728 x 90 Leaderboard

Nga Fjolla SPANCA: Në vend të urimit…

Dikur 28 Nëntori shënonte festën ma kuptimplote për shqiptarët (sidomos për ata jashtë kufijve të Shqipnisë)

Si fëmijë mbaj mend dhjetra demostrata, programe, konferenca e të tjera organizime në shenjë përkujtimi e thirrjeje për bashkimin e trojeve; në shenjë mirënjohjeje për mundin e shqiptarëve e në shenjë Malli ndaj Shqipnisë që e ruanim në krahnor prej rrëfenjave të të parëve!

Qyshkur, në kujtimet dhe zemrat tona, Shqipnija ka pasë qenë nji zonjë e randë me gra e burra t’papërtuem që sakrifikonin edhe frymën për hir t’madhnisë së atdheut!

Shqipnija e librave të historisë së vyshkun, përherë ka qenë e fismja Tokë e synyme prej armiqve të panumërt, e cila qe lanun keq e coptuar mizorisht!

Shqipnija ka qenë mbi çdo gjë, amaneti, andrra dhe dashnija e pasosun!

– Ndërsa sot, teksa qielli i mbuluem prej vransinash të panumërta shtrydh rigat e para të shiut, takoj e dëgjoj shqiptarët që vjellin helm e vner mbi Shqipninë!
– sot ma shumë se kurrë, Shqipnija asht e huaj …
– të idhnuem e të zhgënjyem, shumë sosh kërkojnë veç me ik …
– me IK.
– të lodhun prej hallesh e dertesh, shqiptarët luten mos me i pa ma ‘as bojnat ktij veni’
– të mashtruem e të tradhtuem, të rinjtë kërkojnë udhë që të çojnë nëpër qytete ku s’asht marre me qenë njeri i qetë, i butë, i drejtë e i sinqertë
– Shqipnija e politikanëve të korruptuem; Shqipnija e drogës dhe grupeve mafioze nuk asht ma mëmëdheu i trunit që çelë dituni
– Shqipnia e Ismail Qemailit; Dashnija e Isa Boletinit … sot asht Shqipnija e mallkimeve dhe trishtimit!

E n’vend t’urimit tani asht zor me i gjetë fjalët e duhuna e me i kërkue shqiptarit t’drejtë me qëndrue n’Shqipni! Asht zor me e mohue zorin që e ka pllakos jetën e qytetarit normal që nuk ‘gjallnon’ me drogë!

Ama, me hesht asht turp!
Shqipnija asht e vogël për u ba nji e keqe aq e madhe, se ashtu duan ca – ca …

Në mos, edhe kur të jenë djegun tana shpresat, ka me ardhë vakti që sytë me u kthye kah Qielli … e ashtu, n’heshtje kanë me u knue vargjet e atyne që u asht ba padrejtësi …

– n’vend t’urimit sot kujtojme daten e lindjes se njinit prej burrave ma t’çmueshem qe pati najhere Shqipnija!
– Lindja e bac Ademit! Atij krahnori qe e nxani tanë Shqipninë dhe shqiptarët!

Bac,

Ti je kanë emni i Parë,
gzim e frymezim!

tash, Anej kah prehet shpirti yt, qofsh mbulue me Flamurin e Dashnisë!

Na, ta kujtojna daten e lindjes se asht arome’ e Lirisë! Përmenje për secilin që prej tokës së vet don me ik!

#28nantor
#ademjashari

/tesheshi.com/

Related posts