Nga Ferdi KAMBERI: Delikuenca tek të miturit në Kosovë

Delikuenca si term gjen hapësirë tek shoqëria kosovare qysh herët, mirëpo për shkaqe dhe rrethana të ndryshme ajo nuk ka pasur një plasim më të gjerë si term. Sot kur flitet për këtë problematik apriori mendja na shkon tek të miturit nën moshën 18 vjeçare ose mosha në mes të 10 deri 18 viteve, të cilët bien ndesh jo vetëm me normat shoqërore (sjelljet devijante), por me vetë ligjin. Megjithëse, vetë shkeljet ligjore janë edhe shkelje normative të cilat lidhen sjellët anti sociale ose sjelljet devijante. Delikuenca e të miturve ndodh kur një i mitur prek një status kriminal ose identifikohet me të. Kur një i mitur kryen një krim, procedurat që ndodhin dallojnë dukshëm nga ato të një krimineli madhor. Në të gjitha shtetet, sistemet gjyqësore të të miturve, si dhe objektet e paraburgimit për të mitur, trajtojnë në mënyrë specifike shkelësit e mitur. Ndonëse është e zakonshme që statutet shtetërore të konsiderojnë njerëzit nën moshën 17 vjeç si të mitur, sistemi i drejtësisë mund të ngarkojë të miturit edhe më të vegjël si të rritur, nëse krimi i kryer është shumë serioz. Delikuenca si problem shoqëror po zë vend dhe hapësirë të madhe edhe në shoqërinë kosovare. Disa nga tipat e delikuencës mund të jenë:

 

  1. Delikuenca individuale – e cila zakonisht vjen nga përfshirja e një individi në aktet kriminale dhe i cili njëkohësisht konstatohet nga psikiatri se ka probleme të tilla. Disa studimet flasin për krahasimet tek të rinjtë me vonesë me vëllezërit e motrat e tyre jo-delinkuent, të cilët janë analizuar dallimet e tyre. Gjetja e tyre më të rëndësishme ishin se mbi 90 për qind e kriminelëve në krahasim me 13 për qind të vëllezërve të tyre jo-kriminalë kishin jetë të pakënaqur në shtëpi dhe ndiheshin të pakënaqur me rrethanat e tyre të jetës. Natyra e pakënaqësisë ndryshonte: disa ndjehen të refuzuara nga prindërit dhe të tjerët ndjehen ose inferior ose xhelozë ndaj vëllezërve dhe motrave ose vuajnë nga konflikti mendor.
  2. Delikuenca e mbështetur nga grupi – ky lloj/tip i delikuencës kryesisht kryhet nga ndikimi i grupit të lagjes ose nga ndikimi i grupeve të sub – kulturave të ndryshme.
  3. Delikuenca e organizuar – ky koncept për herë të parë është përdorur në SHBA në vitin 1950 dhe ka për qëllim përshkrimin e delikuenteve të organizuara në grupe të njohura zyrtarisht. Ky koncept i referohet grupit kriminal i cili ka vlera dhe norma që udhëheqin sjelljen e anëtarëve të grupit dhe i inkurajojnë në kryerjen e delikuencës, si dhe dhënien e statusit në bazë të akteve të tilla që përcaktojnë marrëdhëniet tipike për personat që dështojnë jashtë grupimeve të qeverisura nga normat e grupeve.
  4. Delikuenca e situatës – Rrënjët (e delikuencës) qëndrojnë në strukturën e shoqërisë ose në fushat ekologjike ku mbizotëron delikuenca në mënyrë sistematike në të cilën struktura shoqërore i vendos disa individë në një pozicion të dobët për të konkurruar për sukses. Delikuenca e situatës siguron një perspektivë të ndryshme nga ato të cekurat më lartë. Këtu supozimi është se delikuenca nuk është e rrënjosur thellë tek shoqëria, por motivet për delikuencën dhe mjetet për kontrollin e tij janë shpesh relativisht të thjeshta (shih: http://www.preservearticles.com/2012050131561/ëhat-are-the-four-main-types-of-juvenile-delinquency.html).

 

Tipat e tillë, padyshim se paraqesin një sfidë serioze për shoqërinë dhe shumë studiues nga këndvështrimet e tyre iu kanë qasur studimeve mbi delikuencën, në mënyrë që të arrijnë deri tek minimizimet e problemeve të tilla. Në Kosovë sipas të dhënave nga ASK në vjetarin statistikor të Kosovës theksohet se “në vitin 2013 ka pasur gjithsej 786 persona të dënuar, prej tyre 769 meshkuj dhe 17 femra, në vitin 2014 ka pasur gjithsej 840 persona të dënuar, prej tyre 826 meshkuj dhe 14 femra. Në vitin 2015 ka pasur gjithsej 563 persona të dënuar, prej tyre 548 meshkuj dhe 15 femra. Kurse, në vitin 2016 ka pasur gjithsej 692 persona të dënuar, prej tyre 666 meshkuj dhe 26 femra (ASK: “Vjetari Statistikor i Republikës së Kosovës 2017”, ASK, Prishtinë, 2017, fq. 86).

Bazuar nga këto të dhëna, mund të shohim se përderisa viti 2014 ka qenë vit që më së shumti ka pasur të dënuar nga Gjykata sa i përket delikuencës dhe ka kryesisht ka dominuar gjinia mashkullore. Në vitin 2015 ka pasur një rënie të këtij fenomeni, duke u rritur pastaj në vitin 2016, ku prin prapë gjinia mashkullore, por edhe gjinia femërore me gjithsej 26 persona. Të dhënat në fjalë tregojnë se fenomeni i delikuencës nuk është duke u marrë aq seriozisht nga prindërit dhe institucionet e vendit. Ky fenomen mund të ketë pasoja tek vetë rinia, e pastaj edhe tek shoqëria.

 

Shkaqet dhe pasojat e delikuencës së të miturve në Kosovës

Delikuenca si problem nuk mund të zhduket pothuajse asnjëherë, sepse është pjesë e shoqërisë e cila buron nga ajo si rezultatet i rrethanave dhe shkaqeve të ndryshme. Së këndejmi, disa nga shkaqet e delikuencës në kontekstin kosovar janë: sjelljet e hershme agresive të të miturve qoftë edhe ndaj kafshëve, sjelljet anti sociale nga grup moshat, prezenca e kriminalitetit tek familjet e të miturve, keqtrajtimi i fëmijëve, problemet socio – ekonomike, hermetizimi social, stigmatizimi, mungesa e performancës në shkollë, ngacmimet në shkollë, ndikimi i mediave sociale, sidomos atyre me përmbajtje të dhunës, etj. Kurse, sa i përket pasojave, disa nga to mund të jenë: shmangie të komunikimit me prindër, mungesa/përjashtime nga shkolla, shpërfaqje të dhunës në mes të bashkëmoshatarëve, lëndim të vetës dhe të tjerëve, probleme me stresin, depresionin, vetëvrasje, si dhe pasoja të tjera të cilat janë të pa parashikuara.

Si përfundim i kësaj analize, mund të themi se delikuenca tek të miturit është një problem madhor i cili fatkeqësisht është prezentë në shoqërinë kosovare dhe si i tillë paraqet një sfidë serioze për tërë shoqërinë, duke përfshirë vetë të miturit, familjen, institucionet shkollore, policinë e kështu me radhë. Në minimizimin e këtij problemi, konsiderojmë se duhet të fuqizohet bashkëpunimi ndërmjet akterëve, duhet të ketë komunikim me të miturit, sepse janë në një fazë shpërthyese të tranzicionit të adoleshencës, pastaj duhet të ketë një monitorim më të mirë nga ana e prindërve ndaj fëmijëve të tyre. Mediat, duhet të jenë më të kujdesshme mbi lansimin e videove të dhunshme sidomos gjatë ditës, institucionet e vendit duhet të kenë politika, të cilat e kanë prioritet këtë fenomen shoqëror. /tesheshi.com/

 

 

 

 

 

 

Related posts