Auto Dak
Auto Dak

Nga Ermir HOXHA: Kriza, pse ndërkombëtarët refuzojnë të merren për budallenj

Situata e krizës ku ndodhet Shqipëria, ku një pjesë është reale e një pjesë e sajuar nga opozita, ka prodhuar një mori paradoksesh e që nxjerr në pah një sërë sëmundjesh shoqërore shqiptare. Një prej tyre është gjykimi bardh e zi.

Ky gjykim, sidomos ai me kontekst politik, ka viktimizuar dhe ndërkombëtarët. Këta të fundit kanë rënë preh e një klisheje të rëndomtë gjykuese të tipit “o me ne, o kundra nesh”, ose “në s’je me mua, je me ata”, një formë provinciale të menduari që ka për inspirues e themelues Sali Berishën.

Eshtë pikërisht ky, arsyeja se pse forca e tij politike që drejton, dje si kryetar de jure e sot de facto, është bërë një armike me Perëndimin. Mjaft të shohësh se si bëhen shoshë në rrjete por jo vetëm, edhe në folëse partiake, eksponentë të tij që u ka rënë për hise të merren me problemet shqiptare. E gjitha kjo, nga ushtria opozitare. Më saktë nga PD. Trashëgimia politike ia deshte që të qe e kundërta.

PD dhe vetë Berisha, e kanë pushtetin dy herë nga ndërkombëtarët, me një përkrahje të hapur e jo thjesht të kamufluar; në ’92 dhe 2005. Madje dhe Bashkinë e Tiranës në vitin 2011 – pra heqjen e Ramës prej aty, e kanë nga ndërkombëtarët. Këta të fundit, përballë një masakarade rinumërimi votash, zgjodhën një dënim kortezial të “prishjes së rregullave në mesin e lojës”, duke zgjedhur më pas të lejojnë ndryshimin e kokës drejtuese të Tiranës. Madje dhe dy arritjet e vetme që PD i artikulon si të tilla nga ish-qeverisja e saj, në mungesë të gjoksrrahjes për ndonjë reformë me peshë dhe me përfitime në kohë – hyrja në NATO dhe heqja e vizave – janë pra “dhurata” nga Perëndimi.

E megjithatë, PD, e jo vetëm sot, vijon të jetë si macja me miun me Perëndimin, sa herë që ky i fundit nuk i vjen për osh. Tradita e fërkimeve të Berishës me  çdo ambasador amerikan, edhe pse nga një sosh prej tyre u nderua me cilësorin “burrë shteti” në një moment të vështirë për të në post-21 Janar, është treguesi më kuptimplotë i një mosmirënjohjeje trishtuese të një force që lindi me staturë perëndimore. Nga ana tjetër, anti-perëndimorët historikë, gjykuar të tillë nga trashëgimia historike, pra PS, janë një shembull luajaliteti në raportet me Perëndimin. E ndërkaq, edhe në sjelljen politike, janë shfaqur, së paku në aparencë, shumë më perëndimorë, e kjo duke nisur që nga gjuha. Togfjalëshi kërcënues “tërheqje zvarrë”, së paku sërish, në ligjërimin e lidershipit socialist, kurrë nuk ka ekzistuar. Në atë demokrat, ka fituar normalitet.

Po a janë vërtet ndërkombëtarët me Ramën kundra Bashës? A janë ata në një nivel të tillë shqiptarizimi mental për t’u gjykuar kaq ngushtësisht? A mund të jenë ata kaq tifozë të rëndomtë politikë? Dhe më e rënda për të cilën edhe janë akuzuar, madje dhe nga mendje të vetëquajtura si të iluminuara, a vërtet janë korruptuar ata nga Rama?

Aspak!

Nëse do ishin të tillë, ata nuk do e mbanin Berishën 8 vjet në pushtet e Ramën po aq në opozitë. Ata thjesht nuk janë budallenj.

Ligjërimi i PD-së, por dhe mendësia, që është e gjitha pasqyrim i karakterit dhe produktit mental të Berishës, pa asnjë thyerje, pa asnjë kolorit, si dje në pushte e si sot në opozitë, është i gjithi fyes për inteligjencën më mesatare njerëzore. Eshtë aq skematik, aq dogmatik, aq sipërfaqësor, aq i varfër, e paralel me këto aq i vrazhdë e jo etik, sa masën njerëzore së cilës i drejtohet e trajton si një turmë budallenjsh. Por të tillë e  trajton edhe faktorin ndërkombëtar. Më e rënda, e bën të paditur. Më e keqja, e bën të korruptuar. Kjo e dyta, edhe pse po aq e rëndë, nuk ia vlen për trajtim. Por e para po. Sepse është më fyese se sa e dyta. Ndërkombëtarët dijnë gjithçka, njohin gjithçka dhe kuptojnë gjithçka. Pra, sa i përket Shqipërisë, sa i përket realitetit të saj politik dhe figurave përfaqsuese. Dhe për t’u pozicionuar, do mjaftonte dhe thjesht aspekti etik. PD sot, pas afro 30 vitesh ekzistencë, shfaqet si një katastrofë etike. Sepse thjesht ajo nuk ka limite etike, në ligjërim e veprim. Nga ana tjetër, sensorët e tyre politikë kanë fuqinë e perceptimit dhe në të “padukshmen” e aksioneve politike.

Dhe për rastin konkret, në pozicionimin unik kundër djegies së mandateve, ata nuk mbrojnë Ramën por sistemin. E kjo bën që PD të mos e ketë betejen më kreun e mazhorancës, në kuadër të një politike të brendshme, por me ndërkombëtarët, të cilëve u ka goditur në tentativë rrëzimi, një prej kolonave të sistemit demokratik, i cili bazohet në pluralitet po e po, por dhe në një jetë parlamentare të detyrueshme, sipas rregullave të lojës të gjithëpranuara. E kjo, për një arsye të mosarsyes.

Ndërkombëtarët në këtë rast, thjesht po vihen në mbrojtje të rregullave të lojës. Këto rregulla loje, edhe pse me një përqindje defektesh si çdo produkt njerëzor, kanë rezultuar të suksesshme. Sepse është një sistem që ja jep shansin kujtdo që dëshiron dhe di të konkurrojë, për të arritur objektivat politikë në bazë të vizionit që ka. Si në futboll: mund të jenë me qindra defektet në rregulla loje apo arbitrime, por gjithësekush në fund ka marrë atë që ka merituar, në fitore apo disfatë.

Madje në këtë pikë, me një përjashtim si zgjedhjet për Tiranën në 2011-ën, të gjitha zgjedhjet në Shqipëri kanë patur rezultat real, pavarësisht defekteve, shkeljeve apo abuzimeve në procese zgjedhore. Edhe në ’96-ën, zgjedhjet ishin të fituara nga PD. Ato thjesht, nga manipulimi masiv, e katandisën një fitore normale ne qesharake, nga rezultatet e thella deri në ekstrem.

Në shënjestër të ndërkombëtarëve këto orë është Raportuesi për Shqipërinë – tashmë një “ish” – Knut Flackenstein. Ai nuk do jetë më në PE, nuk është votuar.

Tek ne, të opozita, ka një gazmend shpërthyer për këtë fakt, shoqëruar dhe me fyerje nga më brutalet në rrjete. Po ç’ka bërë i ziu gjerman? Thjesht ka refuzuar, jo në emër të tij por të standarteve demokratike që përfaqëson, formën e zgjedhur nga opozita me djegie mandatesh. Mos ka ndonjë emër tjetër që është “pro” përballë Fleckensteinit që është “kundër”?

Asnjë për be. Por ky ka patur fatin e keq të ishte zëdhënësi i Brukselit në një prej situatave, hem më serioze e hem më groteske shqiptare. Sepse, kur prishen rregullat e lojës, ka hem tragjizëm e hem komizëm. Së paku në rastin shqiptar, ndërkombëtarët refuzojnë të merren për budallenj, duke u bërë dhe ata sa tragjikë aq dhe komikë. /tesheshi.com/

 

 

 

 

auto pjese dak

Related posts