728 x 90 Leaderboard

Nga Fitim ZEKTHI/ Propaganda, zgjedhjet dhe një shembull amerikan

Në çdo fushatë zgjedhjesh, gjëja e parë që bën një parti është përkufizimi i vetes dhe më pas përkufizimi i kundërshtarit. Partia, pasi studion me kujdes me strategjistë zgjedhorë, ekspertë sondazhesh dhe këshilltarë politikë, përcakton  temën e fushatës,  përcakton  pikën në të cilën ajo do të përqëndrojë fokusin e saj.  Përshembull: tema kryesore në zgjedhjet e para pak kohëve në Greqi, ishte marrëdhënia e vendit me treshen e kreditorëve ndërkombëtarë dhe  masat shtrënguese në ekonomi.

Partia e ish kryeministrit Samaras (Demokracia e Re), dëshironte që fushata të zhvillohej mbi një temë tjetër, si për shembull:  rezultatet e ngadalta por premtuese të reformave, dalja e vendit nga kolapsi dhe nga makthi i falimentimit. Kjo nuk qe e mundur për shkak se fushata u përkufizua nga Syriza. Ishte ajo që diktoi temën e saj. Në zgjedhjet e mesmandatit në SHBA të mbajtura nëntorin e kaluar, tema e fushatës ishte ekonomia, ritmi i ulët i rritjes dhe niveli ende shumë i lartë i papunësisë, ndërhyrjet masive – shumë të kritikueshme sipas tyre,  të demokatëve në ekonomi.

Republikanët ishin ata që përkufizuan temën e fushatës në nivel kombëtar. Demokratët e kishin të vështirë  të diktonin temën e fushatës, e cila sipas tyre duhet të fokusohej tek tejkalimi i krizës dhe rimëkëmbja e ekonomisë. Në Greqi, Syriza e përkufizoi veten si partia që do ndryshonte rrënjësisht politikën në Greqi dhe që do t`i jepte shkelmin një politike disavjeçare të komanduar nga dy dinasti (Papandreu dhe Karamalis), që kishin shkatërruar Greqinë dhe ishin kthyer në vasalë të BE-së.

Ndërsa Demokracia e Re, e përkufizoi veten si partia që drejtoi Greqinë në periudhën më të keqe të pasluftës së Dytë Botërore dhe që mundi të ruajë paqen sociale përmes politikash të ndershme por të dhimbshme. Siç dihet, Syriza fitoi  qartë. Në SHBA, Republikanët e përkufizuan veten si parti e inisiativës së lirë dhe e politikave që sjell vende pune, si parti që do të ndalte socializmin e Presidentit Obama. Demokratët e Presidentit Obama i përkufizuan Republikanët si pengues dhe veten si progresistë, nën lidershipin e të cilëve vendi po rikthehej në ditët e mira.

Demokratët humbën keqas të dy dhomat e kongresit dhe mjaft gara guvernatoriale. Në Shqipëri, pas rreth 3 muajsh mbahen zgjedhjet vendore të cilat si gjithnjë do të kthehen në zgjedhje politike. Ndonëse nuk janë caktuar ende kandidatët, partitë kanë nisur të përvijojnë termat e fushatës. Partia Demokratike e ka bërë të qartë se shumica në qeveri është një entitet politik i mbërthyer nga korrupsioni, e lidhur me krimin e organizuar, të cilin e ka çuar deri në qeveri dhe parlament.

Për opozitën, në këto zgjedhje përballë nuk ka kandidatë për kryetarë bashkish të koalicionit PS – LSI, por kandidatë që kërkojnë të konfirmojnë korrupsionin, krimin dhe varfërimin e vendit.  Fushata e opozitës duket se do të hasë vështirësi të mëdha në përkufizmin e vetes. Çfarë do t`u thotë ajo shqiptarëve për veten? Ajo nuk mund ta përkufizojë veten si parti që ngjall shpresë, si parti që është për shkak të përkorësisë së saj diga e vetme ndaj mynxyrës që ka sjellë qeveria.

Shumica në qeveri po bën përpjekje gjigante për të dalë nga lluca e mosrealizmive, e akuzave për lidhje me krimin, e situatës së rëndë në ekonomi dhe rend.  Kryeministri po përpiqet të inagurojë vepra publike si impianti i ujërave të zeza në Saranë, ai mbetjeve urbane po atje, landfilli në Elbasan, etj., për t`i dhënë një mundësi qeverisë ta përkufizojë si të sukseshme. Gjithashtu, qeveria prej kohësh ka ndërtuar një propagandë në shkallë të gjerë ku flitet për rimëkëmbje në ekonomi, për reforma në taksa, pensione, investime etj.

Qeveria do të dëshironte një fushatë lokale mbi çështje të zhvillimeve lokale, të investimeve në bashki, të rregullimit të shërbimeve etj. Qeveria do të përpiqet ta shmangë diskutimin mbi krimin, trafikun, rendin, situatën në ekonomi. Shumica në qeveri do të vijojë edhe gjatë zgjedhjeve ta përkufizojë opozitën si oborri i SHQUP-it, të ç’orientuar dhe që nuk po kupton se vendi po zhvillohet, në një kohë që ajo ka mbetur tek koha e djeshme.

Fushata duket se do të jetë mjaft e polarizuar, me opozitën që do të përpiqet të diktojë temën e saj duke u foksuar tek krimi , korrupsioni dhe lidhjet e tyre me qeverinë; dhe shumicën që do të dojë gjithashtu të diktojë një temë tjetër siç thamë më lart, por që fatkeqësisht do të detyrohet të luajë në fushën ku do e hedhë opozita.  Polarizmi është një nga gjërat më të këqija që mund t`i ndodhë një fushate zgjedhjesh. Marc Lazar, një politolog i Universitetit të Sorbonës, thotë se polarizimi bën të pamundur gjetjen e të vërtetës; tonet e larta dhe akuzat  e mëdha  errësojnë gjithë të vërtetën dhe diskutimin e arsyeshëm.

Polarizimi i madh është tipar i partive të majta, komuniste, të cilat nuk jetojnë dot pa tjetrin.  Tjetri duhet të asgjësohet dhe kështu që vetvetiu polarizimi është i lartë. Megjithatë, historia e zgjedhjeve ka dëshmuar se ekonomia reale është një faktor vendimtar në përcaktimin e fituesit. Ka autorë që kanë ndërtuar edhe modele statistikore që paraqesin  me saktësi të admirueshme rezultatin e zgjedhjeve bazuar në tregues të punësimit, konsumit, rritjes ekonomike, etj.

Kur Barak Obama  humbi zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2010, dy vjet pasi kishte fituar bindshëm presidencën, shumë studiues filluan të rimendojnë disa nga modelet e deriatëhershme të analizave. Në ato zgjedhje, demokratët e Presidentit Obama pësuan humbjen më të rëndë që një parti që kishte kontrollin mbi Shtëpinë e Bardhë kishte njohur që nga viti 1928.

George Will, një nga analistët më të përkorë të shtypit amerikan, shkroi në Washington Post se mund të kesh gjithë gazetat e vendit, gjithë televizionet e vendit, gjithë elitën e universiteteve, gjithë sindikatat, Hollywood-in, gjithë politikanët e botës dhe gjithë gazetat dhe televizionet në botë, por në qoftë se nuk ke sukses në punë atëherë zgjedhjet do t`i humbësh. Mund të bësh propagandë pa fund dhe mund të mbash fjalime përditë, shkroi George Will por gjendja e ekonomisë dhe e vendit në tërësi përcakton rezultatin e votimit.

Në fakt, politikat e Shtëpisë së Bardhë në ato dy vite nuk kishin prodhuar asgjë në ekonominë amerikane të goditur rëndë nga kriza e 2008-ës. Votuesi në Shqipëri nuk sillet në të njëjtën mënyrë si ai amerikan, por elementë të përbashkët ka me siguri. /tesheshi.com/

Related posts