Nga Ermir HOXHA: Të (mos)ushqesh “pranverizimin arab” të vendit tënd

Kriza aktuale politike në Shqipëri nuk ka por duhet të ketë vetëm një debat: atë mbi rregullat e lojës.

Si rrallë në historinë e demokracisë, jo thjesht shqiptare por dhe botërore, një opozitë parlamentare vendos të djegë mandatet e të dalë nga sistemi. E plotëson këtë dhe me bojkot zgjedhjesh. Kushtet që vendos janë ultimative dhe ekstreme. Kërkon ikjen e kryeministrit, qeveri tranzitore (me prezencën e saj), e më pas dhe zgjedhje të parakohshme. Të trija, pa lëshuar pe në asnjërën, pa lënë asnjë deriçkë ky të përbijë arsyeja njerëzore e politike bashkë, të përkthyera si dorëzim pushteti në tavolinë.

Më pas, nga rruga, me forma deri dhe të dhunshme, vendos të diktojë respektimin e sistemit: zgjedhje vetëm me të, ose ndryshe nuk ka zgjedhje. Dhe në këtë qerthull absurdi, lëviz me po njëjtin ligjërim politik esktrem sa herë është në opozitë.

Pra, është fjala për PD-në, tashmë dhe me LSI-në në krah, themeluesja e promovuesja “par exelence” e amoralitetit politik në tranzicionin shqiptar.

Sa për kujtesë, është i njëjti ligjërim si ndaj Nanos, ama derisa sa ky i fundit ra nga pushteti. Më pas, në PD e kishin mik. Se të tillë e bëri Berisha dy vjen pasi e rrëzoi, duke u përtallur me gazetarët që i merrnin seriozisht akuzat e tij. Nga ajo pjesë e medias pranë saj, e gjithashtu e opinionit anti-qeveri, kjo është harruar. Por është mirë të kujtohet, pasi i ndih fort të kuptuarit më të drejtë të situatës.

Megjithatë, qeverisja e Ramës ka anën e saj të mynxyrtë pa diskutim, ku futen dështimet por dhe ca skandale kokëforta. Ato të përgjimeve, qoftë dhe në planin etik, ishin të tilla. Sikur asnjë votë të mos jetë vjedhur, kur një ministër që ka qenë dhe profesor, komunikon shpengueshëm, si të ishin shokë rakie, me Imer Lalën, të ububushmin e zonës në Dibrës, kaq do mjaftonte që ai të mos aktronte më në politikë e jetën publike.

Megjithatë, kjo nuk e përligj prishjen e rregullave të lojës, e cila ka një autorësi të qartë nën siglat PD-LSI. Janë pikërisht këto që e kanë futur në një qorrsokak politikëbërjen botërore, por dhe shkollën e politikës perëndimore, e cila nuk e ka parashikuar një marrëzi të tillë brenda një sistemi të maturuar me dekada, ku 100 problemeve iu përgjigjen 101 zgjidhje. Kjo, kur tek çdo forcë politike në lojë demokratike, ruhen kufijtë e etikës. Pra, nuk ka dalje mendsh.

Qeverisja e Ramës nuk është e vetmja me probleme, sado të thella, sado me vula skandalesh, tek e fundit po aq sa ajo e paraardhësit të tij, sidomos te çështja e votës, ku diku ja kalon (Bild-i), e diku jo në turpe (siç vjedhja e mandatit të Tiranës), e megjithatë sistemi ka funksionuar perfekt. Kjo sepse, Rama, në kushte opozite gjjithsesi nuk doli mendsh; shkoi në votime pa i diskutuar kurrë ato. Ndaj sot nuk është debat e se ç’ka bërë mirë apo keq Rama, se cilat janë turpet apo skandalet e tij, por se si dy forca kanë vendosur të godasin sistemin, për ta zhbërë atë, për ta çuar vendin në kaos, anarki e dhunë.

Urrejtësit e Ramës, politikë apo etikë, në rrjetë apo publik, këtë s’po kuptojnë dot, këtë s’po e ndajnë dot; si ai mjeku injorant, ata po duan të injektojnë në trupin e të sëmurit ilaçin me njëqind efekte anësore, duke gënjyer veten e të sëmurin po ashtu, se po i sjellin shërim.

Kështu, ata po duan të ikë Rama, me formë jashtë sistemi, duke i hapur rrugë “pranverizimit arab” të Shqipërisë.

Rama nuk është diktator, ai është një lojtar politik që të paktën nuk ka çeduar në etikën politike në raport me sistemin. Njëmijë të zezat e tij nuk ka gjasë që të mos sfidohen nëse do kishte përballë potenciale politike të fuqishme, individë me integritet të lartë publik, politik dhe moral. Nëse këto tre komponentë i plotëson katërshja e kësaj skeme për ta rrëzuar Ramën me goditje sistemi, duke e bërë lëmsh atë, deri në kufijtë e kaosit, pra Berisha, Meta, Basha e Kryemadhi, Rama le të thyejë qafën që sot nga pushteti. Edhe kjo harrohet dhe bëhet sikur s’shihet nga urrejtësit e Ramës, që gjithashtu, nuk arrijnë të kuptojnë dot dhe kaosin mental ku i ka futur katërshja në fjalë.

Has sot, në rrjete e deri dhe studio debati, jo thjesht tifozë politikë që s’ja kanë haberin ABC-së së etikës politike, por dhe leksionedhënës universitarë, jo në veterinari por në shkenca politike, që turpërojnë veten me profanizimin, atë që mund t’i justifikohej një studenti në fillime e tij e jo të një profesori.

Pyetje: çfarë i bëri kjo mazhorancë opozitës aq sa kjo e fundit të lërë mandatet, të dalë në rrugë e bojkotojë zgjedhjet? Çfarë të drejtash i morri, çfarë dhune ushtroi, kë ia vrau, çfarë poshtërimi i bëri aq sa për të marrë këtë masë esktreme me dalje jashtë sistemit? Eshtë qeverisje e keqe? Po sot e gjithë ditën. Tek e fundit, edhe si rregull loje, nuk ka qeverisje të mirë për një opozitë.  Por opozitës, kjo mazhorancë, në marrëdhënien e ngushtë mes tyre nuk i ka bërë gjë.

Vjedhja e pretenduar e votave, krimi, droga e gjithëçfarë, le të shërbejnë si një aset elektoral për triumf në kutitë e votimit. Këto janë rregullat e lojës, ky është sistemi. Dhe jo thjesht teorikisht. Eshtë një maturim prej dekadash, me prova bindëse që funksionin, gjithnjë nëse palët nuk luajnë mendsh(siç në fakt në rastin shqiptar).

Dhe nëse i vëmë në peshore pasojat e një qeverisjeje të keqe me atë të daljes jashtë sistemit, pra prishjes së rregullave të lojës, me gjasë, nëse gjykohet ftohtë, kjo e dyta është më e tmerrshme pasi i hap rrugë kaosit(siç dhe po ndodh). Dhe kaosi përkthehet më pas, Zoti mos e dhëntë, në dhunë e gjakderdhje. Mjafton të hidhni sytë në “Pranverën arabe”. Dhe të mendosh se aty ka qenë populli e jo militancat partiake që dolën në rrugë.

Ndaj sot debati i madh duhet të jetë mbi ata që guxuan të prishin rregullat e lojës, të godasin etikën bazë demokratike, e cila absorbon çdo qeverisje të keqe por jo çmenduritë politike, ato lloj çmendurish që nuk kanë më asnjë limit, asnjë vetëkufizim e vetëfrenim etik.

Përpiquni të gjeni sot një vrimëz sado të vogël, sado një të çarë ku mund të hyjë arsyeja më minimale, politike e njerëzore bashkë, në murrin PD-LSI me katër protagonistët e tyre. Nuk do mundeni dot. Nuk ka se si ndodh dot. Kjo sepse më ndërgjegje e zgjodhën rrugën e kaosit. Ata nuk ekzistojnë dot në arsye, nuk veprojnë dot në normalitet, nuk fitojnë dot në stabilitet.

Nëse ata do ishin ndryshe, do silleshin ndryshe, Rama nuk do ishte sot në pushtet. Por nuk janë, siç dhe nuk kanë qenë kurrë: të virtytshëm, të aftë, vizionarë, reformatorë, imponues. Këtë e dinë dhe ata që e urrejnë për vdekje Ramën, por zgjedhin t’i japin prevalencë urrejtjes mbi logjikën e ftohtë, mbi gjykimin e drejtë, edhe kur ai është kundër egos së tyre.

Po, Rama duhet hequr nga pushteti si ndëshkim për të pabërat. Po si? Ky është parim demokratik. Por parimi bazë në demokraci është se “demokracia është procedurë”. Që do të thotë se “Si”-ja është më e rëndësishme se “Pse”-ja. Ndërsa sot ky rregull po kthehet përmbys. Për hir të “Pse”-së, nuk ka rëndësi “Si”-ja.

Por nëse rregullat e lojës mbeten peng i “Pse”-së, hapi derën kaosit. “Pse”-ja është emotivitet, perceptim. “Si”-ja është arithmetikë.

Katërshja njerëzore e PD-LSI po tenton të zhbëjë ekuacionin logjik të lojës demokratike, për të marrë atë rezultat që do, pasi nuk ia del dot me atë që duhet.

Dhe njëherë për ta thjeshtuar, meqë të gjithë, pavarësisht bindjeve politike, bashkoheni te tërheqja pas futbollit. Ç’ndodh kur një ekip bojkoton një takim? Pos që humbet në tavolinë, rrezikon dhe të përjashtohet. Pse? Sepse godet sistemin, e vë në rrezik atë. Por a funksionon perfekt gjithçka? Sigurisht që jo. Ka gafa të rënda arbitrash, korruptim të tyre, por të gjitha absorbohen e menaxhohen pa e rrëzuar sistemin. Sikur shumë skuadra të zgjidhnin bojkotin për pakënaqësinë më të vogël që mund të kenë, futbolli nuk do ekzistonte. Por kjo nuk është asgjë përballë faktit se kur kjo ndodh në politikë, pasojat shkojnë deri në tragjizëm.

T’i tregosh vendin me votë PD-LSI-së dhe katërshes që e drejton atë, në një proces që ata e bojkotuan, nuk do të thotë të mbrosh Ramën  por të mbrosh vendin tënd nga një “pranverizim arab”, nga ata që vendosën daljen jashtë sistemit, goditjen e tij, prishjen e lojës demokratike.

Eshtë thjesht debat mbi rregullat e lojës, e jo kush janë më të mirë apo më të keqinj, këta apo ata.

Nëse ka rregulla loje, edhe Bujar Kapexhiu ka shansin më të madh ta rrëzojë Ramën, e të na afrojë një Shqipëri siç ai e do, apo siç ne na pëlqen. Ai e kushdo tjetër.

Por këtu më pas lind një tjetër debat, ai që ka të bëjë me të përvëluarit për “zgjedhje moniste”, mes tyre dhe Kapexhiu, një ushtri që turfullojnë nga frika e kërcënimit monist, por që idiotisht ngatërrojnë adresë në fajësim. Asnjë fjalë për ata që po tentojnë të godasin sistemin, dy partitë opozitare, autoret e këtij monizmi te dera, e të gjithë bateritë kundër Ramës. Madje madje, të gjithë ja kërkojnë Ramës zgjidhjen politike, duke harruar se ai është një prej disa aktorëve në lojën demokratike. Aktorë janë dhe katërshja e opozitës – pra përfshirë dhe presidentin – që siç po shihet, me qorrsokakun ku e kanë futur vendin, po paskan shumë pushtet. Po aq sa Rama të cilin e akuzojnë për rrëmbim pushtetesh.

Zgjedhjet moniste nuk janë dëshirë politike, por një e keqe e domosdoshme për të moscenuar dot sistemin nga ata që e kanë sulmuar atë. Duhet të ndodh njëherë që mos ndodh gjithëherë.

Eshtë ajo që sqaron më së miri faktin se ndërkombëtarët sot nuk mbrojnë Ramën por sistemin politik perëndimor. Dikush në Ballkan jua ka goditur atë…/tesheshi.com/

 

 

auto pjese dak

Related posts