728 x 90 Leaderboard

Nga Ferdi KAMBERI*: Komunikimi, mediet dhe mediokriteti

Në jetën e përditshme shpeshherë ne flasim për komunikimin duke dhënë për të përkufizime nga më të ndryshmet. Megjithatë, kur kemi një komunikim me publikun ose masat, atëherë shohim se komunikimi është më i gjerë dhe ai përveç që është proces, ka të bëjë me shkëmbimin e informacioneve në mes të dy personave (marrësit dhe dhënësit). Në këtë drejtim, komunikimi shpërfaqet si nevojë njerëzore, si pjesë e identitetit, si dhe si proces përmes së cilit ne arrijmë që të shkëmbejmë informacione me palët tjera.

Komunikimi jo çdo herë është i lehtë, sidomos kur kemi të bëjmë me komunikimin publik dhe neve kemi raste kur ndryshe mendojmë dhe ndryshe komunikojmë ose ndonjëherë ne mendojmë se kemi transmetuar mesazhin tonë, por pala tjetër ka keqkuptuar ose iu është dhënë një konotacion negativ. Një gjë e tillë edhe më shumë vështirësohet kur mesazhi ynë transmetohet përmes medieve të cilat janë prore të globalizmit. Shekulli XXI konsiderohet si epokë e globalizmit dhe digjitalizimit dhe si i tillë ky shekull ka mundësuar që njeriu të thyen barrierat dhe të komunikon me pjesën tjetër të globit, kjo falë këtij procesi të digjitalizimit. Mirëpo, ajo që shpeshherë ka qenë diskurs social jo vetëm në ambientin shqiptarë, por edhe më gjerë, ka qenë pikërisht mediokriteti i cili shpërfaqet përmes medieve.

Mediokriteti ka të bëjë më shumë me një aftësi të kufizuar në këtë rast në fushën mediale, gjë që shpeshherë mediumet për shkaqe dhe rrethana të ndryshme ndikojnë që opinioni të shtrembërohet dhe të merr konotacione negative. Çdo profesion është një lëmi e veçantë, ku njeriu përveç anës së përkushtimit do të duhej ta ushtronte edhe me pasion. Edhe profesioni gazetaresk kërkon një pasion të tillë, sepse përveç anës së informimit të publikut, gazetarët do të duhej të kenë një kod etik i cili është një rregull i shkruar me disa parime të cilave duhet t’ju përmbahen gazetarët. Rastet e fundit të cilat kanë vërshuar edhe në vendin tonë kanë të bëjnë me fake news e cila në fakt paraqet një mediokritet. Duke parë këtë problematikë dhe sfidë për vendet e Evropës, Komisioni Evropian “është angazhuar me të gjitha palët e interesuara për të përcaktuar një plan veprimi të qartë, gjithëpërfshirës dhe të gjerë për të trajtuar përhapjen dhe ndikimin e dezinformatave në internet në Evropë dhe për të siguruar mbrojtjen e vlerave evropiane dhe sistemeve demokratike. Andaj, komunikata nga KE është që mediet duhet që t’iu përmbahen katër (4) parimeve gjatë veprimit të tyre: a) Përmirësimit të transparencës në lidhje me mënyrën e prodhimit apo sponsorizimit të informacionit; b) Diversitetin e informacionit; c) Besueshmërinë e informacionit; d) Zgjidhjen gjithëpërfshirëse me përfshirjen e palëve të interesuara” (shih: https://ec.europa.eu/digital-single-market/en/fake-news-disinformation). Nëse analizojmë me kujdes këto parime, shohim se shumë pak medie i përfshijnë nën ombrellën e tyre, sepse mungesa e një konkurrence të mirëfilltë përveç tjerash ka bërë që edhe fake news të jetë e përhapur goxha shumë në mjedisin tonë social dhe publiku t’i pranon fare lehtë ato.  

 

Fake news dhe desorientimi i opinionit publik

Fake news/lajmet e rreme të cilat ndryshe njihen edhe si propagandë e verdhë kanë qenë prezentë së fundi goxha shumë jo vetëm në vendet perëndimore, por edhe në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe më gjerë. Mjafton që të klikojmë mbi portalet e ndryshme online ose në mediat sociale dhe të shohim dallimet ndërmjet portaleve të ndryshme për të njëjtin lajm por me versione të ndryshme. Ndaj qëllimi i lajmeve të tilla është thjeshtë desorientimi i opinionit publik për shkaqe të ndryshme ndër to: marrja e pëlqimeve (like-ve) për të rritur rejtingun e medias, të qenurit në qendër të vëmendjes si medium, zhvendosja e vëmendjes së opinionit publik nga ngjarjet ditore dhe proceset nëpër të cilat po kalon vendi, pastaj eksperimenti social përmes së cilës matet opinioni publik për një temë të caktuar, por edhe faktorë të tjerë.

Fake news, sot ka bërë që opinioni të manipulohet lehtë përmes formave moderne, sidomos duke shfrytëzuar potencialin e shkopit magjik – internetit. Kjo metodë si duket po ketë sukses në shumë vende, përfshirë vendin tonë. Disa nga këto lajme janë evidente që përfshijnë: temat rreth vizitës së alineve në vendin tonë, pastaj teoritë konspirative, temat politike, temat religjioze, megjithëse nuk përjashtohen edhe temat tjera, ku mediumet konsiderojnë se përmes atyre arrijnë efektin e dëshiruar. Një gjë e tillë ka të bëjë me efektin “Echo” i cili konsiderohet efekt psikologjik i cili lehtëson dhe ndikon në procesin e besimit në lajme të rreme. Kjo ndodhë atëherë kur përmes tyre njerëzit besojnë dhe konsumojnë këto lajme pa bërë fillimisht ndonjë përzgjedhje apo pa analizuar burimin se A përbën vërtet lajmi i tillë informacion të vërtetë apo jo?! Pikërisht në këtë segment mundësia e gabimit është më e lartë, sepse nuk ka analizë të informacionit dhe njerëzit për shkak të dinamikës së kohës janë të prirë që gjërat t’i marrin shabllon. Studimet kanë treguar se nëse disa njerëz të besueshëm kanë të ngjarë të gabojnë, mundësia e përcjelljes së gabimit është shumë më e lartë nga pjesa tjetër e njerëzve, për shkak të modelimit të tyre në besim, vlera, sjellje dhe qëndrime.

 

Problemet të cilat mund t’i shkakton shoqërisë fake news

Mediokriteti i cili po shfaqet së fundi në Kosovë nga shumë media sociale lidhur me fake news mund të paraqet probleme të konsiderueshme. Së pari mund të ndikon që vetë media të ketë ulje të kredibilitetit në raport me publikun, sepse opinioni publik mund të ndikohet disa herë dhe pastaj mund të mos ketë besim në medien e caktuar. Së dyti, mediet përmes pasqyrimit të lajmeve të tilla mund të ndikojnë që opinioni të ketë një dezorientim për lajmet apo informatat e caktuara. Së treti, një gjë e tillë mund të ketë ndikim edhe në panikun dhe pasigurinë sociale të vendit. Shembull të tillë kemi pasur muaj më parë, kur filluan lajmet e tilla se në Kosovë do të kishte prapë luftë dhe qytetarët filluan të kishin një panik dhe pasiguri sociale.

Prandaj, në përgjithësi mund të vërejmë se fake news ka krijuar një mediokritet edhe në gazetarinë shqiptare dhe mediumet janë shndërruar në një instrument i cili akterëve të mëdhenj (sponzoruesve) ju konvenon. Në anën tjetër, kjo po e sfidon edhe opinionin publik, duke krijuar një luhatje të besimit dhe perceptimit të tyre jo vetëm ndaj medieve, por edhe ndaj institucioneve të vendit. /tesheshi.com/  

Sociolog*

Related posts