Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

Nga Ferdi KAMBERI*: Imagjinata sociologjike dhe periudha post-COVID

Shfaqja e COVID 19 si pandemi globale ka gjetur shoqërinë bashkëkohore në një kaos për të cilën nuk ka pasur shpjegime dot, edhe pse në fakt pandemitë kanë ekzistuar edhe më parë dhe ato në vazhdimësi e kanë përcjellë njerëzimin deri më sot. Por, kjo pandemi me këtë sistem të avancuar të teknologjisë i ka dhënë një kahe krejtësisht tjetër.

Mjedisi social në të cilin jetojmë dhe veprojnë ka ndryshuar dhe pasojat tashmë kanë filluar të shfaqen si në shëndetin mendor, po ashtu edhe ato ekonomike, sociale, kulturore, politike, besa edhe globale. Duke parë këtë amulli dhe pa dalje, sociologët janë munduar që të hulumtojnë dhe analizojnë, si dhe të japin orientime se si dhe kah duhet shkuar shoqëria. Sociologu i njohur C. Wright Mills qysh herët kishte folur rreth imagjinatës sociologjike e cila sipas tij ka të bëjë me “aftësinë e mendjes, e cila na lejon të kuptojmë historinë dhe biografinë, si edhe marrëdhëniet midis tyre në shoqëri, si një kusht për të kuptuar ç’ndodh në botën shoqërore që na rrethon dhe për të shpjeguar atë që ndodh”.

Sipas këtij koncepti, imagjinata sociologjike është ajo që i mundëson individit të kuptojë kontekstin më të gjerë të problemit apo fenomenit social. Në fakt, imagjinata sociologjike nuk kishte për qëllim të na linte të ndiheshim të pafuqishëm sidomos në situata të vështira, përfshirë këtu rreziqet globale, por ajo synonte që të na fuqizonte përball rreziqeve të tilla. Mills e pa imagjinatën sociologjike si një mjet thelbësor për përgjegjësinë shoqërore, për shkak se ne zgjedhim të jemi pjesë e lëvizjeve shoqërore dhe veprimit kolektiv, ne solidarizohemi me të tjerët dhe kërkojmë të drejta themelore për të tjerët, të drejta këto që në disa raste mund të jenë në rrethana më sfiduese sesa ne vetë.

Kur i bëjmë të gjitha këto gjëra, mund të ndikojmë edhe në jetën tonë individuale në mënyra pozitive ose thjeshtë të ndihemi më mirë shpirtërisht. Andaj, në kohën e kësaj pandemie e cila si duket do të jetë për një kohë mysafire e paftuar e shoqërisë bashkëkohore, imagjinata sociologjike është metoda dhe botëkuptimi ose qasja e cila duhet analizuar secili nga ne dhe e cila mund të na shërbej se si të kalojmë këtë periudhë dhe se si të fuqizojmë raportet ndër shoqërore.

Covid 19 dhe shpërfaqja e pabarazive sociale

Pabarazitë sociale janë prezentë në të gjitha kulturat dhe shoqëritë, ato manifestohet si rezultat i dallimeve konceptuale në mes të individëve dhe grupeve sociale. Në fakt, në kontekstin sociologjik pabarazia shoqërore karakterizohet nga prezenca e mundësive dhe shpërblimeve të pabarabarta për pozicione ose statuse të ndryshme shoqërore brenda një grupi ose shoqërie. Si e tillë përmban modele të strukturuara dhe të përsëritura të shpërndarjeve të pabarabarta të mallrave, pasurisë, mundësive, shpërblimeve dhe ndëshkimeve. Ajo përfshinë pabarazinë në të ardhura, pabarazinë në poste publike, pabarazinë gjinore, racore, fetare, si dhe forma të tjera të pabarazisë shoqërore.

Sociologët theksojnë se ekzistojnë dy mënyra kryesore për të matur pabarazinë sociale: a) pabarazia e kushteve dhe b) pabarazia e mundësive. E para i referohet kushteve të shpërndarjes së pabarabartë të të ardhurave, pasurisë dhe të mirave materiale. Kurse, e dyta ka të bëjë me pabarazitë e mundësive e cila apriori ka të bëjë me shpërndarjen e pabarabartë të shanseve të jetës ndërmjet individëve. Me rastin e shpërfaqjes së pandemisë globale të COVID 19 janë shfaqur të dy lloje të këtyre pabarazive të cilat ende vazhdojnë të jenë prezentë. Sipas faqes UNDP feature: “Të ardhurat globale për kokë banori pritet të bien katër përqind. Banka Botërore ka paralajmëruar se virusi mund të shtyjë midis 40 dhe 60 milion (njerëz) në varfëri ekstreme këtë vit, me Afrikën nën-Sahariane dhe Azinë Jugore të goditur më rëndë. Po ashtu, Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) vlerëson se gjysma e njerëzve që punojnë mund të humbin punën brenda disa muajve të ardhshëm dhe virusi mund t’i kushtojë ekonomisë globale rreth 10 trilionë dollarë. Programi Botëror i Ushqimit thotë se 265 milion njerëz do të përballen me nivele krize të urisë nëse nuk ndërmerren veprime të drejtpërdrejta” (UNDP Feature). Këto fakte tregojnë se tashmë ekziston një hendek në mes të pandemisë globale të COVID 19 dhe pabarazive të cilat janë shfaqur dukshëm dhe kanë cenuar kryesisht grupet e margjinalizuara, por edhe shoqërinë e gjerë.

Studimet po ashtu flasin se “këto pabarazi ndihen përgjatë linjave të ndryshme, nga përkatësia etnike deri te të ardhurat. Grupet e pakicave dhe personat me aftësi të kufizuara përballen me pengesa të shumta në qasjen në shërbimet thelbësore. Pandemia njashtu ka rritur më tej pabarazitë socio-ekonomike” (Myers, 2020). Në kontekstin kosovar, pandemia ka sjellë goxha dëme në sfondin e ekonomisë së vendit. Kështu, bazuar në analizën tematike të publikuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) në korrik të këtij viti, citohet raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar i cili thekson se “BPV e Kosovës pritet të zvogëlohet me 5% në vitin 2020, pasuar me rritje prej 7.5% në 2021. Të ardhurat fiskale pritet të ulen deri më 12% në vitin 2020, marrë parasysh rënien e papritur të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) dhe të detyrimeve doganore. FMN gjithashtu ka parashikuar që faturat e turizmit parashikohet të ulen me rreth 20% në vitin 2020, pasi udhëtimet e diasporës mund të ndalen në TM2 për shkak të kufizimeve të udhëtimit, duke shkaktuar kështu humbje të mëdha në industrinë e mikpritje”. Normalisht që efektet socio – ekonomike vetëm sa kanë filluar të ndihen dhe ato me siguri se do të ndihen edhe më vonë, ndoshta në periudhat tjera, të cilat do të ndikojnë edhe në rritjen e pabarazive shoqërore në vend. Mund të reflektojmë se në sfondin e pabarazive sociale janë shfaqur të dy tipologjitë e pabarazive dhe atë dukshëm.

Së pari, një pjesë e qytetarëve kanë qenë më të privilegjuar me rastin e kufizimeve të lëvizjes (ndoshta edhe për shkak të qasjes, pozitës, statusit shoqëror, etj), pastaj edhe në rastet e pakove ndihmëse, sidomos procedurat burokratike kanë bërë që qytetarët të marrin me vonesë mjetet e premtuara ose fare nuk i kanë marrë dhe për këtë gjë nuk ka pasur një monitorim adekuat. Së dyti, pabarazitë e mundësive si shembull në rastin e edukimit që një pjesë e qytetarëve nuk kanë pasur as pajisje teknologjike për të vijuar mësimet online ose për tu lidhur me platformat e ndryshme virtuale. Ndoshta shumë e më shumë qytetarët janë solidarizuar dhe kanë dhuruar pajisje të tillë se sa institucionet përgjegjëse të arsimit, gjë që është dashur të jetë hapi i parë menjëherë pas zhvendosjes së procesit mësimor në platformat virtuale/online.

Nevoja për ndryshimin e sistemit shëndetësor

 Shpërfaqja e COVID 19 dhe rritja e numrit të rasteve dha një sinjal të qartë për qeveritë globale se duhet të investohet më shumë në sferën e shëndetësisë. Madje, edhe në ato shtete të cilat deri dje kishin primatin e shëndetësisë ishte një shenjë se gjërat duhet lëvizur në kontekstin e së ardhmes, përndryshe do të paraqiten probleme të theksuara në shoqëri.

Në rastin e Kosovës, shëndetësia nuk ka qenë asnjëherë prioritet i qeverive dhe shpërfaqja e pandemisë globale të COVID 19, Kosovën e ka gjetur në një kaos shëndetësor ka pasur probleme të theksuara në këtë segment që nga hapësirat e ngushta në spitale e deri tek mjetet themelore të shëndetësisë. Ky fakt ka rritur dukshëm vigjilencën edhe të politikës, por edhe të qytetarëve se shëndetësia duhet jetë top prioritet për shkak se ka të bëjë me mirëqenien e shëndetit të njeriut.

Prandaj, pandemia ka dhënë një sinjal se në të ardhmen gjatë planifikimit të buxhetit duhet të merret në konsideratë edhe analizat e rreziqeve të tilla si kjo e covid 19 dhe një pjesë e buxhetit e konsiderueshme të orientohet pikërisht në këtë fushë. Ndoshta dy segmente të cilat duhet të përmendën në këtë drejtim janë: së pari, miratimi i ligjit për sigurime shëndetësore, ku Kosova është vendi i vetëm në Evropë që nuk ka ende një ligj të tillë dhe së dyti, dhënia prioritet modernizimit të shërbimeve shëndetësore në nivel vendi.

Për njeriun e së ardhmes

 Periudha post-covid 19 do të jenë një tranzicion i cili do të prek të gjitha kulturat dhe shoqëritë. Për dallim nga tranzicionet tjera politike, ekonomike, sociale dhe kulturore, ky tranzicion do ta transferon shoqërinë në një kthesë tjetër. Kjo lë të nënkupton se shoqëria do të jetë më egoiste në raport me të kaluarën, do të shpërfaqen trendët e reja dixhitale, ku shoqëria do t’i jep më shumë prioritet dixhitales, botës virtuale, komunikimit virtual, se sa botës fizike dhe kjo padyshim se do të ndikon edhe në zhvillimin psiko – social të vetë shoqërisë bashkëkohore.

Shoqëria post covid – 19 do të ketë njeriun e së ardhmes si metamorfozë i kësaj periudhe. Ky njeri do të orientohet më shumë ka organikja se sa mekanikja, do të jetë revolucion i zhvillimit teknologjik, do të kthehet më shumë kah jeta rurale se sa urbane, puna do të prioritizohet nga distanca dhe do të shpërfaqen pakënaqësi të shumta në raportet në mes të punëdhënësit dhe punëmarrësit, do të zvogëlohen komunikimet fizike dhe lidhjet familjare. Kjo edhe më shumë e bënë situatën të paqartë pas disa sinjaleve nga ekspertë në nivel global. Vetëm t’i citojmë disa nga mendimtarët/analistët kyç të ekonomisë globale se si pandemia ka ndryshuar botën ose se di do të projektohet e ardhmja:

  • Daniel Susskind, anëtar i ekonomisë në kolegjin Balliol – Si do të duket bota pas COVID-19? Shumë nga problemet me të cilat do të përballemi në dekadën e ardhshme do të jenë thjesht versione më ekstreme të atyre me të cilat përballemi sot. Bota do të duket dukshëm ndryshe këtë herë nëse, dalim nga kjo krizë, vendosim të marrim masa për të zgjidhur këto probleme dhe për të sjellë ndryshime thelbësore.
  • James Manyika, kryetar dhe drejtor i Institutit Global McKinsey – Siç ka treguar historia, zgjedhjet e bëra gjatë krizave mund të formojnë botën për dekadat e ardhshme. Ajo që do të mbetet kritike është nevoja për veprim kolektiv për të ndërtuar ekonomi që ofrojnë rritje ekonomike gjithëpërfshirëse, prosperitet dhe siguri për të gjithë.
  • Jean Saldanha, drejtore e Rrjetit Evropian për Borxhe dhe Zhvillim– Nëse bashkësia ndërkombëtare nuk arrin të përgjigjet me vendosmëri tani, Agjenda e 2030 dhe Marrëveshja e Parisit do të bien fatalisht. Një multilateralizëm i ri – në të cilin reforma e institucioneve të Bretton Woods do të luajë një rol kryesor – është i nevojshëm tani dhe duhet të bazohet në një vizion të zhvillimit që vendos të drejtat e njeriut, barazinë gjinore dhe klimën në qendër të tij.
  • Sharan Burrow, sekretare e përgjithshme e Konfederatës së Sindikatave Ndërkombëtare të Tregtisë- Qëllimi ynë për dalje (nga pandemia) duhet të jetë punësimi i plotë dhe një kontratë e re sociale. Investimet publike në ekonominë e kujdesit, arsimi dhe infrastruktura me karbon të ulët mund të formojnë shtyllën kurrizore të stimulit që zvogëlon pabarazinë. Politika e pagave, negociatat kolektive dhe rregullimi i tregut të punës mund të ringjallin kërkesën dhe të ardhurat, nëse i japim fund një modeli biznesi që lejon ndërmarrjet të mos marrin asnjë përgjegjësi për punëtorët e tyre. Prosperiteti i përbashkët mund të jetë fryt i një bote të COVID-19 të shënuar nga ambicia e përbashkët dhe solidariteti global.
  • Sergio Rebelo, profesor i financave ndërkombëtare në Shkollën e Menaxhimit Kellogg në Universitetin Northwestern – Kriza pandemike ka përshpejtuar ritmin e transformimit dixhital, me zgjerim të mëtejshëm në tregtinë elektronike dhe rritje në ritmin e miratimit të telemjekësisë, videokonferencës, mësimdhënies në internet dhe fintech-ut. Qeveritë do të jenë më të mëdha pasi të luajnë rolin e siguruesit dhe investitorit si mjet i fundit gjatë krizës. Borxhi publik do të rritet, duke krijuar sfida financiare në të gjithë botën. Mësimi më i rëndësishëm nga pandemia COVID-19 është rëndësia e të punuarit së bashku për problemet që prekin të gjithë racën njerëzore. Ne jemi shumë më të fortë të bashkuar sesa të ndarë.
  • Ian Bremmer, president dhe themelues i Eurasia Group – Rendi global ishte në fluks shumë përpara krizës COVID-19. Koronavirusi ka përshpejtuar tre nga tendencat kryesore gjeopolitike që do të formojnë rendin tonë botëror të ardhshëm (trendët e deglobalizmit, rritjen e pashmangshme të nacionalizmit me sintagmën ‘kombi im së pari’ dhe trendi i tretë ngritja gjeopolitike e Kinës e cila ka qenë më shumë se tre dekada në proces)…(rend ky) i cili do të na presë në anën tjetër të kësaj pandemie. Rend i ri botëror apo jo, disa gjëra thjesht nuk ndryshojnë (ORG – Life Post–COVID-19).

Ndërsa, në anën tjetër edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka dhënë disa sugjerime/rekomandime për qeveritë globale se si duhet vepruar pas kësaj situate, duke dhënë sinjal se kjo situatë edhe për një kohë do të përcjellë shoqërinë bashkëkohore.

Sipas OBSH-së, qeveritë globale duhet të fokusohen ose të investojnë në: 1) kapitalizimin e përmirësimit të mbikëqyrjes, laboratorëve, komunikim të rrezikut dhe kapaciteteve të tjera thelbësore që janë në lidhje me Covid 19, 2)  Rishikimi apo analiza prapa për të identifikuar zbrazëtirat apo dobësitë dhe për të orientuar burimet kah nevojat e ardhshme shëndetësore si: renditja gjenetike dhe gjurmimi i kontakteve përmes Teknologjisë së Informacionit, 3)  mbështetja e risive në lidhje me covid 19 për të përshpejtuar shërimin dhe për të adresuar probleme të tjera shëndetësore, si dhe 4) forcimin e bashkëpunimit shumë-sektorësh për të përmirësuar shërbimet shëndetësore dhe për të zvogëluar pabarazinë shëndetësore” (WHO – From the “new normal” to a “new future”: A sustainable response to COVID-19).

Prandaj, duke analizuar më tej situatën aktuale, mund të arrijmë në përfundim se koronavirusi si duket do të jenë në mesin tonë edhe për një kohë dhe gjatë kësaj kohe, është mese e rëndësishme qasja në raport me të, respektimi i masave adekuate, komunikimi (virtual) në mes të njerëzve, bashkëpunimi, puna, aktivitetet e ndryshme të cilat do të zhvillohen nga distanca dhe ruajtja e shëndetit mendor e cila nëse nuk merret parasysh do të prodhoj pasoja të tjera në të ardhmen. Si shoqëri duhet të adaptohemi me pandemi të tilla, të cilat nuk do të jenë ndoshta të vetmet mysafire të paftuara në mjediset tona sociale dhe të cilët nuk do të jenë të kontrolluara ashtu siç pohon edhe sociologu i njohur Ulrich Beck se ‘Ne po jetojmë në një botë që është përtej kontrollueshmërisë’. /tesheshi.com/

*Sociolog

 

auto pjese dak

Related posts