Nga Fitim ZEKTHI: Fushata e kryeministrit nuk ka substancë

Ka diçka të rëndësishme që nuk shkon në fushatën që po drejton kryeministri Rama. I mungon oferta, ose ofertës i mungon substanca. Në 2 maj, në Kukës, Rama u shpreh se “në këto vite janë investuar në Kukës më shumë sesa janë investuar në 25 vite së bashku.” Ai shpërndau disa certifikata legalizimi, u kërkoi grave t’i çonin burrat në “drejtimin e duhur”, dhe tha se demokratët nuk meritojnë asnjë votë. Në Berat, më 8 maj, kryeministri tha përsëri se, “kemi investuar në këto dy vite aq sa nuk janë investuar për 25 vjet.” Kërkesën për gratë nuk la pa e përsëritur. Këtë gjë kryeministri e tha në Shkodër më 3 maj, në Lushnje dhe në Fier më 4 maj.

Vijoi në datat 9,10,11 dhe 12 maj në  Gjirokastër, Korçë, Sarandë, Elbasan, të thoshte se qeveria kishte investuar në këto vite sa ishin investuar në 25 vite së bashku. Kjo broçkull u dëgjua të thuhet edhe nga kandidati i PS-së në Fier, Subashi, i cili përsëriti saktësisht se, “kemi investuar në këto dy vite sa janë investuar në 25 vjet.” Edhe Elvis Roshi tha më 2 qershor në Kavajë se janë investuar në këto dy vite aq sa janë investuar në 25 vjet. Po më 2 qershor, kandidati i Durrësit, Dako, tha gjatë takimeve në fshatin Romanat se kemi investuar në këto vite aq sa janë investuar në 25 vjet. Nuk ka nevojë për asnjë lloj aritmetike për të kuptuar pavërtetësinë, por edhe cinizmin poshtërues të këtyre deklaratave.

Edhe qeveritë më të këqija të Xhibutit, Mianmarit, Kongos apo Turkmenistanit nuk mund të investojnë në qytetet e tyre për 25 vjet kaq pak, sa një qeveri e mirë, e transplantuar aty në mënyrë magjike, do ta bënte për dy vjet, edhe sikur të drejtohej nga Linkolni, Lindon Xhonsoni apo Ajzenhaueri (të cilët njihen për investime të mëdha). Në anën tjetër, kryeministri, pasi e ka përkufizuar veten si njeri që investon kaq shumë, nuk mund të lërë pa përkufizuar edhe kundërshtarin. Kundërshtari (Basha dhe opozita) është në krizë të thellë, kërkon të bëjë luftë politike, nuk i duhen bashkitë për punë, nuk di, nuk ka gjë në dorë. Ditët e fundit, e nisi gjatë një takimi në Elbasan më 30 maj, sulmoi propozimet e Bashës për ulje taksash apo për ndërhyrje të tjera në politikat fiskale për të ulur papunësinë, duke thënë se kjo është një fushatë lokale. Kryeministri tha se taksat i ul parlamenti, dhe opozita nuk ka si i bën gjëra të tilla kur ajo ka vetëm pak deputetë.  Ai nuk e di që legjimiteti i tij dhe i politikave të veta, dhe në çdo demokraci në botë, matet përditë.

Në qoftë se Basha fiton zgjedhjet, kryeministri duhet të reflektojë ndaj propozimeve të bëra prej tij, sepse ato po votohen, po miratohen nga njerëzit. Nuk mund të thuhet se si do ta bëjë ai kur nuk ka vota të mjaftueshme në parlament. Presidenti amerikan, Obama, ka ndryshuar thuajse çdo vit pjesë të rëndësishme të paketave fiskale nisur nga reagimi i publikut. Ligji i madh i kujdesit shëndetësor, një reformë e pabërë dot në 100 vitet e fundit, është ndryshuar në mjaft elemente të tij gjatë të paktën 4 viteve të fundit, për shkak të mënyrës së reagimit të publikut, por edhe për shkak të rezultateve në zgjedhje (kryesisht ato të mesmandatit), të cilat kanë qenë të dobëta. Kjo është një praktikë e njohur kudo. Ndaj qëndrimi i kryeministrit është thjesht një element jodemokratik më shumë në ligjërimin e tij. Në 8 prill të vitit 2011, kryeministri i sotëm çeli fushatën e partisë së tij, atëherë në opozitë, për zgjedhjet lokale.

E nisi fjalën duke treguar si kishte dhënë bursa për nxënësit e mirë, dhe shkoi menjëherë tek lufta politike. Slogani i asaj fushate ishte: “E vetmja rrugë”. Rama e përdori 9 herë në atë fjalim fjalën kusarë, 20 herë përemrin vetor ne, vetëm 1 herë fjalën socialist, 20 herë fjalën Sali. Vota u quajt armë për hakmarrje. Vetëm për fushatë vendore nuk bëhej fjalë, dhe ishte legjitime. Sot Rama kërkon të zhvillojë një fushatë tjetër, një fushatë e cila nuk ka substancë. Fushata të tilla bënin kandidatët e Frontit Demokratik, me ndryshimin e vetëm se kundërshtarët e tyre nuk ishin fare. Pjesa tjetër, mbi punët që nuk qenë bërë në shekuj, është njëlloj!/tesheshi.com/