Nga Fatjon NANAJ: Dhuna si kryefjalë

Shoqëria shqiptare është shndërruar në gjeneratore dhe promotore të agresivitetit e dhunës. Dhuna, qoftë ajo fizike, por edhe të tjera forma të saj, si ajo psikologjike apo verbale, është  zgjeruar përtej kufijve të thjesht një mjeti, në shërbim të interesave apo qëllimeve individuale, kryesisht të paligjshme, duke marrë trajtat e një përbërësi apo elementi kultural. Ajo po kthehet në një fenomen mbizotërues, të përdorur irracionalisht, për sa kohë që mund të pranohet se mbetet gjithsesi një alternativë dhe një domosdoshmëri racionale kur mjetet e tjera dështojnë. Dhuna përditë e më fort po shndërrohet në “argumentin” e epërm, përmes të cilit shqiptari i fortë i imponohet shqiptarit të dobët, politika i imponohet vetes, madje edhe institucionet njëri-tjetrit.

Dhuna, një motiv mbizotërues përgjatë historisë njerëzore, u shndërrua në mjet të centralizuar të shtetit modern, si entiteti i vetëm që gëzon të drejtën ekskluzive për ushtrimin e saj, në mbrojtje të ligjshmërisë. Ndërkohë që ligjshmëria, si e drejtë pozitive, pra, e zhveshur nga kodet morale, zakonore apo fetare, jo gjithmonë mund të identifikohet me atë që vlerësojmë si drejtësi. Në një kuptim, edhe veprimet e Gjermanisë hitleriane mund të konsiderohen të ligjshme, përderisa ato bazoheshin në akte juridike të nxjerra në respekt të sovranitetit dhe të procedurave formale për miratimin e tyre. Mirëpo kjo e drejtë pozitive, pavarësisht veshjes juridike, në aspektin substancial ishte johumane dhe diskriminuese. Gjermania hitleriane është simboli i shtetit të organizuar, të strukturuar, të shtetit “ligjor”, nëse do të mbeteshim thjesht tek një vlerësim sipërfaqësor procedurash, por që e shfrytëzoi aparatin shtetëror dhe solemnitetin që e karakterizon për të legjitimuar padrejtësinë. Për të justifikuar mizorinë institucionale dhe për të veshur irracionalitetin e dhunës si mjet, me racionalitetin dhe ftohtësinë që shteti, si një entitet hijerëndë dhe burokratik, duhet të përfaqësojë.

Roli i shtetit dhe ekskluziviteti i tij mbi ushtrimin e dhunës, ku me dhunë kuptohet çdo lloj forme e imponimit të padëshiruar nga subjekti pësues, shërben pikërisht për t’i dhënë dhunës karakter racional, të arsyeshëm dhe të pranueshëm. Sepse në epokën e qytetërimit, historia e të cilit nis mijëra vjet më parë, dhuna, cilido qoftë motivi, por edhe qëllimi i saj, është trajtuar si mjet joracional, aq më tepër kur ushtrohet në mënyrë kaotike, nën verbërinë e imponuar nga interesat, nga anësia dhe, pse jo, dritëshkurtësia. Ky ishte kriteri ndarës mes të qytetëruarve dhe barbarëve. Të parët kishin parime dhe rregulla (romakët e lashtë) për zgjidhjen e konflikteve dhe mosmarrëveshjeve, ndërsa të dytët mbështeteshin në forcën individuale, fisnore apo etnike. Për të ashtuquajturit barbarë, që e zhvillonin ekzistencën e tyre në mungesë të institucioneve dhe rregullave, dhuna ishte norma, jo përjashtimi.

Porse, me gjithë karakterin joracional të saj, shpesh dhuna mbetet zgjidhja e vetme, sado fatkeqe të tingëllojë kjo. Një zgjidhje që mund të konsiderohet e tillë vetëm kur ushtrohet ekskluzivisht nga institucionet shtetërore. Pra, sado e pakëndshme dhe ndjellakeqëse të jetë, dhuna është një realitet të cilin asnjëherë s’mundemi ta shmangim plotësisht. Mundemi vetëm t’i japim një veshje të arsyeshme dhe ta centralizojmë në duart e shtetit, për të pamundësuar ushtrimin shproporcional dhe të pavend të saj. Dhuna duhet ushtruar gjithmonë në atë masë që është e nevojshme për të arritur qëllimin, dhe me ato mjete që e bëjnë sa më efektive, pra, që eleminojnë maksimalisht pasojat e dëmshme. Të paktën ky është parimi ligjor, por edhe etik, që duhet ta udhëheqë shtetin si “dhunuesin” ekskluziv.

Ky arsyetim shërben për të zhvarrosur një aksiomë civilizuese, sa të thjeshtë, aq themelore, sipas të cilës dhuna nuk mund të jetë norma, standardi, por veçse një përjashtim. Një përjashtim që pranohet sipas rregullave të mirëpërcaktuara, të imtësishme dhe shteruese, të cilat i mundësojnë shtetit ta ushtrojë atë në mënyrë efektive.

Sidoqoftë, zotërimi i një ekskluziviteti të tillë, pavarësisht garancive, shoqërohet me mundësinë e abuzimit. Çka dhe ka ndodhur rëndom. Në ndihmë na vjen historia e sipërpërmendur e Gjermanisë, por nëse mbetemi brenda kufijve, edhe Shqipëria komuniste është shëmbëlltyrë e një abuzimi të tillë të përbindshëm. Abuzimi me të drejtën e ushtrimit të dhunës nga shteti është nga skenarët më të frikshëm me të cilin shumë shoqëri janë përballur dhe vijojnë të përballen.

Por një tjetër skenar i frikshëm, edhe pse jo aq bujëmadh, është ai i zhveshjes së shtetit nga ky ekskluzivitet, kryesisht për shkak të paaftësisë, dobësisë dhe inkompetencës institucionale. Që në një mënyrë mund të konsiderohet sërish abuzim me këtë të drejtë, por sipas një raporti të përmbysur. Tashmë, problemi nuk është dhuna e shpërpjestuar, e ushtruar në kontekstet e gabuara, por mosushtrimi i saj kur ta kërkon ligjshmëria, dhe aq më tepër, drejtësia.

Kjo impotencë shtetërore ka dërrmuar kuptimin e dhunës si ekskluzivitet shtetëror, duke e parcelizuar atë, në një mjet të përdorur në thuajse çdo konflikt social mes shqiptarësh. Rastet ilustruese që mund të përdoren janë të panumërt. Si vrasja e ndodhur pak kohë më parë në zonën e Kombinatit, për shkak të konfliktit të nxitur nga zhurma që lokali i shkaktonte fqinjit lart. Një konflikt që duhej të ishte zgjidhur lehtësisht përmes ndërhyrjes imponuese, forcës apo dhunës së shtetit.

Për të ardhur tek një ndodhi akoma më e freskët për kujtesën e gjithkujt. Gruaja që u dhunua nga ish-bashkëshorti i saj në sy të publikut në Vlorë, e që, sipas raportimeve të medias, kishte kërkuar plot tri herë mbrojtje nga policia për dhunën e ushtruar sistematikisht. Megjithatë, kjo nuk e mbrojti nga shkelmat ditën për diell, në mes të rrugës, dhe akoma më trishtueshëm, me fëmijët ndër duar. Gjithsesi, duhet pranuar se zonja në fjalë ishte me fat, pasi pasojat mund të ishin edhe më tragjike.

Këto raste, por edhe plot të tjera, të pamundura për t’u trajtuar si përjashtime, tregojnë se shoqëria jonë vazhdon të endet në kufijtë e barbarizmit. Sigurisht, një barbarizëm me smartphone dhe facebook, por jo më pak arkaik dhe primitiv se ai i shekujve më parë. I njëjti mosrespekt për parimet, rregullat, por edhe për drejtësinë, si koncept, si vlerë dhe si ekuilibër social, vijon të demonstrohet agresivisht dhe pareshtur. Prandaj në konfliktin më të parë i kthehemi menjëherë instinktit fisnor, duke kërkuar ndihmën e kushëririt për të zgjidhur me egërsinë e dhunës mosmarrëveshjen me fqinjin lart, që ankohet nga zhurma. Ndërkohë që për gratë e dhunuara, sërish familja mbetet mbështetja e vetme e besueshme.

Një barbarizëm i stimuluar nën autorësinë direkte të institucioneve shtetërore dhe të frymëzuar nga qasja hipokrite dhe sipërfaqësore e politikës. Në këtë kontekst, një “barbarizëm” më vete mund të konsiderohet edhe sjellja e ministrit Klosi pas rrahjes publike të gruas në fjalë. Në një vend të qytetëruar, në shtëpinë e kësaj gruaje duhet të kishin zbarkuar punonjësit sociale, jo ministri Klosi, dhe jo post-factum, por menjëherë sapo ajo të kishte kërkuar ndihmë në institucionet përkatëse. Vizitat mëshiruese dhe shfajësuese të politikanëve vazhdojnë t’i shërbejnë në thelb këtij barbarizmi dhe ta denigrojnë seriozitetin e shtetit.

Për sa kohë që shteti do të refuzojë ta ushtrojë dhunën e tij racionale, të drejtën ekskluzive të tij, në mbështetje minimalisht të ligjshmërisë, pasi drejtësia mbetet një aspiratë thuajse utopike në mjedisin e sotëm, shqiptarët do të vijojnë ta përdorin dhunën si kryefjalë të komunikimit të tyre. Kjo kulturë dhune, edhe pse në epokën e postmodernizmit, na bën plotësisht të ngjashëm me shoqëritë barbare të mijëvjeçarëve të shkuar.

Nëse në komunizëm shteti ishte dhunuesi joracional, në tranzicion është pikërisht mungesa e shtetit që e ka zhytur shoqërinë në (anti)kulturën e dhunës. /tesheshi.com/