Nga Imer TOPANICA: “Vitin tjetër në…”, një libër që duhet ta lexoni

Seri detektimesh mbi aktivitetet politiko-diplomatike të republikës sonë…

Libri “Vitin tjetër në…” i politologut Albinot Maloku i shkruar sipas një rrjedhe kronologjike të zhvillimit të ngjarjeve, përfshin gjithë përshkrimin dhe analizimin e aktiviteteve politike të institucioneve të Republikës së Kosovës, tash e një vit. Të shkruara, siç e thamë, në sensin kronologjik të zhvillimit të ngjarjeve, autorin e tyre e nxjerrin si një njohës të këtij dimensioni shoqëror, përkatësisht të politikës si një veprimtari së cilës s’mund t’i shmangemi. Po të orvatemi që të shikojmë më në thellësi të qenies së këtij libri, Albinot Malokun do të mund ta identifikojmë jo vetëm me një njohës të shkëlqyer të problemeve politike me të cilat përballet republika jonë, por edhe përtej saj. Ky është epiteti fillestar që mund t’ja vendosim, por Maloku është po ashtu edhe një anatomist i politikave ballkanike. Prandaj, këtu mund të themi se u ngjiz pika e parë e kësaj apologjie për librin.

Kjo përmbledhje analizash nuk të ofron vetëm një mundësi të hetimit të shtetit nga perspektiva e një politologu, por edhe nga perspektiva e një qytetari. Të shtrira mbi një kontekst kohor mjaft të paqëndrueshëm politik, social, ekonomik dhe sidomos kulturor, ato nënvizojnë mjaft vërejtje për mënyrat dhe metodat që të pushtetshmit vendosën t’i përdorin, për ta çuar në më tej zhvillimin dhe përparimin e shtetit. Këtë periudhë të shkurtër dikush do të mund ta cilësonte si regresive, por autori jo. Autori, përkundër rrethanave, i përvidhet një lloj optimizmi nëpër rreshta. Me një fjalë, ai beson te republika, ai beson në rikuperimin kulturor e politik të shoqërisë. Megjithëse vërejtjet e tij herëpashere tingëllojnë si të forta, ai s’dëshmon gjë tjetër përpos asaj që ai, në rend të parë si qytetar, kërkon më shumë nga kasta politike vendore.

Kjo përmbledhje analizash s’përbëhet veçse nga një seri detektimesh mbi aktivitetet politike e politiko-diplomatike të republikës sonë. Diplomacia kosovare, në veçanti, nuk i ka shpëtuar lupës së analistit tonë politik. Ai mbetet një kritik i ashpër i shumë veprimeve të ndërmarra nga diplomacia kosovare, mbase njërës prej hallkave më të dobëta të republikës. Maloku, në tekstet e tij sugjeron mjaft zgjidhje konkrete, pra nuk kënaqet vetëm me analizime. Prandaj, për rrjedhojë, kritikat e tij kanë më shumë kuptim.

Veprimtaritë e presidencës, kryeministrisë, parlamentit dhe institucioneve të tjera më të ulëta për kah hierarkia, analizohen, komentohen e kritikohen, duke marrë vlerësimin e merituar në fund. Synimi i autorit ka qenë dhe mbetet ndërtimi i një shteti të fortë, edukimi i qytetarit të saj nëpërmjet edukimit të politikanit.

Kemi hetuar edhe impaktin e tyre të drejtpërdrejtë, sepse fundi i fundit, edhe skena politike ka ndryshuar, e me këtë edhe qytetaria. Desha të them (në rast se e keni shmangur instiktin e lëpirjes së gishtit për t’i kapërcyer këta rreshta), këtë libër ia vlen ta lexoni në mënyrë që të mos i harroni hapat e hedhur përpara e prapa që i bëri republika jonë, përgjatë një viti. Sidomos për t’i mos i harruar hapat e gabuar që i hodhëm. /tesheshi.com/

 

Related posts