Nga Labinot HOTI: Rënia dhe rikthimi i LDK-së si forcë kryesore politike në vend

Në këtë analizë paszgjedhore në këndvështrimin tim socio-politik, po paraqes disa nga momentet vendimtare të cilat ndikuan në ringjalljen e LDK-së në garën e zgjedhjeve lokale. Fillimisht duhet thënë se LDK historikisht ka qenë një parti politike e cila ka ditur ti rezistojë edhe kohërave më të vështira të para-luftës ku figurat kryesore të saj u dashtë të përballeshin me përndjekje dhe burgosje nga regjimi shovinist i Milloshoviqit. Pra edhe përkundër shtypjes dhe përndjekjes nga regjimi, megjithatë aktiviteti politikë i figurave të LDK-së për një Kosovë të pavarur nuk rreshti asnjëherë. Ata ilegalisht dhe në forma tjera vepronin brenda në Kosovë, vepronin edhe në perëndim, vetëm e vetëm për ta mbajtur të gjallë frymën politike të lirisë dhe shtet-bërjes së Republikës së Kosovës.

Por çfarë ndodhi në vitet e para të pasluftës? Kohë kjo në të cilën Kosova ishte shndërruar në vatër të dhunës dhe konfliktit politikë dhe si mos më keq LDK-ja dhe njerëzit e saj u shndërruan në thumb të përndjekjes dhe linçimit nga njerëz që mendonin se çlirimi i Kosovës kishte vulën e vetme të tyre dhe se askush tjetër nuk kishte bërë asgjë në këtë drejtim. Kjo frymë dashakeqe dhe e mjerë e cila burimin kryesor të saj e kishte në PDK dhe tek figurat e saj, klan ky që nuk mund ta kapërdinte dot fitoren e  LDK-së  në zgjedhjet e para të organizuara në Kosovën e pasluftës.

Ky inat dhe kjo “xhelozi” tashmë vinte e rritej brenda klanit të organizuar të PDK-së, që kishte vetëm një qëllim, eliminimin e LDK-së nga skena politike, sepse kjo ishte mundësia e vetme për tu ngjitur në pushtet dhe s’kishte formë tjetër, kjo bëri që figurat e shquara të LDK-së u përndjekën në formën më barbare dhe më të mjera, mu si në kohën e regjimit.

Atë që nuk arrinte dot ta bënte PDK për vite me radhë më në fund e arriti në vitin 2007, vetëm pas vdekjes së presidentit historik, Ibrahim Rugova. Kjo shënoi historinë më të mjerë dhe më të zezë për Kosovën. Partia që tashmë kishte marr udhëheqjen e vendit po e degradonte vendin drejtë kompromiseve më të dhimbshme ndërkombëtare, ndërsa në rrafshin e brendshëm e kishte zhytur atë në kthetrat e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këtij klani tashmë nuk mund ti rezistonte dot asnjë subjekt politik dhe as qytetarët në vend.

Andaj, nga kjo pamundësi për të vepruar LDK-ja u detyrua të hynte në koalicion me partinë më të urryer deri atëherë! Por, çfarë i ndodhi LDK-së në kohën sa ishte nën hijen e PDK-së? Elektorati i saj filloi ta braktisë, ajo u shndërrua në patericë të PDK-së dhe nuk mund ti ofronte elektoratit të saj vizionin dhe filozofinë politike të cilën e kishte trasuar për vite me radhë.

Kjo si për të keq u përsërit edhe në zgjedhjet e vitit 2014, ku LDK kishte përfunduar në koalicion me PDK-në e që ishte grusht tjetër pas shpine ndaj elektoratit që e kundërshtonte fuqishëm këtë. Ky dëshpërim i elektoratit të LDK-së zgjati deri në momentin kur Veseli dhe klani i tij mendonte se ishte fuqizuar mjaftueshëm për ta hequr qafe LDK-në dhe për ta kapur në tërësi vendin.

Në këtë mënyrë PDK-ja dhe klani i saj mendonte se tashmë e kishte ardhur koha për ta hequr qafe LDK nga skena politike, prandaj orkestroi dhe e realizoi prishjen e koalicionit me qëllimin e vetëm kapjen e pushtetit dhe vazhdimin e krimit. Por, matematikat e saj nuk i funksionuan, nga ëndrra për të qeverisur e vetme dhe për tu bërë Veseli kryeministër, ai nga paniku i hyrjes në zgjedhje si parti e vetme u detyrua të bëjë kompromisin më të dhimbshëm, të heq dorë nga pozita e shumëkërkuar e kryeministrit për t’ia lënë atë Ramush Haradinajt, duke lidhur kështu një  koalicion të gjerë me “krahun e luftës” siç e quanin ata, por që edhe si i tillë dështoi në zgjedhjet e 11 qershorit. Atëherë alternativa e vetme e këtij klani ishte që të bëhet bashkë edhe me listën serbska, për të arritur numrin minimal për formimin një qeveri e cila sot është jofunksionale dhe e varur kryekëput nga Beogradi. Dhe si e tillë kjo qeveri nuk është asgjë tjetër vetëm vegël e Vuçiçit që përmes emisarëve të tij nga lista serbska po e mban dhe do ta mbajë peng shtetin e Kosovës, deri sa kjo qeveri të rrëzohet.

Për këtë arsye, prishja e koalicionit me PDK-në si duket i ka shërbyer LDK-së më së miri për tu këndellur dhe për tu rikthyer në vizionin e saj politikë të vërtetë. Kjo u dëshmua sidomos në dy raundet e zgjedhjeve lokale të mbajtura me 22 tetor dhe në raundin e balotazhit me 19 nëntor. Nga rezultatet e fituara në këto dy palë zgjedhje, LDK ka marrë primatin e partisë më të madhe në vend. Dhe kjo tashmë është e pakontestueshme nga se do të qeverisë më shumë komuna dhe ajo çka është më kryesore numri madh i votave të fituara dhe rritja e votës edhe aty ku nuk ka fituar, gjë e cila e bënë këtë parti përcaktuese absolute të politikave lokale dhe natyrisht një gjë e tillë është bazë kryesore për një forcë politike që pretendon qeverisjen e vendit.

Në anën tjetër, klani i PDK-së që kishte përgatitur kurthet për ta hedhur dhe për ta eliminuar nga skena politike LDK-në, pikërisht në ato kurthe ra vet!. Këtë e dëshmojnë rezultatet e fundit zgjedhore të cilat PDK-në e nxjerrin si humbësja kryesore e zgjedhjeve lokale. Kjo parti tashmë ka mbetur e izoluar në komunat e vogla si Shtimia, Drenasi, Dragashi, e Kaqaniku dhe nuk i mjafton fare fitorja në Ferizaj. Kjo është edhe një dëshmi se qytetarët e Kosovës tashmë e kanë kuptuar se boshti i së keqes dhe i mjerimit në Kosovë origjinën e ka në PDK-në e kriminalizuar. Prandaj, distancimi sa më i shpejtë i Kosovës nga kjo parti është çlirim përherë të dytë i vendit që nga qershori i 1999-es. Largimi i PDK-së nga skena politike kosovare i kthen shpresën dhe dinjitetin e qytetarëve dhe i rihapë mundësitë e reja progresive të vendit drejtë BE-së dhe perëndimit. /tesheshi.com/