Nga Ermir HOXHA: Mbi lugën e hasmit në tepsinë e Haradinajt

Nëse tepsia e Shqipërisë kishte të bënte me shqiptarë të papërgjegjshëm, tuafë, abuzues, pazarxhinj të rëndomtë etj., kjo e Kosovës së fundi me kryeministër Haradinaj është dreqi vetë: tepsi me lugën e hasmit brenda!

Nenad Rikalo, njeriu që i është dhënë në dorë bujqësia kosovare, rezulton të ketë qenë dhe një dhunëushtrues ndaj kosovarëve në kohën e luftës, për më tepër fqinjëve, që për shumë arsye mbeten të “shenjtë”.

Madje testi i humanizimit të një populli duhej të ishte fare mirë tek raporti që ndërton me fqinjin; dhe në këtë pikë, dihet fare mirë se ç’kanë bërë serbët gjatë luftrave në ish-Jugosllavi.

Krimi nuk ka nisur fillimisht nga ushtria, por nga fqinji që sot ka pirë kafe me fqinjin, e të nesërmen i ka futur plumbin ballit; e njohur gjerësisht kjo pabesi pikërisht tek serbët, si ndaj kroatëve, si ndaj boshnjakëve, e së fundi ndaj kosovarëve.

Haradinaj, përveçse do mbahet mend si krijues i një tepsie pushteti ku e futi në hise dhe hasmin, po i del tashmë dhe në krah vartësit të tij serb, duke bërë sofistin me kritere juridike për ta nxjerrë të larë nga akuzat.

D.m.th., preferon të nxjerrë gënjeshtarë bashkëkombasit e tij, ata të cilët e kanë patur fqinj Nenadin dhe fare e mirë ia dijnë bëmat. Dhe nuk është për t’u habitur. Ashtu siç është katandisur Kosova, është refleksioni më i mirë se trimat e djeshëm në luftë janë një hiç në paqe; se atyre që iu është besuar pushka, jo domosdoshmërisht mund t’iu besohet dhe pushteti.

Falë tyre sot, Kosova nuk ka mundur të themelojë, mbi gërmadhat e luftës, një moral kolektiv, ku uniteti, dhe sidomos uniteti, do ishte kredo kryesore në politikëbërje, për ta përballuar fort, në të tjera kushte, serbin që është përbetuar për të të qenë armik. Se ja, vjen fjala: a e do Kosovën Nenad Rukalo?

Edhe sikur të kish qenë një qengj, në kuptimin kriminal të fjalës, a ekziston tek ai e tek bashkëkombas të tij që u janë besuar poste e pushtet, dashuri për Kosovën? Ose më saktë për kosovarët? As që bëhet fjalë. Dhe më e tmerrshme është se këtë e dinë të gjithë, edhe Ramushi.

Ata e duan Kosovën vetëm si serbë, vetëm si të tyre, pa shqiptarë, dhe kjo është në fakt feja e tyre. Dhe rregull kanonik në të, kanë përpjekjen e pashtershme për ta serbizuar sërish Kosovën, me çdo çmim. Kjo është baza morale e tyre, tjetër moral nuk ekziston.

Po si mundet pra që konstrukteve të tilla mentale delikuente t’u besosh pushtet, më saktë t’u dhurosh atë për të cilën ti je vrarë, je masakruar, dëbuar e luftuar?

Çështja kryesore që duhet të ketë të zgjidhur një njeri që merr një përgjegjësi shtetërore, aq më shumë kur emërohet ministër, është qartësimi i indicies morale të tij: nëse e do vendin e vet.

Ai mund të dështojë, ndoshta nga paaftësia në planin profesional, nga vizioni dritëshkurtër, makar dhe nga bota e vogël dhe meskine në planin moral; por në rastin e serbëve tek tepsia e Haradinajt, kjo është katastrofale; është një vetëvrasje, pse jo, një tradhëti; sepse morali i tepsixhinjve të Beogradit është një amoralitet i frikshëm në planin nacional. Po të ishte ndryshe, ata Nenadi me shokë, duhet të lobonin tek Beogradi zyrtar për ta njohur Kosovën.

Me shumë sforcime diplomatike, kushtëzime  ekonomike e  rrethana sociale, mundet të vijë një ditë e një kohë paqeje mes serbësh e shqiptarësh, deri në pikën e një përgjumjeje të emotiviteteve të forta nacionale, por në kahjen serbe as që do ekzistojë ndonjëherë ngordhja e nervit nacionalist karshi Kosovës.

Sepse, edhe njëherë duhet thënë, ajo është feja e tyre.

Ndaj dhe Nenad Rikalo nuk ka gjasë të mos jetë një serb i vërtetë në tepsinë e Haradinajt, luftëtar i paepur për t’iu bërë qindin kosovarëve, më sa ka në dorë. Dhe kësaj here nuk ka pak. Kush hamendet për të kundërtën, duhet të shpallet “budalla i shekullit”. Gjynah që Haradinaj nuk dëshiron të jetë i tillë, por obsesioni që e trazon që kur lufta mbarroi, për të qenë dhe ai një ditë kryeministër – obsesion sesa ndonjë vizion shtetndërtues –  e bën me patjetër…”budallain e shekullit” ndër shqiptarë. Dhe kur kjo bëhet me vetëdije, është shumë e rëndë.

Ai sot kishte shansin e madh që të futej në histori me një akt vërtet atdhetar, shumë më të vyer se pushka që shkrehu në luftë si Rambo: të ftonte të gjithë kahjet politike për një kabinet uniteti, në ditët më të vështira që Kosova po përjeton që nga paslufta, me serbin pas dere, akoma dhe më kërcënues, akoma dhe më i devotshëm në fenë e tij që quhet “Kosova është Serbi”, për ta përballuar me themelimin e një morali të ri: bashkimin!

Fakti që nuk e bën, madje as që i shkon ndërmend ta bëjë, do të thotë se nuk është nga ajo racë që mund t’i besohet deri qeverisja e një vendi. Mirëpo është…kryeministër, dhe kjo e bën tepsinë e tij akoma dhe më fatale për Kosovën. tesheshi.com/