Nga Lulzim BEQIRI: Rimëkëmbja ekonomike e Kosovës

Zhvillimi ekonomik dhe punësimi janë problemet kryesore të rinisë kosovare, sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia e Statistikave të Kosovës papunësia sillet rreth 30%, ndërkaq sipas shumë hulumtimeve të organizatave të ndryshme që monitorojnë punësimin papunësia arrin deri në 40%, prandaj kemi edhe dëshira nga   kosovarët të ikin nga ky vend, për një jetë më të mirë, përderisa analizon pasurinë e pushtetarëve që shumë nga ta janë milionerë e që besa edhe miliarderë pa ndonjë mbulesë të dëshmuar, e për pasojë të politikave jo të duhura nga ana e institucioneve biznesi kosovar po has në barriera jo logjike, konkurrenca jo lojale, kamatat e larta, procedura burokratike, të gjitha kanë ndikuar dukshëm në perceptim negativ të investitorëve për të investuar në Kosovë, mirëpo Raporti i fundit i Bankës Botërore ka ngjall shpresë për një fillim të ri të përmirësimit të kushteve për të bërë biznes në Kosovë.

Hapja e ndërmarrjeve dhe regjistrimi i tyre u zhvillua me një hov të madh, nga viti 1999 deri në fund të vitit 2017 janë regjistruar rreth 173,805 biznese sipas ARBK-së.

Sipas Administratës Tatimore të Republikës së Kosovës numri i bizneseve aktive të regjistruara në ATK deri në fund të vitit 2016 është 87,979, ku prej tyre 63,753 janë biznese individuale ndërsa 24,226 janë biznese juridike, ndërkaq 42,654 janë numra fiskal për persona fizik.

Raporti i të bërit biznes (TBB) është studim i Bankës Botërore, që e bën njehsimin e indikatorëve kyçë të të bërit biznes të një vendi. Banka Botërore (BB) është Bankë Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, e themeluar në vitin 1945 për rindërtimin dhe zhvillimin e vendeve të shkatërruara gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa sot ajo u ndihmon vendeve të pazhvilluara ekonomikisht. Ajo filloi punën më 25 qershor 1946, si organizatë e veçantë e Kombeve të Bashkuara.

Banka Botërore, ndër të tjera, paraqet edhe ekonominë e Kosovë, ku thekson, përveç pengesave që janë të pranishme në të bërët biznes, edhe burimin e këtyre pengesave, si dhe mundësinë për reforma. Siç dihet Shteti i Kosovës u anëtarësua në Grupin e Bankës Botërore më 29 korrik 2009.

Raporti i Bankës Botërore për të Bërit Biznes 2018, i publikuar me 31 tetor 2017, konfirmon progresin e konsiderueshëm në përmirësimin e mjedisit afarist duke rritur rangimin e Kosovës në vendin e 40-të në botë, nga gjithsej 190 shtete, mirëpo ende situata ekonomike është jo stabile e përcjellë me probleme serioze me furnizim me energji elektrike, efikasitet të gjykatave, luftim të monopolit, nepotizmit të pakontrolluar etj.

Sipas Raportit, të publikuar edhe nga MTI-ja Kosova ka vazhduar përmirësimin e mjedisit afarist përmes rritjes së bashkëpunimit dhe koordinimit të reformave ndërmjet institucioneve relevante të Kosovës përmes Task Forcës për të Bërit Biznes të udhëhequr nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), me mbështetjen e Bankës Botërore në Kosovë dhe Projektit të USAID Partneritetet për Zhvillim.

Kosova ka shënuar progres në disa indikatorë. Në veçanti është bërë progres i konsiderueshëm në indikatorët për:

 

Fillimi i një biznesi,  ky indikator mat kapitalin minimal të paguar, numrin e procedurave, kohën dhe koston e nevojshme për një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar të madhësisë të vogël deri të mesme për të filluar punën dhe operuar formalisht në qytetin më të madh afarist të një shteti. Për të bërë të dhënat e krahasueshme në 190 ekonomi, sipas Raportit Kosova zë vendin e 10 nga 190 vende për fillimin e një biznesi, çka edhe vërehet nga qytetarët kosovar, brenda një ore mund të regjistrosh një biznes, mjafton për të trokit në dyert e ARBK-së në çdo komunë të Republikës së Kosovës.

Sigurimi i lejeve ndërtimore

Marrja e lejeve të ndërtimit sipas MTI-së mat indeksin e kontrollit të cilësisë së ndërtimit, që vlerëson cilësinë e rregulloreve për ndërtim, forcën e kontrollit të cilësisë dhe të mekanizmave të sigurisë, regjimeve të përgjegjësisë dhe sigurimeve, dhe kërkesat për certifikim professional, sipas Raportit Republika e Kosovës ende ka probleme serioze lidhur me lejet ndërtimore nga gjithsej 190 vende Kosova zë vetëm vendin e 122, pra mbetet ende sfidë e madhe e shtetit për të përmirësuar edhe këtë indikator.

Furnizimi stabil me energji elektrike

Ky indikator regjistron procedurat, kohen dhe shpenzimet e nevojshme për një biznes për të siguruar një lidhje të përhershme me energji elektrike për një depo të sapondërtuar. Përveç kësaj, indeksi i besueshmërisë së furnizimit dhe transparencës së tarifës mat besueshmërinë e furnizimit me energji elektrike dhe transparencën e tarifave si dhe çmimin e rrymës.

Furnizimi stabil me energji elektrike është njëri nga kushtet bazë për secilin investitor që dëshiron të investojë në Kosovë. Kompanitë serioze nuk investojnë në një vend ku nuk ka stabilitet energjetik, sepse kjo do t’u shkaktonte dëme të mëdha bizneseve të tyre, veçanërisht atyre prodhuese.

Pothuajse të gjitha anketat e bëra me biznese kanë identifikuar furnizimin e pasigurt të energjisë elektrike si njërën prej pengesave kryesore në zhvillimin e tyre. Republika e Kosovës ballafaqohet me reduktime të  ashpra të rrymës, përderisa qëndron në rezervat e treta të linjitit në Evropë.

Përfundimi i një Biznesi, për shkak të vendosjes së kornizës moderne ligjore për riorganizim dhe falimentim të bizneseve të bazuar në praktikat e mira ndërkombëtare. Kjo është arritur përmes miratimit të Ligjit të ri për Falimentimin që është hartuar me mbështetjen e Programit të USAID për Përmbarim dhe Legjislacion Komercial.

Sipas Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë nga viti 2012, Kosova është ngritur për 86 vende në Raportin për të Bërit Biznes, duke shënuar përmirësim në të gjithë indikatorët dhe në veçanti në indikatorin për Fillimin e një Biznesi ku është shënuar përmirësim me 160 vende dhe aktualisht rangohet në vendin e 10-të në botë. Reformat e fokusuara në Raportin e Bankës Botërore për të Bërit Biznes janë një mekanizëm efektiv për përafrim më të madh me BE, përmirësimin e qeverisjes dhe eliminimin e mundësinë për korrupsion si dhe heqjen e barrierave për formalizmin e ekonomisë.

Qeveria e Kosovës ende duhet të përmirësojë kushtet e të bërit biznes, ende investitorëve potencial hasin në barriera, prandaj duhet një strategji e vazhdueshme e përmirësimit të kushteve e sidomos në indikatorët që Republika e Kosovës ngec sipas Raportit të të bërit biznes. /tesheshi.com/

Related posts