728 x 90 Leaderboard

Nga Michael H FUCHS*: Samiti Trump-Putin, rrëshqitje drejt një bote më të errët

“I inkurajuar nga rizgjedhja, presidenti amerikan, Donald Trump zbriti në Rusi për takimin e parë të grupit të sapoformuar të treshes (G3) me presidentin Vladimir Putin të Rusisë dhe presidentin Xi Jinping të Kinës për të hartuar sferat e influencës në Europë dhe në Azi.

 Ndërkohë, NATO çalon përkrah si një guackë e ish-vetes së vet, me Shtetet e Bashkuara ende teknikisht anëtare për shkak se Kongresi nuk do të lejojë tërheqjen nga ana e Trump. Japonia së fundmi ka njoftuar nisjen e programit të vet bërthamor për shkak të tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga gadishulli Korean pas një traktati paqeje të nënshkruar për t’i dhënë fund luftës Koreane, madje edhe pse Koreja e Veriut i mbajti armët e veta bërthamore. Pjesa tjetër e Azisë garon të sigurojë kushtet më të mira të mundshme me Kinën, hegjemoninë e re rajonale.  

 Ishin një seri samitesh në qershor dhe korrik 2018 – G7, NATO dhe takimi i Trump me liderin koreano-verior, Kim Jong-un dhe Putin – që nisën shthurjen e madhe në stabilitetin global dhe pozicionin e Amerikës në botë”.

Nëse mendoni se ky lajm hipotetik nga e ardhmja është i zmadhuar, atëherë kjo ndodh për shkak se Amerika dhe bota duhet ende të zgjohen për ngjarjet e rrezikshme që po ndodhin pikërisht përpara syve tanë.

Politika e Jashtme shpesh lëviz ngadalë, me pasoja që bëhen të dukshme vetëm muaj apo vite më pas: kur Shtetet e Bashkuara asistuan qeverinë e Vietnamit të Jugut në vitet 1950, pak mund të shihnin 58 mijë ushtarakët amerikanë të vdekur në luftën e Vietnamit; ndërsa Shtetet e Bashkuara ndihmuan në rrëzimin e liderit të zgjedhur në mënyrë demokratike në Iran, në vitin 1953, ishte e vështirë të kuptoje që revolucioni i vitit 1979 që rezultoi në një diktaturë, do të bëhet armikja më kryesore e Amerikës në Lindjen e Mesme; dhe shumë pak zyrtarë po ashtu, parashikuan që pushtimi i Irakut në vitin 2003 do të hidhte në erë të gjithë Lindjen e Mesme.

Vetëm në muajin e fundit, Donald Trump ka minuar në mënyrë të përsëritur aleatët demokratikë të Amerikës dhe është rehatuar me autokratë të vendosur për të sulmuar interesat amerikane. Nëse trendi aktual vazhdon, sot ne mund të jemi duke u  prezantuar me shkatërrimin e sistemit gjeopolitik që u ndërtua pas Luftës së dytë Botërore dhe të çimentuar pas Luftës së Ftohtë.

Ngjarjet kanë ecur shpejt. Pasi nisi një luftë tregtare me aleatët më të ngushtë të Amerikës, Trump u bë presidenti i parë i Shteteve të Bashkuara që refuzon të nënshkruajë një deklaratë të G7-ës në takimin e qershorit në Kanada, veprim që e pasoi duke e quajtur kryeministrin kanadez, “të pandershëm dhe të dobët”. Kanadaja dhe BE-ja kundërsulmuan duke vendosur tarifa hakmarrëse, presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se demokracitë e tjera të G7-ës do të ruajnë parimet demokratike pavarësisht Amerikës dhe ministri i Jashtëm gjerman bëri thirrje për një strategji evropiane për të përballur politikat e Trump.

Drejt e nga shpartallimi në G7, Trump fluturoi në Singapor për takimin e  parë në histori midis një presidenti amerikan në detyrë dhe liderit të Koresë së Veriut. Në vazhdën e takimit, Trump ra dakord në mënyrë të njëanshme për të ngrirë stërvitjet e përbashkëta ushtarake midis SHBA-së dhe Koresë së Jugut – kërkesë e hershme e Koresë së Veriut dhe Kinës – pa u konsultuar me aleaten e SHBA-së, Korenë e Jugut dhe pa marrë asgjë në këmbim. Kjo erdhi pas një raporti se Trump po përpiqej të tërhiqte trupat nga Koreja e Jugut. Ndërkohë që Trump nuk mori asgjë nga ky samit veç një fotoje me ndoshta diktatorin më të egër të botës, ai e përgëzoi atë duke thënë: “Ai flet dhe populli i tij qëndron gatitu plot vëmendje… Unë dua që populli im të bëjë të njëjtën gjë”.

Javën e kaluar, Trump vazhdoi abdikimin e lidershipit amerikan dhe parimeve në samitin e NATO-s, duke thënë, “Çfarë e mirë është NATO…”dhe raportohet se kërcënoi të nxjerrë Shtetet e Bashkuara nga organizata nëse vendet e tjera nuk shpenzojnë më shumë për mbrojtjen. NATO mund të ekzistojë ende, por thelbi i aleancës – mirëkuptimi që vendet do të mbrojnë njëra-tjetrën në rast se sulmohen – ka humbur.

Ndalesa e radhës në rrugën e uraganit Trump ishte Britania e Madhe, ku ai u prit me protesta masive. Trump kritikoi qasjen e Theresa May ndaj Brexit në të njëjtën kohë kur qeveria e saj përballet me një krizë Brexit. Ai përsëriti pretendimet e tij të vazhdueshme raciste se emigracioni “po ndryshon kulturën, mendoj se është një gjë shumë negative për Europën”, komente të cilave kryeministrja iu përgjigj me një vërejtje publike: “Ne kemi një histori krenare të mikpritjes së njerëzve që dëshirojnë të vijnë në vendin tonë…”. Në atë moment, marrëdhënia nuk dukej edhe aq speciale.

Dhe erdhi takimi i Trump me Vladimir Putin. Presidenti rus ndërhyri në zgjedhjet amerikane të vitit 2016 në ndihmë të fitores së Trump – diçka që ky i fundit e kërkoi publikisht – për të cilin vazhdon të zhvillohet një hetim federal që ka rezultuar me padi dhe pranim faji. Trump pretendon se Krimeja i përket Rusisë dhe se Rusia duhet lejuar të kthehet në G7, ndërsa përpiqet të ndalojë qeverinë e tij të vendosë sanksione ndaj Rusisë për ndërhyrjen në zgjedhje.

Pavarësisht gjithë agresionit rus ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Europës, Trump përsëri mban anën e Putin mbi interesat e vetë Amerikës dhe aleatëve të saj- përpara takimit Trump tha se marrëdhëniet e këqija SHBA-Rusi ishin për faj të Shteteve të Bashkuara dhe hetimit Mueller. Dhe në një konferencë për shtyp, më pas, Trump tha se besonte në mohimin nga ana e Putin të ndërhyrjes në zgjedhje, përkundër vlerësimeve të komunitetit të shërbimeve sekrete amerikane.

Dhe të gjitha këto kanë ndodhur vetëm në një muaj.

Nga Europa në Azi, Trump po shkatërron aleancat me Demokracitë, ndërsa po bën miqësi me liderë autoritaristë. Ai dërgon sinjale drejt aleatëve tanë se nuk mund të kenë besim tek Amerika dhe që ne nuk do të ndërhyjmë në rrugën e kundërshtarëve tanë kur ata marrin atë që duan. Trump e bëri të qartë se çfarë mendon kur e quajti Bashkimin Europian një “kundërshtar” këtë javë ndërsa Putinin një “konkurrent të mirë”.

Nëse mendoni se bëhet fjalë për disa ngatërresa diplomatike, mendojeni edhe një herë. Rezultati i kësaj të tatëpjete të rrëshqitshme mund të jetë një botë shumë më e dhunshme dhe më e errët – mundësuar për ju nga G3.

*Michael H Fuchs është anëtar i qendrës për progres Amerikan dhe ish-zv.ndihmës i Sekretarit të Shtetit për çështje të Azisë Lindore dhe Paqësorit.

Përktheu: Juli Prifti -/tesheshi.com/

Related posts