Nga Ferdi KAMBERI: Fake news dhe mediet (II) – Efekti Echo

Efekti echo konsiderohet si ndër efektet psikologjike i cili lehtëson dhe ndikon në procesin përmes së cilit njerëzit konsumojnë dhe besojnë në lajme të rreme për shkak të disa faktorëve psikologjik, si: “besueshmëria sociale – që do të thotë se njerëzit kanë më shumë gjasa të perceptojnë një burim si të besueshëm nëse të tjerët e perceptojnë këtë burim si të besueshëm, sidomos kur nuk ka informacion të mjaftueshëm për të pasur qasje në vërtetësinë e burimit. Frekuenca heuristike, që do të thotë se konsumatorët mund të favorizojnë natyrshëm informacionin që e dëgjojnë shpesh, edhe nëse lajmi është i rremë (Kai Shu – Fake News Detection on Social Media: A Data Mining Perspective, 2016). Kjo do të thotë njerëzit në mënyrë selektive, pa bërë ndonjë selektim se çka dhe si është një lajm i vërtetë, bien pre e lajmeve të rreme, sidomos nëse dikush më parë nga rrethi shoqëror ka besuar lajme të tilla. Në këtë drejtim, bindja forcohet edhe më shumë nëse njerëzit e tillë, të cilët më parë janë ndikuar në mënyrë psikologjike nga lajmet e tilla dhe nëse ata njerëz janë njerëz të besueshëm, të afërm, kredibil, kanë reputacion shoqëror, prestigj apo edhe pushtet, mënyra e të besuarit nga të tjerët pa ndonjë selektim është shumë më e lartë.  

 

Sa jemi rezistent ndaj fake news

Sot, në botën bashkëkohore fenomeni i lajmeve të rreme është bërë si trend dhe pothuajse asnjë shoqëri nuk është imune ndaj lajmeve të tilla. Në hapësirat shqiptare në përgjithësi kemi një boom medial sidomos elektronik i cili ka zënë hapësirë të madhe tek shqiptarët. Mund të vërejmë se fake news përbënë një çështje problematike dhe goxha serioze në çështjen e informimit të opinion publik. Nuk janë të rralla rastet kur në mediet elektronike shpërfaqen shumë lajme të tilla. Kryesisht këto lajme vijnë me mega tituj rreth zhvillimeve në vend ose për çështje të caktuara publike ose për fytyra publike (VIP) apo për politikanë të ndryshëm. Ndërsa, në brendësi të lajmeve të tilla pothuajse lajmet janë ameba pa ndonjë shtyllë thjeshtë një lloj maskimi. Shembuj të tillë ka të shumta si “Kjo ose ajo gjë do të ndodhë në ora 12:00 të natës”, në fakt është paksa edhe frikshme, sepse opinionin publik mund ta vë edhe para një panike se çfarë në të vërtetë do të ndodhë në ora 12:00 ose 00:00 të natës? Pastaj, shembuj të tjerë janë kur flitet ose manipulohet me personalitet e njerëzve të famshëm ose fytyrave publike, etj. Madje, “Treguesi për vitin 2018 i Njohurisë për Median (2018 Media Literacy index) i Institutit të Shoqërisë së Hapur (Open Society Institute) në Sofie thotë se vendet e Ballkanit janë vendet që bien më lehtë pre e lajmeve të “stisura” (fake news) në Evropë, si rrjedhojë e mediave të tyre që mbahen nën kontroll (nuk janë të lira), niveleve të ulëta të arsimimit dhe niveleve të ulëta të besimit në shoqëri” (shih: http://www.gazetaexpress.com/lajme/vendet-e-ballkanit-me-te-pambrojtura-ndaj-fake-news-518361/).

Në këtë segment deri më tani nuk ka ndonjë masë që është marrë për parandalimin e lajmeve të rreme nga institucionet përgjegjëse, të cilat mund të kenë pasoja. Kurse, në nivel global është shteti i Malejzisë ai cili ka aprovuar një ligj i cili dënon lajmet e tilla, përkatësisht personat të cilët lansojnë lajme të tilla prej 6 – 10 vjet burg ose me gjobë prej 128.000 dollarë. Kurse, disa shtete të BE-së si Gjermania dhe Franca, kanë pohuar se janë pro krijimit të një ligji i cili do të ndalonte lajmet e rreme, megjithëse një pjesë e shoqërisë civile nuk janë pajtuar me një gjë të tillë, duke e konsideruar si ndërhyrje në lirinë e shprehjes. Mirëpo, edhe Brukseli është duke u përgatitur për të goditur kompanitë e mediave sociale të cilët janë akuzuar për përhapjen e “lajmeve të rremë”, duke paralajmëruar se skandalet, si: rrjedhja e të dhënave në Facebook, kërcënojnë “të shkatërrojnë sistemet tona demokratike” https://www.cnbc.com/2018/04/02/eu-plans-to-crack-down-on-fake-news-in-social-media.html), që do të thotë se ky fenomen është bërë një fenomen global i cili po atakon çdo shoqëri dhe nëse nuk merret ndonjë masë adekuate, në kuptimin e respektimit të lirisë së fjalës, por edhe mbrojtjes së qytetarëve nga dezinformata, atëherë problemet mund të jenë të mëdha. Në disa shtete, vetë shteti është iniciator i lajmeve të tilla për qëllime të ndryshme. Në këtë drejtim, sipas burimeve 10 shtetet të cilat kanë probleme serioze me fake news në nivel global janë: Guinea Ekuatoriale, Gjibuti, Kuba, Sudani, Vietnami, Kina, Siria, Turkmenistani, Eritrea dhe Korea Veriore” (http://www.toptenz.net/10-countries-serious-fake-news-problem.php), shtete këto të cilat kanë problemet e tyre të brendshme, andaj edhe manipulimi përmes medieve është një mekanizëm kontrolli për kontrollin e masës.   

 

Pasojat nga fake news

Pasojat nga lajmet e rreme mund të jenë të ndryshme dhe të dëmshme për shoqërinë në përgjithësi: së pari ato mund të shkaktojnë panik të qytetarët dhe shpërfaqja e një panike të tillë mund të sjellë pasiguri tek qytetarët. Së dyti, ato mund të kenë ndikim në uljen e besueshmërisë tek mediet dhe nëse vazhdohet me mosbesueshmëri, atëherë edhe nëse lajmet janë të vërteta, nuk do të besohen. Së treti, fake news krijon gazetarë mediokër dhe shmang profesionalizëm të vërtetë, gjë që mund të krijon gjenerata të reja të hendikepuara në profesionalizëm dhe etikë. Së katërti, lajmet e rreme mund të jenë indikatorë i fuqishëm mbi manipulimin e masave, sidomos në ato vende ku ekziston një demokraci e brishtë dhe ka një pakënaqësi të qytetarëve, nevoja për ndryshime dhe mobilizim është më e lartë.

Prandaj, nga ajo që u tha deri më tani mund të arrijmë në përfundim se fake news ose lajmet e rreme janë pjesë e medieve të cilat përdorin këto lajmeve për qëllime të tyre. Ato janë pjesë pothuajse në çdo shoqëri, megjithëse në disa shoqëri si ato perëndimore, lajmet e tilla edhe mund të gjobitën për shkak se de-orientojnë opinionin publik dhe mund të shkaktojnë pakënaqësi, por edhe panik të publiku. Disa teoricienë të komunikimit masiv në krye me Chomskin janë të mendimit se ky fenomen i tëri asnjëherë nuk mund të ndalet për shkak të evoluimit të komunikimit paralelisht me teknologjinë informative, mirëpo si fenomen shoqëror mund të ulet nëse lexuesi (pasi që është edhe targeti kryesor këtu) mund të identifikon një lajmë të vërtetë nga jo i vërtet. Në këtë drejtim, është e nevojshme që brenda kohës që kemi në dispozicion të vërtetojmë një lajm të tillë nëse është i rremë apo i vërtet, duke krahasuar me mediat tjera më kredibile, të shikohet burimi apo prejardhja e informacionit, të analizohet brenda mundësive autorësia e shkrimit ose e lajmit, në rast se ka tituj bombastik, tituj të cilat janë në qendër të vëmendjes, mediet dëshirojnë që përmes titujve të tillë të arrijnë shumë klikime ose shpërndarje e cila mund të përkthehet si rejting për to ose thjeshtë përfitime. Në raste të tilla është e rrugës që mediave të tilla duhet shmangur, në mënyrë që të racionalizohet koha dhe të shfrytëzohet për qëllime tjera pragmatike dhe mos të biem pre e fake news, që në kurriz tonë do të mund të përfitonin. /tesheshi.com/ 

 

Related posts