Nga Fatlum SADIKU*/ Kapacitetet historike, elitat dhe profilizimi politik (Shqipëria deri më 1945)

Të bërit fjalë për “pemën” elitare politike shqiptare, respektivisht për degët e saj “të majta” a “të djathta”, brenda dhe jashtë shtetit shqiptar, shpesh privon vënien në theks të disa aspekteve që realisht nuk përkojnë në esencë me natyrën e asaj çfarë në të vërtetë konsiderohet majtizëm, djathtizëm, parlamentarizëm, a republikanizëm në truallin nativ të lindjes së këtyre koncepteve – në Europë , duke nënkuptuar këtu edhe mosbërjen e dallimeve të duhura me vendet tona.

Kësisoji dominimi i ahistorizmit në diskurset mbi “majtizmin” e “djathtizmin”, parlamentizmin e çështje të ngjashme, megjithëse nga njohësit e historisë politike europiane mund të vërehet lehtë, zakonisht tek ne kalohet krejt në heshtje.

Duke ndjekur maksimën e Hajdegerit për gjuhën si “fole të qenies” vetëm një gjurmin i shpejtë në fjalorin popullor para shekullit XX, por edhe gjatë atij shekulli, respektivisht në emërtimet e nocionet politike që përdoreshin në popull, të ofron pasqyrën për mungesën e kapaciteteve historike të përkitjes, përkatësishtpër mungesën e traditës politike tek shqiptarët, në njohjen e dallimin e gjërave të tilla.

“Dovlet”, “hyqymet”, “dërrzhavë”, “krajli”, “mexhlis”, “vatan”, “asqer”, “komjet” etj., janë vetëm disa nga turqizmat dhe sllavizmat me të cilat operonte shqiptari për të emërtuarit akterë, ente e institucione politike të kohës, emërtime këto që dëshmojnë mungesën e plotë të nocioneve të lartëpërmendura në skemën gjuhësore, respektivisht kognitive të shqiptarëve.

Elitarët politikë shqiptarë të cilët në celula morën vetëkuptimësim e vetërealizim konkret në masën më të madhe në kontekstin e modernizmit osman (që në esencë ishte një projekt militar e politik nga lartë-poshtë, dhe jo shoqëror-institucional nga poshtë-lartë siç qe moderniteti europian), si liberalë e më vonë edhe nacionalistë që ishin, fillimisht përfaqësonin atë do të duhej të ishte “majtizmi” politik i kohës (liberalizmin e nacionalizmin në Europë i shtyu drejt djathtizmit vetëm socializmi markist).

Ata së bashku me elitarët e tjerë (xhon)turqë, armenë etj., si pjesëtarë të parlamentetit osman, ishin kundër absolutizimit të sulltanit, kundër të vjetrës dhe për të renë, me një fjalë ishin progresivistë dhe për reforma.

Deri këtu mirë, edhe e majta europiane në fillet e saj ka lindur mbi bazën e kërkesave reformiste dhe progresiste. Por me t`u lëshuar në nivelin statusor të këtyre elitave, vërejmë dallimin krucial me Europën: në kontekstin osman mungonte një klasë konkrete shoqërore që do të fuziononte ndryshimet që u panë në Europë. Klasë që do i realizonte pritjet dhe interesat e shoqërisë.

Kjo klasë e munguar ishte borgjezia si motori kyç i ndryshimeve. E aty ku s’është borgjezia s’është as individualizmi, e as tradita parlamentare, dhe tërë kjo i lë vendin improvizimeve. Prandaj edhe individualizmi tek ne sot e 100 vite nënkupton “shefin”, “komandantin”, “babën”, respektivisht edhe 90 vite pas atentatit ndaj Zogut në parlamentin shqiptar, edhe sot parlamenti shqiptar edhe ai kosovar vazhdojnë të kenë deputetë të lidhur me krimin.

Kjo është edhe arsyeja përse në kontekstin osman, ata elitarë që donin t’i bënin ndryshimet, realisht s’përfaqësonin shpirtin nativ popullor, sepse realisht mungesa historike e traditës parlamentare e brikolazhuar më pas në një ide të atypëratyshme parlamentarzimi bllanko, përmes përqafimit të një epistemë-model nga Europa, shkakoi sidomos tek pjesa myslimane ngjallje ndjenjash neokonservatore, anipse nisma mund të vinte nga familjet më në zë të shoqërisë.

Stambolli nuk u mbush me turma brohoritëse as kur Sulltan Mahmudi II e AmdylMexhidi shpalli ndryshimet e Tanzimanit, e as kur xhonturqit morën pushtetin real, sikurse qe Robespieri e jakobinët mbushën rrugët e Parisit. Pos kësaj, në rastin shqiptar nga pasuria e tepërt që kishin familje me pretendencë progresiviste, i bënin të jetojnë në masë të madhe në diskrepancë me pjesën e varfër të shoqërisë. Ky disparetet në fakt do të shërbente më vonë si ndër argumentet kyçe të lëvzijes komuniste në konfiskimin e pasurive, por edhe në luftimin e vetë traditës bejlere.

Epistema e huaj dhe familja! Diçka krejt e kundërt me atë çfarë ngjau në Europë: europianët nuk morën shembull tjetërkënd, teksa bënë revolucionet politike (por janë vetë boshti hapësinoro-kohor i tyre), si dhe e dyta përjashtimisht bashkangjitjes aty-këtu të ndonjë pjesëtari të fisnikërisë së ulët në revolucione, tendenca revolucionare (majtiste) u drejtua pikërisht ndaj instititucionit të familjes e monarkisë. Jo rastësisht Marksi e Engelsi do i kushtonin një vepër të tërë çmagjepsjes nga ajo që ata të dy e quanin “familja e shenjtë”.

Kësodore, në rastin shqiptar jo-rastësisht Ismail Qemali “qëlloi” nga Vlorajt, Ahmet Zogu nga Zogollët, Esat Toptani nga Toptanët, Mit’hat Frashëri nga Frashërlinjtë, Gjon Markagjoni Markagjonajt etj, dhe jo rastësisht pikërisht njëri nga Vlorajt dhe tjetri nga Zogollët, kapën momenutumet e rëndësishme edhe më 1912 (shpallja e pavarësisë, sado simbolik që të ketë qenë efekti i kësaj shpalljeje), edhe më 1920 (Kongresi i Lushnjës), siç bëri më pas edhe Enver Hoxha me përfundimin e LDB-së.

Me një fjalë, ajo burokraci njerëzish që nën regjimin hamiadian përbënte burokracinë – “e majtë”, “reformiste” e “xhonturke” – tashmë ishte aristokracia shtetëformuese shqiptare, drejtim ky goxha i ndryshëm me atë që kishte marrë kemalizmi turk që dëboi e zhbëu aristokracinë otomane, por që ishte i ngjashëm me kemalizmin në mosgjetjen e vetëvetes në zbrazëtirë, por në mohimin pikërisht të osmanes,të lindores, respektivisht në orientalizmin e vetëvetes..

Dispariteti me shoqërinë (por jo sa kemalistët), nga shkaku i epistemës që përfaqësonin, të qenit aristokratë e të pakonkurrencë që frerët dhe mekanizmat e drejtimit të shtetit t’i kenë në duar vetë ata, si dhe të aftë në njohjen e së paku një gjuhe të huaj (vetëm mendoni pak përse kjo domosdo na përcolli për mëse 1 shekull!), ata realisht bënë shtetin shqiptar, pa ndonjë shtysë vendimtare nga poshtë-lartë. Apo më mirë thënë kjo shtetëbërje i’u la në duar Zogut.

Në vetë përpjekjet dhe ndërrmarësitë e Zogut për stabilitet, shihej mungesa e kapaciteteve historike, respektivisht e traditës politike rreth asaj ç’regjim të kishte shteti i ri: monarkik apo republikan, duke inkarnuar kështu pak a shumë edhe shpirtin europian të kohës, ku në konflikt ishin pikërisht idetë e reja republikane me ato monarkike e që këto të fundit pas rënies së perandorive pritej të liheshin analeve të historisë!

Mospërkitja historike dhe institucionale me Europën, ska se si të dëshmohet më mirë se sa me paradokse të tipit si dhënia e se drejtës së votës për gratë para Zvicrës, kundruall fronëzimit para Frankos mbret. Siç qenë të inkarnuar edhe në Nolin anakronizmat nga me të papajtueshmit: shkollar amerikan , nacionalist e partikualirst për Patriarkanën e Stambollit, tepër iluminist për një shoqëri të pashkolluar dhe i parë nga europianët si i afërt me Leninin.

Dhe është pikërisht ky “djathtizim” i zogizmit dhe i burokracisë klintele të tij që kishte bërë karrierë kryesisht në kontekstin osman, përkatësisht ky konservatorizëm i ruajtjes së aktuales, i tokave të mëdha, kundruall reformave agrare, i “shqiptarizmës përballë bolshevizmës” (Vangjel Koça, Ismet Toto, Branko Merxhani, Ali Korça, Ibrahim Dalliu etj.) i mbipeshimit të parlamentit, i ndikuar për një kohë të shkurtër, direkt apo tërthorazi edhe nga plani i jashtëm:(ç’)ekulibrimi në konstelacionin ndërkombëtar: ekspansioni fashist në kohën e Luftës së Dytë Botërore/fitorja e aleatëve antifashistë dhe pjesëmarrja masive e qytetarisë apo e shoqërise, faktorë kyç që determinuan edhe pozicionet politike edhe mobizilimin politik, por edhe një pjesë të madhe të diskursit të ideologjisë zyrtare pas vitit 1945 në Shqipëri.

Atëbotë kur më shumë se sesa fitorja vendore, vendimet në Jaltë dhe tërheqja e gjermanëve në frontet gjermane përcaktuan epistemën e re ideologjike për shqiptarët brenda shtetit shqiptar për 40 vitet në vijim: komunizmin enverist, si epistemë edhe më e larguar nga tradita, dhe akoma më pandikuar nga vlerat, besimet, e bindjet native të shoqërisë, por si mbivendosje tipike nga lartë-poshtë, tashmë në një kohë kur burokracia paraprake sado pak kishte arritur të krijojë një trupë sociale mbështetëse. /tesheshi.com/

                                                                                                        *Politolog dhe studiues i Marrëdhënieve Ndërkombëtare