728 x 90 Leaderboard

Nga Farid HAFEZ: Macron në rrugën drejt politikës së re për Islamin?

Ndërkohë që shumica e liberalëve perëndimorë vijojnë ta deklarojnë presidentin francez, Emmanuel Macron, si kampion të tyre, realpolitika pas retorikës së tij është shumë më shqetësuese nga ç’mund të mendohet. Në dallim nga Donald Trump-i, gënjeshtrat e të cilit janë zbuluar në vijimësi, Macron-i është shumë më i suksesshëm në maskimin e realitetit të politikës së tij pas një pamjeje kozmopolitane dhe në dukje liberale.

Një ligj i ri pune pro biznesit dhe reformat universitare që kufizojnë procedurat e pranimit janë miratuar pa shumë protesta. Objektivi më i fundit i reformës ishte politika e emigracionit, që do të paraqitej në shkurt apo mars, e që prodhoi kritika nga grupet kryesore të të drejtave të njeriut, si dhe nga një ombudsman i mandatuar konstitucionalisht. Mes këtyre politikave kufizuese, Macron u vu në qendër të vëmendjes me thirrjen për një “riorganizim të Islamit” në Francë.

Macron-i ishte përpjekur tashmë ta mallëngjente elektoratin musliman gjatë zgjedhjeve. Ai nuk do të përsëriste ligjërimin mbi laicitetin dhe identitetin kombëtar francez që i përjashton muslimanët nga trupi kolektiv francez. Shumë muslimanë ndjenë njëfarë optimizmi.

Një pjesë e të njëjtit optimizëm ishte ndjerë karshi Sarkozy-t për shkak të nisjes së përqafimit të muslimanëve përpara se t’u kthente kurrizin vite më vonë. Prandaj ka vend për skepticizëm!

Macron deklaroi se po “punonte për strukturimin e Islamit në Francë dhe po ashtu mbi mënyrën si ta shpjegonte atë, çka është tejet e rëndësishme”.

Synimi përfundimtar i këtij procesi është ruajtja e kohezionit kombëtar, argumentoi Macron-i, që do të qëndronte në qendër të idesë franceze të shekullarizmit për t’u dhënë njerëzve lirinë për të zgjedhur të besojnë ose të mos besojnë. Por, në të njëjtën kohë, ai tha gjithashtu se kjo do të ishte pjesë e një përpjekje për të “luftuar fundamentalizmin”.

Kjo ide e mbrojtjes, që e sheh Francën të kërcënuar nga fundamentalizmi islamik, është e ndërthurur me përpjekjen e Macron-it për ta “integruar më mirë” Islamin në Francë, që ta “vendosë atë në një marrëdhënie më paqësore me shtetin”. Ai kërkon me këtë të “vërë bazën për riorganizimin e plotë të Islamit në Francë,” argumentoi Macron. Kështu, çfarë është në lojë për presidentin francez?

Plani i Macron-it, ende jo i zbuluar hollësisht, ngjan të jetë mbështetur në disa vështrime: njëri është financimi i Islamit, dhe i dyti është përgatitja e imamëve në Francë. Vendosja e një “Imami të Madh të Francës” duket se është një aspekt i këtij ristrukturimi.

Macron u shpreh qartë se kërkon ta “zvogëlojë ndikimin e vendeve arabe”, që, për të, “e pengojnë Islamin francez nga kthimi për te moderniteti”. Kjo reflekton një nocion tepër racist, duke pretenduar se Europa përfaqëson kulmin e qytetërimit, ndërsa arabët simbolizojnë prapambetjen. Por ky koncept legjitimon kërkesën e tij për kufizimin e qeverive të huaja në financimin e institucioneve islame në Francë.

Institucionalizimi i Islamit do të nënkuptonte zhvendosjen e muslimanëve nga një ligj që i rregullon shoqatat jofitimprurëse te një ligj që rregullon shoqatat kulturore dhe është nën kontrollin më të rreptë financiar nga shteti. Ministri i Brendshëm francez e ka thënë tanimë se qeveria franceze duhet të ndërhyjë dhe të krijojë “imamët e republikës franceze” në vend të “imamëve të vendeve të huaja”.

Ndërsa ky argument ka kuptim përderisa imamët nuk duhet të jenë përfaqësues të qeverive të huaja, duhen dhënë prova se kështu është gjendja tani.

Ministri i Brendshëm paraqiti një vijë të ashpër mbi këtë çështje: “Unë sugjeroj ndalimin e financimit të huaj për xhamitë dhe mbylljen e xhamive selefite. Çdo imam i huaj që mban një fjalë në kundërshtim me vlerat e republikës duhet dëbuar.”

Përsëri, kjo ngjan t’i vërë muslimanët më së pari në shenjë, duke u dhënë ndërkaq denominacioneve të tjera fetare hapësirë për të patur marrëdhënie transnacionale, duke marrë mbështetje financiare nga jashtë, si, për shembull, misionarët mormonë, apo Vatikani tek ndihmon Kishën Katolike.

Kjo na sjell në mendje iniciativa të ngjashme në vende të tjera europiane. Ngjashëm me iniciativat e tjera, ky plan francez, i cili do të bëhet i ditur më me hollësi brenda gjysmës tjetër të vitit, është ndjekur jo më pak fuqimisht nga Ministria e Brendshme. Qeveria italiane po ashtu shpalli në 2017-n përpjekjen e saj për të krijuar një Islam italian!

Dhe përsëri kjo u bë nga Ministria e Brendshme italiane. Ministria e Brendshme austriake po niste një proces për të krijuar një Akt Islam të ri, të paraqitur më në fund në vitin 2015 mes kritikave të ashpra.

Në Gjermani, po ashtu, është Ministria e Brendshme e cila nisi në 2007-n Konferencën Gjermane për Islamin, që njëlloj çoi në shumë kritika. Një veçori strukturore e këtyre vijave veprimi është një ligjërim relativisht i butë i shoqëruar nga politika të forta.

Kancelari i porsazgjedhur austriak, Sebastian Kurz, është mbase shembulli ideal i kësaj strategjie. Ndërsa mbështeti plotësisht deklarimin se Islami ishte pjesë e Austrisë, për të fituar kësisoj zemrat e shumë muslimanëve, ai, përsëri me fytyrë të qeshur, paraqiti më vonë sistemin më autoritar të institucionalizimit të Islamit në Austri.

Emmanuel Macron argumenton se “shteti duhet të jetë asnjanës” në Francë, gjë e cila, sipas tij, “është në zemër të shekullarizmit”. Ky deklarim është shumë i vërtetë. Por ai do të binte në kundërshtim fundamentalisht me kufizimet e kërkuara për institucionet islame, si rregullimi i financave të tyre dhe shikimi vetëm i muslimanëve të arsimuar në Francë si të mirë, kurse muslimanët e arsimuar jashtë janë të këqijtë. Do të jetë e rëndësishme mbajtja e vëmendjes te propozimet, të cilat Macron-i premtoi t’i paraqiste brenda gjashtë muajve të ardhshëm.

Marrë nga: Radio 1

Përktheu: Bujar M. Hoxha            

 

 

 

Related posts