Nga Marcel DIRSUS*: Kursi i harmonisë së Gjermanisë

Vetëm nëse ndodh diçka vërtet sensacionale, Angela Merkel mund të mos fitojë mandatin e katërt në detyrë javën e ardhshme pas gati 12 vjetësh në pushtet. Merkel ka përgjysmuar papunësinë, i ka dalë ballazi Vladimir Putinit dhe ka treguar mendje dhe zemër gjatë krizës së refugjatëve. Ajo është një politikane e madhe.

Nën drejtimin e saj si kancelare, Gjermania duket imune ndaj llojit të populizmit shpërqëndrues që ka sjellë në pushtet Donald Trump në anën tjetër të Atlantikut apo Jeremy Corbyn në anën tjetër të kanalit anglez. Por nuk është kështu.

Gjermania po ecën somnambul drejt një reagimi populist ndaj një sistemi që i ka bërë shumë gjermanë të ndjehen të pafuqishëm. Ndërsa demokracia amerikane është tepër e polarizuar për të funksionuar mirë, e kundërta është e vërtetë në Gjermani. Kur Merkel dhe kundërshtari i saj, Martin Shulc mbajtën një debat në televizion javën që shkoi, në të u shfaqën shumë mirëkuptime dhe shumë pak mosmarrëveshje të një natyre minore. Kjo është madhështore për Merkelin por e keqe për Gjermaninë.

Demokracitë liberale janë elastike për shkak se ato u ofrojnë votuesve zgjidhje konkurruese. Votuesit kanë nevojë të jenë në gjendje të diferencojnë midis partive politike. Ata kanë nevojë të kenë përshtypjen se vota e tyre në mënyrë të qartë mund të ndryshojë mënyrën sesi qeveriset vendi. Shumë gjermanë nuk besojnë se mund të bëjnë ndryshimin për shkak se të dy kandidatët kryesorë praktikisht dëshirojnë të njëjtat gjëra.

Kjo nuk ka qenë kurrë më e qartë sesa gjatë debatit të fundit televiziv. Shulc, një social-demokrat dëshiron t’i japë fund bisedimeve të pranimit të Turqisë në Bashkimin Europian. Merkel, një kristian-demokrate dëshiron ose t’i pezullojë ose t’u japë fund. Ajo hapi kufijtë gjermanë për qindra mijë refugjatë, ai do ta kishte dashur që ajo ta bënte një gjë të tillë pasi të kishte koordinuar më ngushtë me aleatët europianë. Diferencat ekzistojnë, por ato sa mezi duken për sytë e votuesit të zakonshëm.

Merkel i ka bërë sistematikisht politikat e opozitës të sajat. Ajo u nda me një politikë të vjetër të partisë së saj dhe vendosi t’i japë fund energjisë bërthamore në Gjermani. Qeveria e saj i dha fund rekrutimit ushtarak. Edhe pse personalisht e kundërshtoi, ajo hapi rrugën për martesat gay. Nën qeverisjen e saj, Gjermania zbatoi rrogën minimale. Asnjë nga këto ide nuk janë tradicionale konservatore. Merkeli i përshtati ato për të çarmatosur kundërshtarët e saj. Nëse Merkel duket e pandjeshme, kjo ndodh për shkak se ajo rrallë u lejon kundërshtarëve ta rrethojnë në qoshe. Kancelarja i ka zhvendosur kristian-demokratët majtas. Për të konkurruar për qendrën, social-demokratët kanë lëvizur djathtas.

Vendi është qeverisur nga një “koalicion i madh”, që përbëhet nga dy partitë më të mëdha për tetë vjet nga 12 vjetët e fundit. Partitë qeverisëse mbajnë 502 nga 630 vende në parlamentin kombëtar. Koalicioni i madh ka qenë mjaftueshëm mirë në menaxhimin e status-kuosë, por nuk ka arritur ta përgatisë Gjermaninë për të ardhmen. Çdo gjë është kompromis mbi kompromisin. Të qënit pjesë e koalicionit të madh e bën shumë më të vështirë për social-demokratët të kritikojnë kancelaren aty ku ndryshimet nuk ekzistojnë. Për fatin e tyre të keq, rezultatet e saj janë në pjesën më të madhe edhe rezultatet e tyre. Politikat e propozuara shpesh janë të padallueshme nga njëra-tjetra.

Merkel është e pamposhtshme. Ajo është kaq e mirë në detyrën e saj saqë mandati i saj si kancelare duket po aq i natyrshëm sa edhe ligjet e natyrës. Ajo deri më tani kryeson në sondazhe saqë askush nuk e vën në dyshim serioz nëse ajo do të fitojë sërish.

Ndërsa votuesve u rritet ndjesia e pafuqishmërisë, ata kërkojnë për alternative më radikale dhe simpliciste. Këtë vit, rreth një e pesta e votuesve janë të vendosur të votojnë për partitë radikale në të majtë dhe në të djathtë. Ka një mundësi reale që e djathta ekstreme “Alternativa për Gjermaninë” të hyjë në parlamentin kombëtar për herë të parë, duke u renditur e treta. Ky grupin përbëhet nga teoricienë konspirativë anti-europianë e nxitës të urrejtjes, që po përfitojnë nga një valë pakënaqësie ndaj politikës së Merkelit për refugjatët. Kandidatja e tyre kryesore, Alice Weidel, raportohet se shkroi dikur një e-mail ku ankohej për pushtimin e Gjermanisë nga fuqitë aleate fituese të Luftës së Dytë Botërore. Të gjitha lajmet që u leverdisin atyre janë “fake”. Ekzistenca e partisë së tyre është një tragjedi kombëtare. Nëse këta njerëz marrin vota në një Gjermani që ndodhet në një situatë veçanërisht të mirë, çfarë do ndodhë kur vendi të mos jetë më në këtë pozicion?

Gjermania është në një pozicion të rehatshëm tani, por kjo nuk mund të merret për e mirëqënë. Me aksesin e dobët në frekuenca dhe telefoninë e lëvizshme, vendi nuk është i përgatitur për revolucionin dixhital. Gjermania është e treta për popullsinë më të vjetër në moshë në rang botëror.  Më pak punëtorë janë aty për të ballancuar pensionimin e të moshuarve. Bizneset e forta gjermane tradicionale, të tilla si industria e automjeteve, po ndryshojnë me shpejtësi, dhe nuk ka garanci se BMW, Mercedes apo Voksvagen të jenë të parët. Edhe nëse ia dalin mbanë, me qindra mijë mund të humbasin vendet e punës në favor të industrive më të zhvilluara teknologjike. Ndërkohë kriza e emigracionit është shumë larg të qënit në fund të saj. Këto sfida do të acarojnë diferencat ekzistuese. Asnjë nga politikanët duket se mund të ofrojë zgjidhje të qëndrueshme.

Për momentin, demokracia gjermane është e fortë. Për të parandaluar që asaj t’i bjerret forca që na ka sjellë tek katastrofa Trump dhe rrëmuja Brexit, politikanët gjermanë duhet të shmangin një koalicion të tretë me çdo kusht. Social-demokratët duhet të lëvizin majtas dhe kristian-demokratët e Merkelit djathtas. Votuesit do ta kenë më të lehtë të diferencojnë midis dy palëve. Ekstremistët do të humbasin ndërsa do të fitojnë gjermanët e zakonshëm. Pak polarizim është gjë e mirë.

*Marcel Dirsus është ekspert i shkencave politike në universitetin e Kielit në Gjermani. Opinioni është botuar në “The Washington Post”.

Përktheu: Juli Prifti – /tesheshi.com/