728 x 90 Leaderboard

Nga Mehmet Uğur EKİNCİ*: E ardhmja e Ballkanit do të varet nga vetë ai

Rënia në shpejtësinë e zgjerimit të BE-së dhe në fuqinë transformuese të BE-së ka çuar në rritjen e alarmizmit midis komentuesve ndërkombëtarë në lidhje me të ardhmen e Ballkanit. Argumenti është zakonisht i dyfishtë: nëse integrimi i Ballkanit në Bashkimin Europian shtyhet më tej, jo vetëm kanë për të kërcyer brenda aktorë të tretë kanosës dhe kanë për të sjellë paqëndrueshmëri, por gjithashtu popujt e Ballkanit do të nisin të kapin për fyti njëri-tjetrin.

Ky është dukshëm një ligjërim hegjemonik, bazuar në pretendimin e pandryshueshëm se BE-ja është dhe ka për të qenë i vetmi aktor legjitim ndërkombëtar që duhet të jetë i pranishëm në rajon dhe të sigurojë paqe e begati atje. Ai po ashtu pretendon, duke i shpërfillur kontekstet historike të konflikteve të mëhershme në rajon, se shoqëritë e Ballkanit janë brendaqenësisht të papjekura dhe të dhunshme.

Në kundërshtim me këtë pikëpamje, unë mendoj se një konflikt i madh është i pagjasë në Ballkan në të ardhmen e afërt, falë faktorëve të caktuar strukturorë, pak prej të cilëve kanë për t’u përmendur më poshtë. Këto faktorë kanë kontribuar në mënyrë të argumentueshme për shtimin e dialogut politik midis qeverive të Ballkanit në vitet e fundit. Megjithatë, nevojitet zgjidhja e një numri problemesh ndëretnike dhe ndërshtetërore që Ballkani të bëjë përpara, dhe një zgjidhje përfundimtare e këtyre problemeve është e varur nga vullneti dhe vendosmëria e aktorëve në rajon.

E shoh të pagjasë një konflikt të madh sepse, së pari, çdo lloj aventurizmi është një rrezik i madh për çdo aktor sot në Ballkan. Minimi i stabilitetit rajonal ka për të bërë sigurisht më shumë keq se mirë. Nëse shpërthen një konflikt i armatosur, ai është i destinuar të çojë në shkatërrim dhe në ndërhyrje ndërkombëtare, siç ngjau në luftërat pas shpërbërjes së Jugosllavisë. Dhe duhet të vëmë në dukje se këto luftëra u zhvilluan brenda boshllëkut të sistemit ndërkombëtar në transformim. Në vitin 2001, kur ishin konsoliduar përgjithësisht rregullimet dhe përparësitë e sigurisë të pas Luftës së Ftohtë të bllokut euroatlantik, nuk u lejua një konflikt i ngjashëm në Maqedoni. Sot, në një kohë kur BE-ja dhe SHBA-ja janë tashmë vigjilente për sigurinë (kryesisht për shkak të shqetësimeve të tyre mbi revizionizmin rus), nuk është e vështirë të parashikohet se ato kanë për të ndërhyrë në tensionin më të vogël në Ballkan. Në fakt, roli aktiv i luajtur nga Perëndimi në dhënien zgjidhje tensioneve politike në Maqedoni midis viteve 2015 dhe 2017 ishte një shembull i një ndërhyrjeje të butë.

Së dyti, politika ballkanike është pragmatike. Është e vërtetë se aktorët nacionalistë dhe populistë mund të ushqejnë tensione dhe të mbajnë një qëndrim të prerë për ca “çështje të ndjeshme”. Veç çdo ligjërim nacionalist/populist apo veprim nga këta aktorë nuk është domosdoshmërisht tregues i një konflikti të mundshëm, siç interpretohet shpesh gabueshëm nga vëzhguesit dhe komentuesit perëndimorë. Politikanët në Ballkan mund të mbështeten hera-herës në gjuhë dhe në akte të rrëmbyera, nxitëse, edhe provokuese, por çfarë mbisundon rëndom në fund të ditës është pragmatizmi. Kjo do të thotë se ka gjithmonë hapësirë për zgjidhje reciprokisht të pranueshme. Në Bosnjë-Hercegovinë dhe Maqedoni, me gjithë mbizotërimin e partive nacionaliste me qëndrime politike përnjëmend divergjente, marrëveshje të ndarjes së pushtetit kanë pasuar për një periudhë të konsiderueshme kohe. Një qeveri nacionaliste ishte në gjendje të vinte në pushtet kohët e fundit në Kosovë me mbështetjen e ligjvënësve serbë të afërt me Beogradin. Dhe marrëdhëniet aktuale midis qeverive të Ballkanit janë të karakterizuara gjithashtu nga pragmatizmi. Ndërsa mosmarrëveshjet midis vendeve çojnë nganjëherë në tensione, qeveritë tregohen të kujdesshme që t’i mbajnë këto tensione brenda caqeve të kontrollueshme.

Së treti, rreziqet e përgjithshme socio-ekonomike dhe të sigurisë, të tilla si zhvillimi i ngadalshëm, papunësia e rinisë, migrimi i jashtëm dhe krimi i organizuar, po i nxisin shtetet të bashkëpunojnë. Për shkak të karakterit rajonal të këtyre problemeve të ngutshme dhe të komplikuara, interesat nuk mund të përcaktohen ngushtësisht në kuadër të etnicitetit apo shteteve-kombe. Ndërkohë që fuqi ndërkombëtare apo rajonale mund të gjejnë sot mbështetje te unilateralizmi, shtete më të vogla si ato në Ballkanin Perëndimor nuk janë në gjendje ta garantojnë krejt vetë sigurinë dhe zhvillimin e tyre. Zhvillimi rajonal është domosdoshmëri për Ballkanin; nuk ka rrugë tjetër për t’u bërë më i sigurt dhe më i begatë.

Në përputhje me këtë, rajoni duket se po e pranon dalëngadalë faktin se konflikti nuk është sot një alternativë praktike. Kushtet rajonale dhe ndërkombëtare gjatë dhe menjëherë pas shpërbërjes së Jugosllavisë krijuan një mjedis lejues për konflikt, duke i bërë ca aktorë politikë të besojnë se nëpërmjet përdorimit të forcës mund të arriheshin rezultate të qenësishme. Nuk mund ta thuash me siguri sot se kështu mendojnë vërtet edhe aktorët më shovinistë në Ballkan. Problemet më të ngutshme në Ballkan janë të natyrës ekonomike, jo politike apo etnike, dhe kudondodhja e këtyre problemeve në rajon i bën shoqëritë gjithnjë e më tepër të vetëdijshme se ato mund të zgjidhen vetëm me një qasje rajonale. Edhe pse kjo situatë nuk e forcon medoemos idenë e integrimit rajonal, ajo detyron bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e ndërsjelltë.

Prandaj nuk është e habitshme të shohësh se po forcohen angazhimet politike midis vendeve të Ballkanit. Si marrëveshja e miqësisë midis Maqedonisë e Bullgarisë dhe marrëveshja për emrin mes qeverive maqedonase dhe greke ishin zhvillime të jashtëzakonshme. Pavarësisht të gjitha komplikacioneve që mund të sjellë, shkëmbimi i mendimeve i kohëve të fundit midis Beogradit dhe Prishtinës në lidhje me mundësinë e një këmbimi territori duhet vlerësuar po ashtu si një përpjekje për dialog politik. Tekefundit, është shumë më e shëndetshme për Ballkanin që idetë për zgjidhjen e problemeve të vijnë nga brenda në vend që të imponohen nga jashtë. Nuk është keq kur palët në një mosmarrëveshje sjellin për diskutim ide origjinale, edhe nëse të pazakonta. Nëse këto ide gjejnë mbështetjet popullore nga të dy krahët, ato do të vihen në zbatim, e nëse jo, do të kërkohet një tjetër zgjidhje. Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës duhet parë gjithashtu brenda kësaj kornize.

Tejet me rëndësi këtu është se idetë për zgjidhjen e problemeve duhet të arrijnë përmes diskutimit publik. Përpara se të ndërmarrin një hap kritik për zgjidhjen e një mosmarrëveshjeje me rrënjë të thella, udhëheqësit politikë duhet të sigurohen se kjo mbështetet në mënyrë të fuqishme dhe të njëmendtë nga një spektër i gjerë i qytetarëve (pra, jo vetëm prej votuesve të tyre). Kjo është e rëndësishme jo vetëm në vendosjen mbi kushtet e zgjidhjes, por gjithashtu për garantimin e legjitimitetit të saj. Është fakt se udhëheqësit politikë nuk i marrin shpesh në konsideratë propozimet apo pikëpamjet alternative, e madje e mbajnë opozitën larg nga procesi në vijim i zgjidhjes. Kjo mund të ngjasë për shkak të arsyeve të ndryshme, si për ta marrë vetë të tërë meritën për zgjidhjen. Me këtë mendim, ata mund të mos e informojnë publikun dhe opozitën përpara marrjes së një hapi të rëndësishëm. Ama vendimet e shpejtuara mund të sjellin komplikime të tjera në të ardhmen. Udhëheqësit duhet ta shmangin gjatë bërjes së marrëveshjeve me palën tjetër krijimin e ankesave të reja, që mund të çojnë në probleme dhe mosmarrëveshje të tjera. Mungesa e marrëveshjes mund të jetë nganjëherë më pak e dëmshme se një e tillë e bërë shpejt e shpejt.

Duke patur parasysh paqen e gjatë dhe zhvillimin e lartë socio-ekonomik në Perëndim, është e kuptueshme se motivimi më i madh për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve në Ballkanin Perëndimor sot është integrimi euroatlantik. Gjithsesi, qeveritë duhet të përqendrohen në rezultatet afatgjata të çdo vendimi kritik që marrin. Në fund të fundit, anëtarësia në BE nuk është një qëllim në vetvete; është, përndryshe, një mënyrë për të arritur begati, rend e standarde më të mira të jetesës. Qeveritë duhet të përqendrohen në këto të fundit, jo në të parën. Ato duhet të kryejnë reforma jo për hir të anëtarësisë në BE, por për t’i përmirësuar standardet e jetesës së qytetarëve të tyre, për t’i tërhequr në vendin e tyre investimet e huaja, e për t’i siguruar rinisë së tyre shkollim dhe punësim më të mirë. Edhe një herë, zgjidhja e problemeve ndëretnike dhe ndërshtetërore duhet të jetë për sjelljen e paqes dhe sigurisë për popujt e Ballkanit, dhe jo thjesht të hyrjes në bllokun euroatlantik.

Sado me qëllim të mirë që të jenë, përpjekjet nga bashkësia ndërkombëtare për t’i përshpejtuar zgjidhjet mund të jenë kundërproduktive. Për shkak të ndjeshmërive nacionaliste, njerëzit mund të reagojnë negativisht ndaj përfshirjes së aktorëve të jashtëm, çka mund ta komplikojë zgjidhjen. Kjo është saktësisht ajo çka ngjau gjatë procesit aktual të zgjidhjes së mosmarrëveshjes së emrit maqedonas. Me qëllim që të ushtrojnë presion mbi politikanët dhe njerëzit në të dy vendet, autoritete në NATO dhe në BE e kanë cilësuar këtë proces si “mundësinë e fundit”. Megjithatë, kjo ka krijuar një (keq)perceptim midis shumë qytetarëve maqedonas dhe grekë se marrëveshja nuk ishte një e tillë e vendosur në mënyrë të dyanshme, por me ndikim nga jashtë. Në vend të përshpejtimit të marrëveshjes, do të kishte qenë shumë më e shëndetshme të kryhej procesi në një mënyrë më gjakftohte, duke ua bërë të ditur dy shoqërive përmbajtjen e saj dhe duke lënë njëfarë kohe për diskutimin publik. Duke marrë në konsideratë mjedisin e favorshëm politik në të dy vendet, si dhe përfitimet e mundshme të zgjidhjes për të dy palët, ndjekja e kësaj rrjedhe mund të kishte prodhuar një konsensus më të gjerë, edhe nëse me njëfarë vonese. Detyra kryesore e bashkësisë ndërkombëtare në mosmarrëveshje të tilla dypalëshe të rrënjosura thellë duhet të jetë lehtësimi i negociatave, jo shpejtimi i tyre. Fundja, ekziston përherë rreziku i bërjes së gabimeve në një zgjidhje të nxituar. Në fakt, vijimi i statukuosë mund të jetë edhe më i mirë se një zgjidhje jo e përkrahur gjerësisht nga dy shoqëritë.

Bota është sot shumë ndryshe nga ajo në vitet 1990 dhe në fillim të viteve 2000. Realpolitika po merr forcë, ndërsa nocione si liberalizmi, globalizmi dhe integrimi nuk janë aq dominuese sa në fillimin e viteve 2000. Shtetet-kombe janë ende të rëndësishme, dhe garantimi i mirëqenies dhe sigurisë është para së gjithash përgjegjësi e tyre. Por, ndryshe nga shqetësimet e shumë liberalëve, kjo nuk ka për të sjellë patjetër marrëdhënie më konfliktuale midis shteteve. Kemi të bëjmë thjesht me një sistem ku çdo shtet në botë është përgjegjës për mirëqenien e tij. Thënë ndryshe, askush në Ballkanin Perëndimor nuk duhet të presë më të njëjtin nivel përkushtimi nga SHBA-ja dhe BE-ja në sponsorizimin dhe transformimin e ish-vendeve socialiste siç bënë pas Luftës së Ftohtë. Përvojat e kohëve të fundit të disa vendeve të BE-së kanë treguar gjithashtu se anëtarësia në Bashkimin Europian është larg së qenit një recetë magjike për stabilitet politik dhe ekonomik. Kësisoj, po qe se vendet e Ballkanit duan një të ardhme më të mirë, arritja e kësaj është në duart e tyre.

Stabiliteti dhe begatia në rajonin e tyre duhet të jetë synimi i vetë vendeve ballkanike. Në kontekstin e trazuar dhe të pasigurt ndërkombëtar të ditëve tona, Ballkani nuk mund t’ua kalojë këtë përgjegjësi aktorëve ndërkombëtarë. Pikëpamja se të gjitha problemet e rajonit do të zgjidhen nëpërmjet drejtimit nga BE-ja është shumë thjeshtëzuese dhe e vjetruar. Teksa nocioni i “fundit të historisë” i kohës menjëherë pas Luftës së Ftohtë doli të jetë një iluzion dhe e ardhmja e BE-së është e pasigurt, optimizmi i tillë mund të çojë në zhgënjime të mëdha. Nëse shoqëritë e Ballkanit kërkojnë të arrijnë një stabilitet dhe paqe të qëndrueshme, duhet t’i pranojnë së pari interesat e tyre të përbashkëta dhe të tregojnë se mund t’i zgjidhin vetë dallimet e tyre. Parametrat në zgjidhjen e problemeve rajonale duhen bazuar në parapëlqimet e aktorëve rajonalë, jo të aktorëve të jashtëm. Ndërkaq, aktorët rajonalë duhet t’i japin përparësi mirëqenies së rajonit si një tërë dhe të jenë elastikë ndaj bërjes vend ideve dhe propozimeve alternative që vijnë nga të tjerët. Me një pjesëmarrje të gjerë dhe vullnet të mirë të fuqishëm, nuk ka arsye pse popujt e Ballkanit të mos gjejnë zgjidhje për problemet e tyre.

Çështjet e komplikuara nuk janë të lehta për t’u zgjidhur, por vullneti për t’i zgjidhur ato është me rëndësi të jashtëzakonshme. Përfshirja e jashtme në rajon është e pashmangshme nëse popujt e Ballkanit nuk janë në gjendje t’i zgjidhin problemet e tyre. Për sa kohë që përfshirja e jashtme në Ballkan vazhdon të ekzistojë, ai kurrë nuk do të jetë në gjendje t’i ikë qenies një pikëtakim i rivalitetit ndërkombëtar. /tesheshi.com/

Përktheu: Bujar M. Hoxha

*Autori është hulumtues i politikave aktuale në Ballkan dhe i politikave të jashtme në Fondacionin SETA, në Ankara. Ky shkrim është shkruar enkas për revistën SHENJA.

Related posts