Nga Ferdi KAMBERI: Elitat e shoqërisë, roli dhe përgjegjësia

Elitat e shoqërisë konsiderohen si “pari” e një shoqërie e cila ka një përgjegjësi ligjore dhe morale para qytetarëve. Shprehja elitë do të thotë më i larti, më i miri, i shkëlqyeshmi. Në kuptimin empirik ka të bëjë më pakicën në duar të së cilës me të drejtë ose jo është i përqendruar pushteti, pasuria dhe privilegjet. Elitizmi është bindje se pushteti në parim, gjithherë dhe çdo kund duhet të përbëhet prej elitës. Sipas profesorit Fehmi Agani, Elitizmi i ka rrënjët në koncepcionet religjioze sipas të cilave Zoti krijon historinë përmes të zgjedhurve të vet, ndërsa në filozofinë politike të Platonit, i cili në veprën e tij “shteti”, flet për domosdoshmërinë që shoqëria të qeveriset nga filozofët. Elitizmi bashkëkohor ka lindur nga kritika e ideve egalitare si demokracia dhe socializmi dhe nënkupton doktrinën sipas të cilës sundimi i elitave është shenjë e dëshirueshme e jetës shoqërore ose mjerim shoqëror. Elitat dhe elitizmi është produkt i një shoqërie, që ka për qëllim udhëheqjen e shoqërisë dhe avancimin e saj drejtë një rruge më të ndritur. Secila shoqëri ka një elitë në këtë rast elitë politike e cila është përfaqësues (zëri) i qytetarëve në parlament.

Koncepti i demokracisë qysh herët ka elaboruar teori të ndryshme të cilat kanë pasur për qëllim ngritjen dhe zhvillimin e një shoqërie përmes përfaqësuesve të tyre të cilët njihen si elitë politike. Sipas Wright Mills elitat mund të jenë: ushtarake, ekonomike dhe politike. Megjithëse, edhe elitat akademike dhe fetare nuk përjashtohen nga ky koncept. Në rastin e shqiptarëve, shohim se elitizmi është më shumë një pasqyrë fiktive se sa faktike. Kjo për shkak të mos përgjegjësisë që kanë klasa politike në raport me qytetarët.

Së këndejmi, roli dhe përgjegjësia e një “elite politike” është jashtëzakonisht e lartë në zhvillimin dhe avancimin e shoqërisë. Disa studime kanë potencuar se “Roli i elitës në shoqëri është shumë i rëndësishëm sepse formulon politikat dhe merr vendimet. Elita i jep edukim politik masave dhe ato (elitat) vendosin disa standarde të modelit në shoqëri. Në të gjithë elitat, shkruan Rajni Kothari, vlerat e zhvillimit politik depërtojnë në shoqëri në nivele të ndryshme dhe në faza” (shih: http://www.preservearticles.com/2014081433553/political-elites-definition-role-and-criticism-of-elitism.html). Në këtë kontekst, mund të shohim se roli i elitave politike është:

  • Rol i edukimit politik të shoqërisë, sidomos të rinjve;
  • Promovim të kulturës politike dhe demokratike;
  • Promovim të llogaridhënies dhe transparencës;
  • Komunikim me qytetarët dhe involvim të tyre në politika publike;
  • Elitat kanë një kontratë sociale me qytetarët dhe për këtë duhet t’i informojnë ata për punën e tyre.

Koncepti i elitave tek shqiptarët më shumë asociohet me elitat politike/klasën politike e cila në pjesën më të madhe rasteve fokusin kryesor e kanë orientimin e tyre kah vetja dhe promovimin e një apatie politike e cila edhe më shumë krijon një mediokritet të tyre. Sido që të jetë, ndryshimet dhe zhvillimet sociale të cilat kanë ndodhur në shekullin e fundit, kanë bërë që “elitat” tek shqiptarët të krijohen më vonë se sa në vendet tjera kjo për shkak edhe të ndikimit të një sërë faktorëve, megjithëse rastet individuale dhe marrja e përgjegjësisë nuk ka munguar asnjëherë. Mirëpo, në dekadat e fundit jemi dëshmitarë të asaj që tek elitat politike shqiptare po mbretëron më shumë një apati politike e cila ka të bëjë me mospërfillje të qytetarëve për situatën e përgjithshme në shoqëri. Në fakt, nëse kemi një apati të tillë politike, elitat kanë një përgjegjësi për shkak se janë të zgjedhurit e qytetarëve përmes votës së lirë demokratike. Deri më tani shumë studime, analiza, hulumtime të cilat janë bërë nga shumë institute vendore kanë dalë me përfundime se elitat kanë mungesë së përgjegjësisë ndaj qytetarit, pavarësisht nga cili profil politik ato vinë. Secila udhëheqësi e cila ka ardhur në pushtet më shumë është shquar për mos sukseset, sfidat dhe problemet se sa sukseset. Në një shoqëri demokratike të zhvilluar, po qese elitat e asaj shoqërie do të kishin një shmangie nga përgjegjësia ligjore dhe morale përballë qytetarit me siguri se ata do të jepnin dorëheqje, duke u zëvendësuar me të tjerë. Tek e fundit, politika është proces i cili ka për qëllim dhe synim marrjen e pushtetit me kusht që të jetë në shërbim të qytetarëve.

Prandaj, elitat politike janë imazhi kryesor i një shteti dhe shoqërie, ato duhet të jenë të kujdesshme se si po sillen para qytetarëve, si po komunikojnë dhe cili është mesazhi kryesor i tyre drejtuar vetë qytetarëve. Në anën tjetër, qytetarët përmes mekanizmave institucional dhe komunitetit duhet të jenë ata që monitorojnë, vlerësojnë punën e elitave politike dhe kërkojnë llogaridhënie nga ta, sepse në fund të fundit mbi bazën e votës së qytetarëve elitat politike janë në ato pozita. /tesheshi.com/

 

Related posts