrënjosej plotësisht, duke shkuar drejt evropianizimit të komunikimit, ku ballafaqimi i argumenteve dhe gjykimi kritik e logjik është parimi kryesor i çdo komunikimi.

7.Pasurimi tej mase dhe joligjor i politikanëve dhe qeveritarëve është një traditë e famshme e Serbisë. Ajo motivon shumë konflikte dhe larje hesapesh me metoda të dhunshme të pasanikëve, që kanë fituar duke i shërbyer pushtetit. Rasti më i freskët është ai i biznesmenit kontrovers, Mishkoviqit.

Të gjitha këto janë elemente të politikave të dhunshme, që prodhojnë paligjshmëri dhe e dënojnë shtetin me ngecje dhe e komprometojnë para botës. Si të tilla këto mendësi, këto struktura dhe praktika, nëse nuk shmangen radikalisht, nuk do ta lejojnë as transformimin e shoqërisë e as fuqizimin e shtetit të Kosovës. Do ta mbajnë si peng të dhunës. Pra, pa një shkëputje të plotë nga trashëgimia politike, kulturore e antropologjike serbe, vurrata e kamxhikut sllav për të cilën shkruante Arshi Pipa në poezinë “Kosovës”, do të mbetet si shëmti e dukshme edhe në fytyrën e shqiptarit të sotëm. Madje edhe kur ai kamxhik kalon në duart e tij. Thënë thjesht, nga filozofia morbide serbe e dhunës as nuk jemi rehabilituar, as nuk jemi çliruar ende.

Marrë nga revista MEDIUS – /tesheshi.com/

 

Related posts