728 x 90 Leaderboard

Nga Ferdi KAMBERI: Roli i shoqërisë civile në fuqizimin e demokracisë kosovare

Ndryshimet dhe zhvillimet sociale të cilat ndodhën në shekullin XX bënë që shumë shtete të kishin një periudhë të vështirë transformimi nga shtete despotike në shtete demokratike. Një kontribut jashtëzakonisht të lartë në këtë transformim, padyshim se dhanë shoqëria civile dhe mediat. E para pati një rol dhe rëndësi të madhe në zhvillimin e ngjarjeve të cilat ndodhën, sidomos si zë i qytetarëve dhe e dyta vetëm sa e forcoi të parën. Për këtë qëllim, shoqëria civile ishte ai zëri i cili përveç transformimit të cilin e cekëm më lartë, ndikoi që edhe shteti të ketë atribute të cilat kishin si qëllim përmirësimin e kualitetit të jetës së qytetarëve dhe  kujdesin e një mirëqenie sociale më të mirë për të gjithë qytetarët. Madje, jo rastësisht thuhet që pikërisht apetitet dhe nevoja për përqafim të demokracisë lindi nga shoqëria civile në rrethanat shoqërore të krijuara në bllokun komunist në Evropën Lindore gjatë shekullit të kaluar.

Ndaj, demokracia sot nuk mund të paramendohet pa shtyllat e saj, në të cilat bëjnë pjesë këto të dyja (shoqëria civile dhe mediat). Përderisa mediat janë konsideruar si produkt i globalizmit, shoqëria civile është konsideruar si “zëri i qytetarëve”, një zë i cili ka pasur për qëllim jo vetëm kritikën konstruktive ndaj pushtetit, por edhe luftimin e pabarazive të shfaqura në shumë shtete si rezultat i rrethanave të krijuara.

Sipas Gellnerit, shoqëria civile “është grumbull i institucionesh dhe shoqatash mjaftë të fuqishme që parandalojnë tiraninë…” (shih: Ernest Gellner – Kondidat e Lirisë, fq. 173), që ndërlidhet ngushtë me atë që potencuam më lartë. Me fjalë të tjera, mund të arrijmë në përfundim se shoqëria civile ka rol domethënës në ndërtimin e shoqërisë, rritjen e vlerave dhe drejtësisë sociale, promovimin e barazisë gjinore, fuqizimin e raportit të kohezionit social në zhvillimin dhe avancimin e mëtutjeshëm të demokracisë. Po ashtu, roli i saj është jetik edhe në: “qasjen që ka ndaj kufizimit të fuqisë së pushtetit, duke përfshirë sfidimin e abuzimeve të autoritetit, monitorimin e të drejtave të njeriut dhe forcimin e sundimit të ligjit, monitorimin e zgjedhjeve dhe rritjen e cilësisë së përgjithshme, si dhe kredibilitetin e procesit demokratik, edukimin e qytetarëve për të drejtat dhe përgjegjësitë e tyre, ndërtimin e një kulture të tolerancës dhe përfshirjes qytetare, inkorporimin e grupeve margjinale në procesin politik dhe rritjen e përgjegjshmërisë së këtij të fundit për interesin dhe nevojën e shoqërisë, sigurimin e mjeteve alternative jashtë shtetit për komunitetet, për të rritur nivelin e tyre të zhvillimit material, hapjen dhe pluralizmin e flukseve të informacionit dhe ndërtimin e një elektorati për reforma ekonomike dhe politike” (http://www.democracy.ru/english/library/international/eng_1997-5/page3.html)  

Duke parë rolin e saj në ndërtimin e një shoqërie stabile, në kontekstin kosovar, mund të shohim se para vitit 1999 shoqëria civile ka pasur një rol të pazëvendësueshëm, duke qenë zëri i qytetarëve karshi padrejtësive të cilat bëheshin në atë kohë, megjithëse si organizata të shoqërisë civile kanë qenë më pak se sot. Mirëpo, pas vitit 1999 e këtej, mund të vërejmë se organizatat e shoqërisë civile janë rritur dukshëm të cilat po ashtu kanë një rol domethënës në konstruktin e shoqërisë kosovare.

Bazuar në Ligjin Nr. 04/L-57 për Liri të Asociimit në OJQ, organizatat e shoqërisë civile i ndan në dy kategori kryesore: a) në shoqata dhe b) në fondacione, por që të dyja këto duhet të regjistrohen pran organeve kompetente, në këtë rast MAP-it. Sot në Kosovë, konsiderohen se operojnë mbi 8.000 organizata të shoqërisë civile vendore dhe ndërkombëtare të cilat janë të regjistruara pran organeve përkatëse. Sido që të jetë, shoqëria civile ka një rol tejet të lartë në ndërtimin e demokracisë kosovare, duke dhënë një kolorit proceseve të rëndësishme politike, ekonomike, kulturore dhe në përgjithësi ato shoqërore. Madje, për të pasur një bashkëpunim sa më të mirë, janë hartuar edhe politika publike (strategji), në mënyrë që të ketë një bashkëpunim sa më të frytshëm në mes të pushtetit dhe shoqërisë civile. Gjithashtu, disa të dhëna tregojnë se: “për vetëm dy vjet, ministritë, komunat dhe agjencitë tjera publike, kanë ndarë mjete financiare në formë të subvencioneve për Organizatat Jo-Qeveritare, 27 milionë e 859 mijë e 305 euro” (shih: https://telegrafi.com/per-dy-vjet-shoqeria-civile-perfitoi-rreth-28-milione-euro-nga-buxheti-i-kosoves-lista-e-ojq-ve/). Ky buxhet ka pasur për qëllim që organizatat e shoqërisë civile të përfshihen në segmente të ndryshme për zhvillimin e shtetit të Kosovë, duke dhënë kontribut edhe në sferat tjera po ashtu të rëndësishme, ndër to edhe në integrimet evropiane.

 

Progresi, dështimet dhe sfidat e shoqërisë civile në Kosovë

Deri më tani prekëm disa çështje të cilat kanë të bëjnë me shoqërinë civile në Kosovë dhe rolin e saj në ndërtimin e demokracisë kosovare. Megjithatë, shoqëria civile gjatë kësaj periudhe ka pasur progrese të saj dhe sfida me të cilat është ballafaquar në vazhdimësi. Lidhur me progreset e saj mund të pohojmë se: ata kanë qenë zë kritik ndaj pushtetit pavarësisht se kush ka qëndruar në pushtet. Si shoqëri civile kanë dhënë kontribut jashtëzakonisht të lartë në promovimin e politikave publike të cilat kanë pasur për qëllim zhvillimin e shoqërisë dhe të shtetit në të gjitha segmentet e jetës. Shoqëria civile ka qenë ajo që ka kontribuar në promovimin e “egalitarizmit”, në promovimin e barazisë gjinore dhe të drejtësisë sociale, ajo (shoqëria civile) ka qenë zë kritikë ndaj shpërfaqjes së dukurive negative në shoqërinë kosovare. Gjithashtu, shoqëria civile ka qenë më e zëshmja në luftën kundër nepotizmit dhe korrupsionit. Progres tjetër i rëndësishëm ka qenë edhe krijimi i urave lidhëse në mes të komuniteteve të cilat jetojnë dhe veprojnë në Kosovë, ku shoqëria civile ka pasur një rol të rëndësishëm sidomos në zhvillimin e dialogut social.

Disa nga dështimet e shoqërisë civile të cilat kanë qenë gjatë këtyre 17 viteve, mund t’i përmendim edhe: mostrajtimi i duhur i të gjitha komuniteteve sidomos atyre fetare në Kosovë, ku shpeshherë një pjesë nga shoqëria civile ka qenë indiferente ndaj shkeljes së të drejtave, në veçanti ndaj të drejtave të femrave të mbuluara, të cilat janë përjashtuar nga shkollat. Raste të tilla ka pasur edhe gjatë shpërndarjes së literaturës fetare nga komuniteti mysliman në rrugët e kryeqytetit, me ç rast një gjë e tillë iu është mohuar atyre nga organet kompetente, pavarësisht faktit se ata paraprakisht kanë pasur leje për një gjë të tillë. Kurse, pjesëtarëve nga komuniteti i krishterë një gjë e tillë iu është lejuar në vazhdimësi. Këto raste, nga shumë analistë vendor dhe nga mediat vendore janë konsideruar si standarde të dyfishta dhe shoqëria civile nuk ka reaguar pothuajse fare. Vlen të cekët edhe fakti që shoqëria civile ka qenë indiferente ose ka pasur reagime të vonuara me rastin e trajtimit të femrave si skllave seksi gjatë disa emisioneve në Shqipëri. Dështimet të tjera, konsiderohen edhe lajthitjet nga ana e politikës kosovare, ku pjesëtarë nga shoqëria civile janë konformuar shumë lehtë, etj.

Kurse sa i përket sfidave dhe problemeve me të cilat ballafaqohet shoqëria civile në Kosovë, padyshim se ato janë të shumta dhe nuk mjaftojnë që më pak rreshta të elaborohen. Megjithatë, disa nga sfidat e saj kanë qenë: hermetizimi social i shoqërisë civile si rezultat i presioneve nga ana e politikës, kërcënimet të cilat kanë qenë edhe ndaj gazetarëve, por edhe ndaj pjesëtarëve të shoqërisë civile, mungesa e buxheteve, pavarësisht faktit që institucionet vendore kanë pasur një bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile, por që ato bashkëpunime kanë qenë relative.

Në përgjithësi mund të themi se shoqëria civile në Kosovë ka një rol të rëndësishëm në konstruktin e shtetit dhe institucioneve të Kosovës, përfshirë këtu segmentet e rëndësishme të cilat janë orientim për të ardhmen. Ajo po ashtu ka kontribuar dhe vazhdon të ketë këtë domen edhe sot në fuqizimin dhe zhvillimin e demokracisë në vend. Shoqëria civile duhet të ketë rolin e saj kritik dhe konstruktiv në ndërtimin dhe zhvillimin e shoqërisë në të gjitha segmentet, duke qëndruar stoik parimeve të saj karshi rrethanave të krijuara dhe sfidave të ndryshme që ka para vetes. /tesheshi.com/

Related posts