728 x 90 Leaderboard

Nga Fjolla SPANCA: Tirana, nji tregim i papërfunduem dimni

Tirana kaherë ka qenë qyteti i andrrave! Kryeqyteti shpirtnor i çdo shqiptari që rritej me amanetin stërgjyshnor për me e shkel veç nji herë, venin e të parëve! Nji sheher tepër i madh n’kujtesën përvëluese të atyre që jetonin larg!

Tirana ishte dhe mbetet foleja besnike e librit n’shqip dhe konaku i gjanë i dijes! Madje, ky qytet me lum, n’kujtimin e ‘gyrbetqarëve’ vizatohej si shpresa e parë dhe e mramë për të nesërmen tjetër, të nji populli fatkeq ndër dekada historie! Pra, do a s’do, Tirana ka qenë edhe asht qyteti i andrrimtarëve të përmalluem për nji mot ma të lehtë e ma të denjë!

Veç ambëlsisë së pranverës, flladit të vjeshtës dhe akulloreve t’shijshme, Tirana sot ka drunjë t’naltë, plot ngjyra e gjethe t’bukura! Ka edhe bulevard ku ecën lirshëm, shpërfillshëm tuj i numru menimet hutaqe! Ka lokale ku gatuhet mrekullueshëm dhe gatiten kafetë ma t’mira n’krejt Ballkanin! N’Tiranë ka treleçe, byrek, dhallë, fërgesë verore e peshk deti!

Ka kioska t’vockla dhe rugica të shtruara me libra të rinjë e të vjetër! Ka edhe kinema, teatër e shesh t’gjanë! Tirana e shqiptarit modest, i fsheh n’palcë plot dashni t’vogla, prej së cilave nis jeta dhe njerëzimi rrnon për më tregu!

Tirana n’synin tem!

Kur shkël udhëve të Tiranës, ngacmohem tek-tuk për me i kap ca dakika të papërshkruem n’fjalë. Tirana asht nji qoshk i mistershëm, që të deh n’kuriozitet! Nji tregim i papërfunduem dimni, që ta trazon shpirtin përmes bojnave të Qiellit dhe vujtjeve të pakryeme të nji shoqnije, t’hjekun keq!

Tirana asht edhe melodi që të fut n’atë oborrin e stolisun me dëshira, shpresë e pamundësi! Nji përzimje e t’idhtës me amëlsinë e bukurisë dalldisëse! Aty takoj njerëz me horizonte të pa cënueme; menje të etuna për dije; zemna t’çiltra dhe të çeluna për dashni! Ngushtohem ama prej atyne syve që kqyrin gjithë vrerë kur takojnë ‘tjetrin’ që për ta asht ‘kërcënim’, pezmatohem kur shoh të rinjë që zhgënjehen dhe treten (ose rriten) larg sepse për ata, Tirana asht kthy në makth (ose asht tepër e mbyllun). Sidoqoftë, për nji shqiptar (mesatarisht) normal, ky qytet me pak punë’ mund e zemën kish me u ba prehje! /tesheshi.com/

Related posts