Nga Ferdi KAMBERI: Viti i ri 2018 dhe sfidat nga viti që lamë pas

Gjatë eksplorimit të mediave shohim se pothuajse pjesa më e madhe e mediave pasqyrojnë reklama të ndryshme rreth çmimeve për vitin e ri 2018. Kjo vërehet edhe në rrjetet sociale, ku marketet e mëdha dhe hotelet e ndryshme ofrojnë ofertat e tyre për të gjithë të interesuarit. Kjo nuk do koment, sepse një gjë e tillë ndodhë në të gjithë globin. E rëndësishme është njeriu me u ndje mirë dhe me kalua një kohë me familje në këtë kapitalizëm të egër i cili ka de-individualizuar njeriun tej mase dhe ka krijuar raporte de-sociale në mes të shoqërisë. Madje, qytetarët janë aq të preokupuar pas punëve ditore sa që nuk kanë kohë që t’i kushtojnë familjes, në veçanti fëmijëve të tyre. Suedia si një ndër shtetet më të zhvilluara në Evropë, duke parë këtë natyrë të punës dhe pangopësinë e njeriut i cili është shndërruar në një “alianim/tjetërsim” thënë në gjuhën e Marksit, ka marrë vendim që punëtorët të kenë një ndryshim të orarit të punës nga 8 orë në 6 orë, në mënyrë që 2 orë të tjera t’i kushtohet rëndësi agjentit të parë të socializimit, pra vet familjes. Por ku jemi ne? Sa kemi krijuar një afërsi sociale me familjet tona? Përse janë të zbehta raportet familjare dhe ndërfamiljare? Ku është ai kohezioni social i cili dikur ka mbretëruar në familjet shqiptare! Përgjigjet e shumta do të jenë që me siguri se ka një konglomerat faktorësh, faktorë të cilët disi me një shpejtësi të madhe kanë ndikuar në de-ekuilibrimin e raporteve familjare dhe ndërfamiljare tek shqiptarët.

T’i kthehemi temës së lartcekur, pse ky entuziazëm për vitin e ri 2018, kur shoqëria kosovare ka pasur probleme të theksuara gjatë vitit 2017. Ndoshta më mirë është që të bëhet një vetë reflektim para së të hyhet në 2018. Edhe pse tek e fundit vetë esenca e festave është që njeriu të jetë afër familjes, të shkëmben mesazhe dhe dhurata, të ketë urime, karakteristika këto të cilat e fuqizojnë identitetin social të njeriut, i japin kuptim atij dhe i fuqizojnë raportet ndërshoqërore.

Por, pavarësisht kësaj, viti që lamë pas ishte një vit me plotë sfida dhe probleme të cilat do të mundohemi që në pika të shkurtra t’i elaborojmë, si vijon:

Mungesa e një zhvillimi socio – ekonomik – Kosova, edhe pse ka pasur një rritje ekonomike prej diku 3%, ajo në vazhdimësi është përballur me problemet e theksuara të kësaj natyre, sidomos me një papunësi të lartë e cila në fakt ka prodhuar një varfëri të lartë. Mungesa e investimeve direkte dhe jo direkte, mos koordinimi në mes të institucioneve publike për aftësimin profesional të të rinjve konform nevojave të tregut, mungesa e një orientimi të përgjithshëm shtetëror ndoshta kah zhvillimi i politikave të mirëqenies sociale, si dhe faktorë të tjerë, janë disa ato probleme dhe sfida të cilat e kanë karakterizuar këtë vit. Për këtë qëllim gjatë vitit 2017, të dhënat relevante nga ASK kanë potencuar se: “Sipas rezultateve të AFP-së, në TM3 2017, shkalla e papunësisë është 30.2%. Papunësia më e theksuar është te femrat me 38.0 %, krahasuar me meshkujt, 27.8%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 53.3%. Sipas rezultateve të AFP-së, në TM3 2017, fuqia joaktive është mjaft e lartë me 56.5%, me fokus të veçantë te femrat me 79.8%, krahasuar me meshkujt, 33.4%” (http://ask.rks-gov.net/sq/agjencia-e-statistikave-te-kosoves/add-news/anketa-e-fuqise-punetore-afp-tm3-2017).

Pa perspektiva e të rinjve – në disa dokumente dhe hulumtime del se shteti i Kosovës ka një strukturë të përbërë nga rinia me një përqindjeje prej 60% – 65%, gjë që konsiderohet si rinia më e re në Evropë. Kur një shtet ka potencial të një rinie e të tillë, padyshim se do të duhej të supozohet e ardhmja është në duar të sigurta. Por, kur rinia e një shteti ka një mungesë të një perspektive, atëherë duhet të brengosemi se vërtetë kemi probleme. Çfarë ndodhë në të vërtet, gjatë bashkëbisedimit me shumë të rinj ata shprehen se “në Kosovë nuk ka perspektivë dhe është vështirë të gjesh punë…”. Kurse, pjesa më e madhe e tyre shprehen se janë të gatshëm të emigrojnë në momentin që do të ketë një liberalizim të vizave edhe pse realisht një gjë e tillë shihet me skepticizëm. Prandaj, viti 2017 ka qenë vit sfidues edhe për rininë e cila nuk e ka gjetur vetën askund dhe një barrë e tillë padyshim se bie mbi supet e vet shtetit.

Shpërfaqja e sjelljeve devijante – nëse bëjmë një kërkim në google rreth sjelljeve devijante, fjalët kyçe të cilat do t’i gjenim me siguri se janë: vrasje në x qytetin, 17 vjeçari therë me thikë bashkëmoshatarin, rrahje masive në një x shkollë, abuzohet më nxënësit e kësaj/asaj shkolle, dhunë ndërmjet bashkëmoshatarëve, dhunë në familje, dhunë ndaj fëmijëve, si dhe shumë fjalë kyçe simotra të sjelljeve devijante. Pra, viti 2017 ka qenë një ndër ato vite ku shoqëria kosovare në vazhdimësi është përballur me sjelljet e tilla devijante sidomos nga rinia, të cilat kanë përquar mesazhe konkrete se nëse nuk do të ketë intervenime në riparimin e raporteve familjare dhe ndër familjare, me siguri se pasojat do të jenë të mëdha për familjen dhe shoqërinë.

Prandaj, në kuadër të këtij refleksioni kemi prekur vetëm disa çështje të cilat kanë qenë sfida të përgjithshme për shoqërinë kosovare gjatë vitit 2017 dhe si të tilla meritojnë një analizë më të thellë në opusin shoqëror që të njëjtat të minimizohen në vitin 2018. Me fjalë të tjera, viti i ri 2018 duhet që të reflekton në segmentin e fuqizimit kohezionit social dhe interventimit në çështjet të cilat kanë qenë sfiduese gjatë vitit 2017. Viti 2018 po ashtu, duhet të jetë vit i unitetit në mes të njerëzve në shoqërinë kosovare dhe vit i cili do të fokusohet në mirëqenien e përgjithshme të qytetarëve të Kosovës dhe një perspektive më të mirë se deri më tani! /tesheshi.com/

 

Related posts