728 x 90 Leaderboard

Nga Ermir HOXHA: Xhihadizimi i konçiensionit dhe i PPP-së, rasti i Teatrit të ri Kombëtar

Ka një term të familjarizuar tashmë në media, xhihad, ku si pasojë e përdorimit duke i dhënë një vokacion negativ, të shtin të dridhurat. Kjo, për atë masë të madhe njerëzish që haberin nuk ja kanë se për çfarë bëhet fjalë, pra çfarë është në të vërtetë xhihadizmi dhe cila është rrënja etimologjike e tij.

Ajo është marrë e kuptuar ashtu, kallup, dhe sot, nga përdorimi mediatik i saj, është ndër ato terma me kuptim të kthyer kokëposhtë. Nuk është nevoja për ndonjë sforcim fetaro-akademik për ta përcjellë kuptimin e drejtë të këtij termi, pasi mjafton një sekuencë nga filmi “Përballimi”, një monolog i shkurtër i një prej personazheve, për të përftuar në mënyrën më të thjeshtë të mundshme, thelbin kuptimor të xhihadit.

Neziri: Por burrëria më e madhe a e di se cila na qenka morr vëllezër? Të mposhtësh vetveten!

Tarja: Po pse na u dashka të mposhtësh vetveten?

Neziri: A duhet morr duhet! Ja ta zëmë se të hyri në bark djalli dhe lakmon të pasurohesh me batakçillëqe dhe poshtërsira. Atëhere kush është burrë, e mposht vetveten, e mund lakminë dhe i mbahet rrugës së drejtë, rrugës së nderit! 

Dhe po ndodh që këto vite, janë dy terma të infektuar mediatikisht me xhihadizëm: konçension dhe PPP (Partneritet Publik Privat). Mjaft të artikulohen dhe mendja vizaton skema vjedhjesh e korrupsioni açik, pa u marrë në konsideratë asnjë lloj arithmetike, asnjë përllogaritje, asnjë kalkulim, ku brenda ka shifra por dhe interesa me karakter social.

E para dhe më kryesorja, janë dy praktika që bota, ajo e zhvilluara, e për më tepër ajo pjesë e pakorruptuar e saj, i aplikojnë prej vitesh. Pra, nuk diçka shqiptare. Shqiptare në këtë rast është vetëm dyshimi, paragjykimi, prirja për të parë vetë djallin pas tyre. Deri diku kjo është e përligjur. Ky vend ofron pak modele ndershmërie. Ose më saktë, prirja është vetëm për të ofruar “skandalin” si parafjalë e çdo kumti, mbi të gjitha mediatik, pasi aty nis e gatuhet, për fat të keq, e gjithë psikoza jonë sociale.

Këto ditë, në qendër të debatit publik është ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar me PPP. E tha vetë kryeministri. Qartë e troç, pa asnjë kompleks. Ofroi dhe arsyen përse: shteti nuk e ka buxhetin e duhur.

Mund dhe mos ta thoshte. Mundej që gjithçka të ndodhte pa e ditur. Por kur ka media të etur për “skandale” si lëndë të parë ekzistence, kjo është e vështirë të ndodhë. E kundërta, imagjinojeni për një moment që ndërtohet teatri, artistët vijojnë punën e tyre, janë të kënaqur me shtëpinë e re, dhe ndërkohë aty afër nis e ndërtohen dhe…kulla. Ç’lidhje ka kjo me aktivitetin e mirëfilltë artistik të teatrit? Ja, dëgjojini një pjesë të artistëve, pos që janë të shqetësuar, e gjithashtu të interesuar mbi detaje që vërtet prekin interesin e tyre artistik – skena, salla, dhomat e provave, fonia, ndriçimi paskuintat etj., shprehin pezm të madh mbi faktin se te godina ku ata realizojnë artin e tyre paska gisht dhe privati(!). Por çfarë është privati në këtë rast? Ç’lloj dreqi është ai? Për çfarë arsye financiare apo sociale duhet mbajtur larg?

A nuk qe ky privat, i ndjeri Artan Hoxha i TOP-it, që një pjesë të mirë prej atyre që sot janë emra të skenës e kinemasë pas vitit 2000, u morrën dhe “u rritën” prej mundësive që ai u ofroi?

Ka një paradoks në sjelljen e një pjesë të stafit të artistëve kur vjen puna që i shqetëson privati, pra dora e tij në ndërtimin e një teatri. Nga njëra anë, për produktin e tyre artistik, të ardhurat, ata e duan privatin, njeriun me lekë që do investonte për artin; ëndërrojnë dhe luten për këtë gjë. Madje e shfaqin dhe si trishtim faktin se parelinjtë e kësaj shoqërie, sipas tyre nuk jua ndjen të investojnë për artin. E nga ana tjetër nuk duan që për pjesën agregate, materiale të strehës së tyre, të jetë privati ai që do kontribuojë. E nëse në këtë lloj marrëdhënieje fiton dhe ai, në mënyrë direkte ose indirekte, ku është e keqja këtu? Përkundrazi, duhet të ishin vetë artistët ata të cilët të shtrydhnin mendjen për të gjetur forma partneriteti me privatin, me atë që posedon të ardhura, për të bërë të mundur përfitimet e dyanshme.

Por siduket edhe kjo është pasojë e të menduarit komunist. 27 vite në një sistem tregu, ende nuk janë kuptuar tiparet themelore të tij. Në këtë sistem, privati është një ndër shtyllat, deri dhe leva më e fuqishme e tij. Dhe në kushtet shqiptare, ai mbetet më i avancuar se shteti në vizione. Mosbërja e privatit partner në çështje të zhvillimit, është gomarllëku më i madh që një shtet mund të bëjë, pas apatisë, mefshtësisë dhe mungesës së forcës kreative. Privati është aseti më i madh i një ekonomie tregu. U injorua ky aset, mirësevjen sërish komunizëm.

Lexojeni më poshtë këtë perlë nga Top Channel, nxjerrë nga lajmi që bën me dije përfitimet e privatit në ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar:

“Sipas qeverisë, teatri i ri do të ndërtohet përmes një partneriteti publik privat, i cili ka lindur nga një propozim i pakërkuar. Pra ndërtimi i teatrit të ri nuk ka ardhur si kërkesë e qeverisë, por është propozuar nga kompania private. Çka tregon se nuk është interesi publik qëllimi kryesor. Skema parashikon që privati ta ndërtojë teatrin me paratë e veta, por në këmbim ai do të të përfitojë falas tokë publike mbi të cilën do të ngrihen katër kulla për ambiente tregtare dhe qëllime banimi”. Po ku është mëkati nëse privati i pari e ka bërë propozimin? E ka bërë propozimin i pari pasi privati mendon, lëviz, krijon. Kjo mund të shihet dhe te vetë TOP-i që hyri në treg duke i tundur gjërat, duke ofruar ide, kreativitet, marrëdhënie të re tregu, e mbi të gjitha duke qenë vetë financues në art. Ç’të keqe do kishte nëse vetë TOP-i, duke patur këllqe financiare, do i trokiste qeverisë për t’i ofruar këtë propozim, pra që ta ndërtonte ajo TK-në e re, ama duke marrë benefice në aspekte të tjera investuese?

…“Çka tregon se nuk është interesi publik qëllimi kryesor”, është fraza ku mëtohet t’i vihet kapaku çështjes. Dhe në këtë definicion arrihet nga fakti se paska qenë privati e jo shteti ai që paska bërë propozimin i pari. Tani, kjo radhë pune e ndërton apo e lë përgjysëm TK-në e re? Mos vallë kjo e ul cilësinë artistike të shfaqjeve aty, pra fakti që privati paska qenë vramendësi i parë i zgjidhjes së ngërçit për një teatër të ri? Mos do ndodhë që nga ky fakt të bie dhe interesi i publikut për të parë shfaqje në teatrin e ri? Jo, kronika nuk ka përgigje për këto. Sepse që kur është nisur, mendja e hartuesit kanë qenë e kurdisur për ta parë si “skandal” atë që në fakt është mëse normale, në një sistem tregu.

Dhe kjo nuk vlen vetëm për një teatër; kjo mund të vlejë dhe për investime në të tjerë zëra ku shteti nuk e ka takatin për t’i ofruar gjithë ç’kërkohet e ç’është e domosdoshme në interesa publike.

Po sikur të ndodhte që ai, privati t’u thoshte aristëve: veç ndërtimit të teatrit, do keni dhe nga një apartament-dhuratë te kullat e mia, si do reagonin?

Në këtë sistem, njeriu i mençur, edhe në qoftë artist, e ku mbi të gjitha e sheh veten dhe si aktor tregu në talentin dhe aftësinë që ka, e bën mik privatin e i thotë: ti investo për mua, e me artin tim (për)fitojmë të dy!

Ja pra që parimisht, as xhihadi nuk është ai që përflitet e as PPP-ja apo konçensioni nuk janë ato që zakonisht damkosen. /tesheshi.com/   

 

 

 

Related posts