Nga Ferdi KAMBERI*: Përdorimi i selfi-ve, obsesionimi dhe ndikimi i tyre në ndryshimet e personalitetit

Zhvillimi i shkencës, teknologjisë dhe informatikës ka bërë që njeriu modern të arrijë pothuajse në piedestalet më të larta të shoqërisë. Distancat hapësinore – gjeografike, rajonale, kontinentale, ndërkontinentale që dikur kanë qenë të pa imagjinuara të tejkalohen, sot nuk mund të thuhet e njëjta gjë, sepse falë këtij hiper – zhvillimi gjërat në praktikë kanë ndryshuar dukshëm, kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Ana e tjetër e medaljes që shpeshherë ka preokupuar komunitetin e sociologëve është se si përdoret sot shkopi magjik – interneti dhe “selfi-të” dhe sa ndikojnë ato në ndryshimet e personalitetit tonë si qenie. Selfi-të mund të definohen si një lloj portreti virtual apo fotografi e cila është realizuar përmes telefonave të mençur (smart phone) dhe të cilat kryesisht postohen në rrjetet sociale, si: instagram, facebook, twitter, linkedin, e të tjera. Deri vonë as fjalorët modern nuk e kanë pasur këtë nocion në shënimet e tyre. Mirëpo, në vitin 2013 fjalori i Oxfordit theksoi se kjo është një fjalë e re e cila ka hyrë në domenin e fjalorthit urban së fundi. Sipas këtij fjalori selfi është “Një fotografi që dikush e ka fotografua vetën, zakonisht foto e bërë me telefon të mençur ose kamerë dhe që shpërndahet përmes mediave sociale” shih (https://en.oxforddictionaries.com/definition/selfie).

Historiku i selfi-ve nuk është i ri, atë e hasim qysh në fundin e shekullit XIX-të atëherë kur fillon masivizimi i prodhimit të fotove. Robert Korneli ishte i pari që kapi imazhin e tij, duke gjetur një mënyrë për të bërë kështu një selfie e cila ia mori një minutë kohë, për shkak se në atë kohë mjetet e fotografisë punonin ngadalë. Pas kësaj periudhe fillon etapa e shtresave aristokrate të cilat shpesh bënin selfie, kryesisht rreth dizajnit të rrobave, stilit, mënyrës së jetesës së tyre, ahengjeve, e kështu me radhë. Në vitet e fundit kemi qenë dëshmitarë të asaj që fenomenologjia e “selfi-ve” është hiper – shpejtuar shumë dhe shpeshherë ka rrezikuar edhe jetën e njerëzve duke provuar “misione të (pa) mundura, gjë që shumë prej tyre kanë gjetur vdekjen. Sipas një raporti të bërë nga BBC del se “259 persona kanë gjetur vdekjen si rezultat i selfi-ve në mes të vitit 2011 dhe 2017” (https://www.bbc.com/news/newsbeat-45745982). Këto të shifra tani mund të kenë arritur edhe në shifra më të larta, të cilat janë shqetësuese për shoqërinë moderne.

Duke marrë parasysh faktin që shoqëria shqiptare konsiderohet se janë ndër përdoruesit më të mëdhenj në Ballkan të teknologjisë informative, nuk do koment se edhe selfi-të gjejnë hapësirë në përdorimin dhe plasimin e tyre në rrjetet sociale. Si duket trendit i selfi-ve nga një kulturë lokale është shndërruar një obsesion global, sidomos për moshat më të reja, megjithëse nuk përjashtohen edhe moshat më të vjetra dhe të dy gjinitë. Por shtrohet pyetja se përse bëjmë selfi-e ose çka na motivon? Si ndihemi kur realizojmë selfi? Sa ka ndikim në personalitetin tonë?

Bazuar në teoritë sociologjike, ne si shoqëri (post) moderne gjithnjë e më shumë po jetojmë në një publik të madh, në këtë publik të madh individualizmi është duke ngadhënjyer karshi kolektivizmit dhe kjo ka bërë që njerëzit të ndihen të vetmuar dhe atë vetmi ta shohin si atashim psikologjik tek realizimi i self-ve qoftë vetëm apo ndonjëherë edhe me miq. Ndoshta ka të drejtë Marcuse i cili në librin e tij “Njeriu Një Dimensional” thekson se avancimi teknologjik çliroi vetë-portretin nga bota e artit dhe ia dha atë masave. Si duket pikërisht kjo teknologji fizike dhe digjitale po e lajthitë njeriun modern drejtë një vetë vlerësimi ndonjëherë edhe të tepruar të veprimeve si ai i “racionalitit teknologjikë” thënë më konkretisht në gjuhën Marcusiane. Sido që të jetë, sociologët dhe psikologët janë të mendimit se selfi-et sot zakonisht përdoren:

  • Për të komunikuar me familjen, miqtë, rrethin dhe shoqërinë, si brenda po ashtu edhe jashtë kufijve;
  • Për të shpërfaqur identitetin, vlerat dhe normat shoqërore në të cilat jetojmë dhe veprojmë;
  • Për të pasur një afiliacion (nevojë për shoqëri) me të tjerët, atëherë kur ndjehemi se kemi pasiguri sociale;
  • Për Të krijuar një imazh më të mirë për vetën, sepse ne ndryshojmë sjelljet dhe qëndrimet atëherë kur marrin indikacione nga të tjerët qofshin ato pozitive apo negative;
  • Për të transformuar identitetin individual në atë social, që do të thotë se përmes selfi-ve ne mundohemi që shpeshherë të tregojmë se Kush jemi në fakt dhe Kush duam të jemi? Kjo ka të bëjë me vetëvlerësimet e tepërta që shpeshherë ia atribuojmë vetës sonë;
  • Për t’u dukur më bukur, tërhequr vëmendjen edhe pse një gjë e tillë në parim aludon më shumë kah një narcizëm;
  • Për të krijuar një egocentrizëm/ të qenurit në qendër të vëmendjes;
  • Në mënyrë që të masin pulsin psikologjik se si na perceptojnë të tjerët, si na gjykojnë dhe si krijojnë bindjet për ne.

Në kontekstin shqiptarë mund të shohim se selfi-et nuk bëjnë përjashtim, madje ato në rrjetet sociale janë goxha të pranishme. Mjafton që përmes vëzhgimeve të analizojmë fotot në rrjetet sociale dhe të shohim një konglomerat selfi-e që nga njerëzit e thjeshtë e deri tek politikanët. Kjo ka të bëjë me një pasqyrë se si e perceptojmë ne vetën tonë dhe se si dëshirojmë që të tjerët na shohin. Sipas sociologut Charles Cooley një gjë e tillë ka të bëjë me “shikimin e vetës në pasqyrë” e cila ka tri komponente kryesore: ne imagjinojmë se si na perceptojnë të tjerët; ne imagjinojmë gjykimin e tyre për ne; dhe ne ndiejmë diçka nga ky gjykim i imagjinuar, si krenaria, gëzimi ose sikleti.

Selfie tashmë pothuajse është shndërruar në një afinitet normativ i cili është prezentë në çdo shoqëri dhe kulturë. Gjithashtu, stilet e paraqitura gjatë pozave në selfie mund të flasin shumë për karakterin e njerëzve dhe si të tilla janë ngulitur thellë në jetën tonë sociale edhe ashtu të ngarkuar nga dinamika e jetës. Ato mund të pasqyrojnë: guximin, harenë, gëzimin, dëshprimin, naivitetin, krenarinë, altruizmin, mërzinë, e të tjera, tipare këto të cilat kanë ndërlidhje me ndryshimet e personalitetit të njeriut.

Krahasimi social me të tjerët

Psikologu i njohur Leon Fistinger qysh herët ka folur rreth mundësisë që ne krahasojmë vetën me të tjerët. Sipas tij “kur njerëzit janë të pasigurt për cilësitë dhe opinionet e tyre, sidomos kur informacioni objektiv është i pamundur për t’u marrë, atëherë ata vlerësojnë vetën duke bërë krahasimin me të tjerët e ngjashëm” (shih: E. Dragoti: Psikologjia Sociale, 1999). Kjo do të thotë që ne zakonisht krahasimet sociale i bëjmë në raport me personat tjerë që janë pak a shumë të ngjashëm si ne, por jo me ata që ndoshta janë më të lartë se ne. Fakti që selfi-et paraqitën në dimensione të ndryshme prodhon një krahasim social të standardit jetësor, vlerave dhe normave të shoqërisë shqiptare në të cilën jetojnë.

Efektet pozitive dhe negative të selfi-ve

Duhet theksuar se sot akoma ekziston një diskurs social mbi efektet pozitive apo negative të cilat i kanë selfi-t.

Disa nga efektet pozitive mund t’i numërojmë:

  1. përforcimi i besimit – zakonisht para çasteve të fotografimit ose kamerave ne mundohemi që të kemi një vetë besim më të lartë, të dukemi më bukur dhe pëlqimet apo komentet që i marrin në mediat sociale reflektojnë në përforcimin e besimit në vetën tonë,
  2. kontakti me kulturat tjera – selfi-et mund të jenë instrument i mirë për krijimin e urave lidhëse në mes të kulturave tjera. Ky komunikim ka ndikim gjithashtu edhe në përmirësimin e jetës shoqërore, sepse komunikimi dhe qasja sociale në raport me të tjerët vetëm sa e krijon dhe fuqizon një kohezion social dhe njerëzit i integron në sferën e integrimit social.
  3. kujtimet e çastit/momentit – jemi në dijeni se bota është globalizuar dhe ky globalizim ka prodhuar diversitet të kulturave, jetë dinamike, individualizëm, si dhe shpërfaqje të një mori fenomenesh tjera. Kujtimet janë ato që neve shpeshherë na lidhin emocionalisht, fizikisht dhe shpirtërisht me familjen, rrethin social, komunitetin dhe shoqërinë. Ato janë pasqyrë e jona e cila reflekton retrospektivën, historikun, momentin, çastet nëpër të cilat kemi kaluar dhe pasqyrojnë ndjenjën e të qenurit pozitiv dhe forcimin e raporteve sociale me pjesëmarrësit në selfi.

Në kuadër të efekteve negative, disa nga to mund t’i numërojmë:

  1. narcizmi dhe kompleksi i inferioritetit – të bërit selfi-e në vazhdimësi është indikatorë që shpërfaq një narcizëm, njëherit pasqyron edhe kompleksin e inferioritetit në raport me të tjerët. Një gjë e tillë mund të ndodhë atëherë kur ne kemi bërë selfi, kemi postuar në rrjetet sociale dhe shohim se nuk kemi marrë vëmendje sociale, nuk kemi pranuar pëlqime dhe kjo mund të ulë vetëbesimin që kemi për vetën, komunitetin dhe shoqërinë,
  2. dëmtimi i raporteve shoqërore – postimi i selfi-ve në vazhdimësi mund të jetë sinjal për dëmtimin/prishjen e raporteve shoqërore, një gjë të tillë e pohojnë edhe studiuesit në Universitetin Heriot-Watt – Edinburg. Ata zbuluan se një gjë e tillë ndikon negativisht në nivelet e intimitetit,
  3. rreziqet tjera – shpeshherë kemi parë edhe në medie që njerëzit duke bërë selfi kanë përfunduar në tragjedi, andaj rreziqet e të bërit selfi në vende të rrezikshme mund të kenë pasoja fatale duke përfunduar me vdekje. Rreziqe të tjera mund të përmendim edhe faktin që gjatë postimit të sefli-ve ne njëkohësisht postojmë lokacionin ku ndodhemi dhe kjo mund të jetë një sinjal për vjedhësit që mund të hynë në shtëpitë tona.

Prandaj, në elaborimin e këtij refleksioni të shkurtër mund të arrijmë deri tek përfundimi se përdorimi i selfi-ve në mënyrë jo të rregullt prodhon një obsesion/varësi, ajo gjykohet edhe nga shoqëria dhe individin e shndërron një narcizoid dhe ndikon në personalitetin e individit. Ndërsa, nëse selfi-et përdoren me qëllim të pasqyrimit të arritjes së rezultateve/performancës gjatë rrugëtimit të jetës atëherë me siguri se kanë një reflektim pozitiv si për vetë individin po ashtu edhe për komunitetin dhe shoqërinë. /tesheshi.com/

*Sociolog

auto pjese dak

Related posts