Nga Ermir HOXHA: Nuk ka krizë politike, ka krizë morali në politikë

Ajo që po ndodh këto ditë, ku opozita ka ndërmarrë aktin më ekstrem, atë të dorëzimit të mandateve, duke i dhënë kështu një goditje të rëndë “rregullave të lojës” në demokraci, është klasifikuar rëndom si një krizë e radhës në politikën shqiptare. E duke u trajtuar si e tillë, edhe qasjet ndaj saj, nga aktorë politikë e publikë bashkë, kanë qenë ato të zakonshmet e tranzicionit, ku edhe njëherë ofrohen formula apo përcillen apele, të cilat që të gjitha vuajnë nga sipërfaqsia. Sidomos kur shpëtimi shihet nga ndërkombëtarët. Eshtë e vërtetë, ata janë shpresa në këtë rast, referuar dhe rastit të para dy viteve – çadrës embematike – ku forca e aftësia e tyre qe deri diku përcaktuese në zgjidhjen e krizës, edhe pse finalja e saj që tërësisht shqiptare – me dy krerët e politikës, të cilët u ngujuan në orët e vona të natës, për të nxjerrë “tymin e bardhë” të zgjidhjes në të gdhirë të ditës pasuese.

Por në fakt, më shumë se krizë politike, kjo e të tjera para saj, këto janë kriza të moralit në politikë.

Në ndoshta nuk do mund ta zbulojmë nëse kastat politike janë të shitura, janë shërbëtore interesash të huaja – siç aludohet këtu e më shumë se dy dekada, ku ushqehen pa fund teori konspirative – por lehtësisht ne mund ta kuptojmë se ato janë moralisht përtokë. Sepse, mbi të gjitha, hem kanë dalë nga një truall social në krizë morale, e hem kanë ushqyer atë me amoralitet.

Amoraliteti është ndër të tjera dhe padrejtësia që është bërë normë shoqërore, në çdo skutë të jetës. Kurrë nuk duhet harruar, e madje duhet potencuar, se në një vend ku një pjesë e popullsisë i ka vjedhur pronënp jesës tjetër, aty kurrë nuk do mund të ketë paqe e mbrothësi.

Ne, shoqëria shqiptare, nuk kemi thjesht probleme ekonomike, apo ndryshe nuk jemi në krizë ekonomike; ne jemi një krizë morale, gjersa e kemi gati të pamundur që t’i provojmë apo pohojmë vetes një virtyt mbarëshoqëror karakterizues, i cili, paçka sfidave, të mund të ketë qenë një fill moral që të na ketë shoqëruar përgjatë tranzicionit. Ky moral ka munguar dhe atje ku ka qenë vendimmarrja, pas së cilës kanë ardhur pasoja të panumërta, ku në thelb është padrejtësia shoqërore. Edhe njëherë për simbol mund të merret prona, te e cila ngërthehet niveli më i lartë i amoralitetit politik e shoqëror. Sepse, kur politika e ka yshtur vjedhjen e saj me formë ligjore – ligji 7051 apo ai ilegalizimeve – nivelet e tjera shoqërore më pas janë inspiruar ta vjedhin në forma të tjera, ku me firma e ku me plumba.

Të rikthehemi te domeni i politikës. Çfarë ndodh aty? Thjesht, njëra palë i bënë t tjetrës atë që kjo tjetra s’do donte ta bënte me të. Kjo është mbrapshtia morale që ka shoqëruar të gjithë politikëbërjen, me shumë pak diferenca. Madje dhe në morinë e pyetjeve që i bëhen politikës në morinë e përballjeve politike, kurrë nuk haset një sosh mbi moralin.

Fjala vjen, ç’fill moral e shoqëron aksionin opozitar PD-LSI? Cilat janë ato forma, ato detaje, ato lloj sjelljesh, që e veshin opozitarizmin e tyre me një kostum simpatik moral? A e kanë ata shqetësim faktin se me gjuhën e tyre, mesazhet që përcjellin, helmojnë apo shërojnë moralisht një popull? A e kanë ata moralin si armën e përzgjedhur për të qenë superior ndaj kundërshtarit? Deri ku fjala vjen është limiti i tyre etik, që nis nga gjuha e shkon deri te veprimet? A ka një të tillë vetëfrenues? Sepse mjafton gjuha, ajo që vret e pret, edhe nëse nuk e bën me plumb – meqë dhe ky është artikuluar qartazi këto ditë figura të opozitës. Cili është ai shteg që lë kjo e fundit, etik e logjik, për t’i lënë vend dhe arsyes, pas së cilës mund të vijë një dialogim, një pakt, një risistemim raportesh e rivendosje kushtesh e kriteresh atje ku ato janë shprishur?

Nuk do shumë sforco për të akuzuar një qeverisje. Dhe opozita, falë statusit të saj në kontekst të lojës politike, e bën këtë me lehtësinë më të madhe, sidomos kur nuk ka asnjë kriter moral. Me 10 fjali gjithsej, në një terren shoqëror ekstremisht të amoralshëm nga paragjykimi, thashethemi e akuzat kuturu, ajo ndërton vokabularin e saj akuzues dhe me të më pas lëshohet pa frerë, duke injoruar tërësisht faktin se pas do kohe do gjendet ajo në pozitën e kundërshtarit.

Dhe mjafton LSI, ky mishërim i amoralitetit politik, forca e cila deri një vit e gjys,ë përpara qeveriste me djallin Rama, ndante shtetin me të, se si ka kaluar në nivel skizofrenie, si për të vërtetuar se i vetmi ilaç që e qetëson është pushteti.

Shihni Bashën, njeriun më me shumë pushtet në raport me moshën dhe vitet në politikë – ministër në katër dikastere dhe katër vjet kryebashkiak i Tiranës, në ligjërimin e të cilit mund të hasësh shumëçka, sidomos në akuza, por kurrë e asgjë në pohimin e vlerave të vetvetes, modelit, standarteve që solli e instaloi në politikë, etikës apo mençurisë politike, aftësisë kreative apo menaxhuese, sharmit intelektual apo botëkuptimor, duke mbetur në këto tregues një boshësi e gjallë e deri e dhimbshme në politikën shqiptare. Dhe të gjitha këto, duke mos pasur as moralietin, ushqejnë veçse amoralitet, duke thelluar akoma dhe më tepër krizën.

Vijmë te qeverisja, e cila ka po ashtu dramën më të madhe moralitetin e munguar, atë që e injekton në shoqëri jo më shumë nga programi politik, se nga një etikë politike që bëhet e prekshme dhe e ndjeshme te njerëzit. Apelet e Ramës për vetëpërmbajtje, arnimet e ndryshme në qasjet ndaj kundërshtarit, platforma e bashkëqeverisjes në raportet me njerëzit etj., mbeten anemike e jo bindëse përballë përtalljeve – siç është realisht bullizmi i Ramës me Palokën – apo një zelli zgrapsish në disa nivele pushteti, ku nuk ka portal shqipëriaqëduam.al që t’jua ndalë dorën.

Duke i marrë të mirëqena “duart e pastra” të shefit të qeverisë, do mjaftonin grykësat e tatimorëve për ta vënë nën akuzë të parin e punëve, se morali i munguar i qeverisjes së tij – paçka disa reformave kurajoze e ndëryrjeve estetike, është në fakt dështimi më i madh i tij. Edhe në këtë rast, është krizë morali në qeverisje e jo krizë qeverisëse! /tesheshi.com/                                                                                                       

auto pjese dak

Related posts