Nga Ferdi KAMBERI: Media dhe mediokriteti në Kosovë

Mediat konsiderohen si produkt i globalizmit dhe shpeshherë ato janë parë edhe si pushteti i katërt pas atij ekzekutiv, legjislativ dhe atij gjyqësor. Në fakt, mediat kanë një influencë sociale dhe së bashku me shoqërinë civile ishin dy elementet kryesore të cilat bënë që shumë pushtete totalitare në shekullin e kaluar të transferoheshin në demokraci. Së këndejmi, zhvillimi i shkencës, teknologjisë dhe informatikës ka bërë që sot të ketë një masivizim të mediave, gjë shpeshherë sociologët këtë fakt e kanë parë edhe si një lloj revolucioni.

Ndaj, bazuar në këto zhvillime vërejmë që edhe Kosova menjëherë pas vitit 1999 e këtej filloi me masivizim të mediave së pari duke përdorur teknologjinë informative dhe pastaj duke kaluar nga transmetimi analog në atë dixhital sikurse simotrat e saj në shtetet e Bashkimit Evropian. Kështu që gradualisht, duke parë zhvillimin e mediave në përgjithësi në botën bashkëkohore, edhe në Kosovë së fundi është shënuar rritje e mediave sidomos atyre elektronike të cilat janë shndërruarsi portale të pavarura. Edhe pse të dhëna mbi numrin e përgjithshëm të portaleve nuk ka, por të dhënat nga ARBK për vitin 2015 theksojnë se nga: “Nga 01.01.2015 deri më 31.12.2015 janë regjistruar 44 biznese që aktivitet primar kanë uebportalet. Momentalisht janë të regjistruara gjithsej 59 biznese” shih: (http://lajmi.net/vetem-brenda-nje-viti-ne-kosove-u-hapen-59-portale/) .

Me siguri se ky numër është më i lartë tashmë pas dy viteve. Por ka edhe portale të tjera të cilat nuk janë të regjistruar dhe se qëllimi i tyre është të krijojnë “fake news” e cila ndryshe njihen si një lloj lajmi i rremë ose një gazetari apo propagandëe verdhë që përbëhet nga dezinformata të qëllimshme ose mashtrime të përhapura nëpërmjet medias së shtypit dhe transmetimit tradicional ose medias sociale në internet(Leonhardt, David; Thompson, Stuart A. (June 23, 2017). Me fjalë të tjera, mediat në Kosovë janë duke u shtuar dita ditës dhe si rezultat i kësaj kemi media të shumta dhe me një kualitet tepër të ulët dhe shpërfaqje të disa problemeve të theksuara, të cilat i kemi pasqyruar si më poshtë:

 

Mediat si “Big Brother

Diskursi i zhvilluar në nivel global mbi mediat dhe ndikimin e tyre edhe në jetën shoqërore, padyshim se zë hapësirë të rëndësishme edhe në Kosovë. Mund të thuhet se mediat sidomos ato elektronike janë shndërruar si një “Big Brother/Vëllai i madh”, i cili është dijeni pothuajse për çdo gjë që ne veprojmë, jetojmë, ku shkojmë, me kë jemi apo ku gjendemi. Ky fakt u fuqizua edhe më shumë sidomos nga intervista e dhënë nga ish-themeluesi i facebook-ut (Sean Parker) i cili tha: “Krijova një përbindësh – “Vetëm Zoti e di se çfarë po u bën trurit të fëmijëve tanë!”. Ky është alarmi i lëshuar jo nga ndonjë përdorues i rëndomtë i rrjeteve sociale, por nga një person që ka një peshë të madhe në ngritjen e Facebook…”, gjë që tregon edhe për mundësinë e varësisë nga rrjetet e tilla, por edhe si një Big Brother i cili është në dijeni pothuajse për çdo gjë e kjo me siguri edhe si rezultat i plasimit informacioneve nga vet ne.

 

Media shumë, kualitet pak

Jemi dëshmitarë të asaj që mediat në Kosovë vetëm sa po shtohen dhe kjo falë teknologjisë dhe mjeteve të saj, të cilat janë prezentë tek ne. Mirëpo ajo që vërehet nga sociologët e komunikologjisë është që pjesa më e madhe e tyre janë mediokër, ato nuk kanë kualitetin e duhur dhe punën mediatike më shumë e kanë biznes se profesion dhe pasion. Madje, gjatë bashkë bisedimeve me shumë persona që punojnë ose kanë punuar në mediat elektronike, ata shprehen se “në pjesën më të madhe të rasteve, pronari është kryeredaktor, pronari ështëeditor, pronari është lektor, dizajner, pothuajse të gjitha i bënë ai/ajo vetë. Kurse, pjesën e gazetarisë ose e bëjnë gazetarët që në disa raste është copy – paste nga media në media ose ndodhë që edhe këtë gjë të realizojnë vetë pronarët”. Kryesisht, fitojnë përmes reklamave (marketingut), pëlqimeve, shpërndarjeve e kështu me radhë.

 

Disa nga shkaqete masivizimit dhe mediokritetit të mediave në Kosovë

Cekëm disa nga problemet me të cilat ballafaqohen mediat sot në Kosovë, sidomos mungesën e një gazetarie hulumtuese dhe një medioktritet i cili ato po i shndërron më shumë në kuantitet se sa në kualitet. Prandaj, në këtë refleksion të shkurtër kemi pasqyruar disa nga shkaqet e masivizimit të mediave dhe mediokritetit të tyre, si:

  • Ndikimi i revolucionit tekniko – teknologjik, i cili ka prodhuar internetin si mjet apo rrjetëzim social i cili ka mundësuar që të gjithë të kenë qasje në të pa ndonjë selektim;
  • Mungesa e një konkurrence të mirëfilltë mediale;
  • Mungesa e një gazetarie hulumtuese;
  • Mungesa e kuadrove të reja të cilat kanë punën mediale jo vetëm profesion, por edhe pasion;
  • Manipulimi me pëlqime (like dhe share) për përfituar nga lajmet “fake news”;
  • Tituj bombastik, kurse struktura boshe;
  • Dhënia përparësi kiçit/shoundit/anti-vlerës se sa vlerave të mirëfillta, qofshin ato kulturore, edukative, sportive, muzikore, art, shkencë, e të tjera.

Këto janë disa nga shkaqet që kanë ndikuar që në njërën anë të ketë një boom të mediave sidomos elektronike dhe në anën tjetër, pikërisht ky boom mediatik të ketë shfaqur disa probleme të theksuara të cilat i cekëm më lartë. Mediat në këtë kontekst janë duke krijuar një manipulim me opinion publik përmes asaj që Chomski e quan “Strategji të shpërqendrimit” e cila ka të bëjë me një kontroll social, qëllimi i së cilës është që të devijojë vëmendjen e publikut nga çështjet e rëndësishme dhe ndryshimet e përcaktuara nga elitat politike dhe ekonomike, me teknikën e përmbytjeve, apo krijimin e një hutie të vazhdueshme dhe informacion të parëndësishëm.

Prandaj, si përfundim mund të themi se mediat janë të rëndësishme për jetën e njeriut për shkak të ndikimit të tyre që kanë në edukimin e opinionit publik dhe informimin e tyre dhe për këtë qëllim ato janë të njohura si agjensi të socializimit. Mirëpo mediokriteti i tyre ka bërë që edhe në Kosovë të ketë numër të madh të tyre, por jo edhe kualitet. Kjo me siguri edhe si rezultat i kontrollit të tyre i cili gjithashtu reflekton me orientimin e politikës ndaj tyre, që do të thotë se ata që sponsorizojnë mediat, ata i kontrollojnë ato. /tesheshi.com/