Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

Nga Fitim ZEKTHI: Morali përbën dallimin mes të majtës dhe të djathtës

Humbja e zgjedhjeve lokale nga PD-ja çeli diskutime mbi përgjegjësitë, mbi mënyrën si u zhvillua fushata, dhe mbi atë se çfarë duhet të jetë opozita. Për fat të keq, këto diskutime u përqendruan më së shumti tek detaje të sipërfaqshme, që kanë të bëjnë me njerëzit e afruar nga kryetari Lulzim Basha, me njerëzit të cilët e këshillojnë, apo me njerëzit që kanë ndikim tek ai,  se cilët ishin koordinatorët e fushatës, a ka një largim nga Sali Berisha, apo qejfmbetje si kjo.

Në fakt, kjo tregon se debati është, ose ishte, apolitik, dhe se ka të bëjë me lakmitë dhe luftërat vulgare personale. Arsyet pse opozita i ka humbur zgjedhjet janë të shumta. Tek këto arsye ka elementë organizativë, politikë, demografikë, ka ndërthurje mes tyre, etj. Një parti nuk është thjesht një entitet që kërkon vota dhe mbledh vota. Një parti është një organizëm që ka ide dhe bindje të sajat, me anë të së cilave kërkon të marrë vota, dhe po me anë të tyre të qeverisë. Diskutimi mbi opozitën duhet të nisë pikërisht nga idetë dhe bindjet që e udhëheqin apo që duhet ta udhëheqin atë.

PD-ja pretendon se është një parti e qendrës së djathtë. Për të djathtën, morali është themeli mbi të cilin ajo ndërton mendimin dhe veprimin e saj politik. Për të djathtën, rruga për të përmirësuar gjërat kalon gjithnjë nga përmirësimi moral i individit. Gjithkush bën luftën e tij me defektet e tij. Ndërsa e majta beson se rruga për t’i ndryshuar gjërat kalon përmes betejës me defektet e shoqërisë. Kjo është arsyeja pse e majta ka të shkruar në kodin e saj gjenetik militantizmin, aktivizmin, revolucionin. Dhe kjo është arsyeja pse e majta prodhoi disa nga totalitarizmat më të egër të historisë, si komunizmin dhe fashizmin (shumica e studiuesve të totalitarizmave mbrojnë idenë se fashizmi apo nazizmi janë një nga format e ekstremizmit të së majtës; Tim Stanley, Leon Poliakov, etj.).

Për të djathtën, e mira arrihet gradualisht. Përmirësimi është përpjekje e vazhdueshme, një nga një. Një filozof amerikan, Denis Prager, thotë se edhe brezi më fisnik i lindur ndonjëherë sërish duhet t’i mësojë fëmijët e tij si të luftojnë me natyrat e tyre. Ndërsa e majta nuk fokusohet te zhvillimi individual i karakterit. Ajo gjithmonë dhe kudo është fokusuar te revolucioni social. Për të majtën, njeriu është i mirë, dhe për çdo akt të keq të tijin është përgjegjëse shoqëria; ajo duhet të mbajë përgjegjësi, dhe ajo duhet të ndryshojë, të tranformohet, etj. E djathta e quan shumë të rëndësishme përgjegjësinë individuale, sepse e djathta beson tek zgjedhja e lirë e individit. Për këtë arsye, partitë e djathta që në fillimet e tyre e kanë patur një shtyllë të rëndësishme moralin. Profesori i Universitetit të Berkley-it (Californi), George Lakoff, një nga shkencëtarët më të njohur konjitivë sot në botë, thotë se edhe fjalori që përdor e majta dhe e djathta në lidhje me moralin është shumë i ndryshëm. Sipas tij, e djathta e lidh moralin thellësisht me metaforën Fuqi Morale. Kjo metaforë, në sistemin moral të mendimit të djathtë dhe të partive të djathta, nënkupton të qenit i mirë si të qenit i lartë, dhe të qenit i keq si të qenit i ulët.

Në konceptin moral të së djathtës kanë vend shprehi të tilla si: ai është një qytetar i fisëm, ai është i lartë, kjo ishte një gjë e ulët, ai është si gjarpri në bar, të bësh veprime djallëzore është të lëvizësh nga koordinatat e moralshme tek imoraliteti. Partitë e djathta e kanë shumë më të pranishëm fenë dhe Zotin në diskursin e tyre. Partitë e majta që në krye kanë qenë antiklerikaliste. Ato janë ngritur mbi premisën se Zoti nuk ekziston, se feja është errësirë, se është mirë që ajo të mos ekzistojë fare.  Në fillesat e së majtës,  jakobinët në Francë i mbyllën të gjitha kishat (shumë i dogjën), e vranë mijëra priftërinj. Në Spanjë, në vitin 1938, forcat socialiste vranë po ashtu mijëra priftërinj. Komunizmi nuk ka rëndësi të përmendet.

Kulturalisht, e majta ka prodhuar miliona faqe tekste kundër fesë, qindra filma, teatro, piktura, skulptura, e lloj-lloj veprash të tjera. Ndonëse mund të duket shumë abstrakt dhe i largët si këndvështrim, ky është një element themelor në shpjegimin e mënyrës se si sillen partitë, e të mënyrës si u drejtohen njerëzve. Ky këndvështrim është një element i rëndësishëm i shpjegimit të rezultatit zgjedhor, sidomos në vende që kanë të kaluar komuniste si ne. Votuesi i majtë nuk gjykon moralisht, ai nuk voton nisur nga kategori të tilla. Votuesi i majtë ka për kriter bazë përkatësinë: “Në qoftë është i partisë sime, nuk ka rëndësi se çfarë është.” Për shembull, ish-oficerët, ish-komunistët, e njerëzit që kanë patur funksione në regjimin komunist votojnë thuajse 100% për Partinë Socialiste. Vetë kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha në shumë raste gjatë fushatës se nuk i duhej askujt një burrë i mirë kandidat për kryetar bashkie. Për Ardian Turkun, që kandidonte në Elbasan, apo për Voltana Ademin, e cila kandidonte në Shkodër, Rama u shpreh se janë burra dhe gra të mira, por kjo nuk kishte asnjë rëndësi!

Votuesi i djathtë voton duke patur për kriter bazë moralin. Peggy Noonan, analiste e njohur politike në SHBA, thotë se Truman-i dhe Reagan-i fituan dhe u bënë presidentë vetëm sepse ishin njerëz të mirë. Ajo shprehet se, “ata nuk dinin asgjë nga politika krahasuar me politikanët e tjerë të kohës së tyre, ama e shpëtuan jo vetëm Amerikën, por edhe botën, nga fatkeqësi të mëdha vetëm sepse ishin njerëz të mirë.“ David Kahneman (nobelist) dhe Amos Tsverky, që kanë studiuar mënyrën se si votojnë njerëzit, thonë se brenda gjithë irracionalitetit të votuesit vihet re kjo e përbashkët: “të majtët zgjedhin nisur nga përkatësia, dhe të djathtët nisur nga morali.”

Të gjithë e dinë se Partia Socialiste, dhe e majta në tërësi, ka marrë në Shqipëri një numër thuajse të njëjtë votash. Edhe kur ka humbur në vitet 2005 dhe 2009, edhe kur ka fituar në vitet 2001, 2003, 2007 apo 2013, e majta ka marrë të njëjtën sasi votash, me shumë pak luhatje. Pra, sado keq të jetë moralisht e majta, ajo sërish nuk votohet kundër. Partia Demokratike mund të zbresë në përqindje qesharake kur degradon moralisht, siç ndodhi në vitin 2013, kur pati zona ku zbriti deri në 16 apo 17 për qind. Votuesi i djathtë refuzon të votojë në qoftë se nuk sheh veprim moral, sjellje morale, vendimarrje morale, dhe, për rrjedhojë, kandidatë dhe fushatë të mbështetur mbi këtë shtyllë. Morali është i shkruar në kodin gjenetik të votuesit të djathtë, siç është shkruar përkatësia në kodin e votuesit të majtë.

Partia Demokratike është krijuar si një forcë morale e vënë përballë një regjimi dhe një partie krejtësisht amorale në vitin 1991. Sado të kenë lëvizur gjërat në kodin gjenetik të votuesit dhe të sajin, kjo ka gjurmën e vet. Në PD, ndryshe nga partitë e majta, mund të ketë ish-komunistë (ka ish-komunistë), mund të ketë ish-bllokmenë, ish-gjykatës e ish-prokurorë të regjimit komunist, mund të ketë trafikantë apo hajdutë, por askush nuk mund të mburret pse është komunist, a pse ka qenë bllokmen apo i biri i ndonjë anëtari të Byrosë Politike. PD-ja nuk mund të mburret me mosmburrjen e tyre, por duhet t’i largojë! Partia Demokratike duhet të ndahet nga njerëzit të cilët vijnë prej komunizmit, duhet të ndahet prej atyre që në atë kohë kishin një rol sado të vogël në përndjekje, në mjetet e informimit të regjimit, apo në organe të tjera.

Kjo është një betejë e vështirë, dhe kërkon kohë. Basha ka aftësinë ta çojë PD-në drejt kësaj trajektoreje. Partia që ai drejton duhet t’i respektojë ata të cilët punojnë, ata që kanë sukses, ata që me zotësitë e tyre kanë arritur të bëjnë diçka. Ajo që ka ndodhur në qeverisjen e djeshme duhet thënë, duhet pranuar, dhe duhet mbajtur përgjegjësi! Përgjegjësia mbahet duke mos u dhënë një rol atyre që kanë dështuar, apo, më keq akoma, atyre që janë korruptuar. Veprimi duhet të institucionalizohet, dhe vendimet duhet të jenë transparente. Opozita duhet të gjenerojë kulturë dhe mendim politik, e jo të rrijë gjithë kohën duke lexuar denoncime. Kjo do ta çonte vetë atë drejt hapjes, dhe po kjo do t’i çonte drejt largimit të tërë ata që duan ta lënë në gjendjen ku është, apo, edhe më keq, në gjendjen ku ishte.

Kjo është rruga e vetme e drejtë e një force të  djathtë! Ka të drejtë edhe kundërshtari të fitojë. PD-ja mund edhe të humbë në zgjedhje, por ka humbur në rrugën e saj. Nuk ka humbur në rrugë të mbushura me mbetje të vjetra, e shumë të vjetra, që janë jo vetëm pengesa, por edhe degraduese. Ndryshe, le të shpallë se është një parti e majtë, e le të mos e ketë moralin një element të rëndësishëm të qenies së vet! /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts