728 x 90 Leaderboard

Nga Ermir HOXHA: Jemi me ty Vuçiç

Për të disatën herë, presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka shprehur dertin e tij, edhe patriotik, mbi lindshmërinë në rënie të vendin e tij. Ai e quan këtë si një flamë, më e rënda e rënë mbi popullin serb. Dhe përpiqet ta ketë refren të përhershëm në ligjërim, me shpresën se do ndikojë sadopak në vetëdijësimin e popullatës.

Dhe ndodh kjo ndër serbë, të cilët do bënin çdo gjë për të qenë ata dominantët në rajon, edhe me potencial njerëzor. E kanë marrë këtë leksion dhe nga Kosova. Më shumë se pushka, ka qenë nataliteti i madh kosovar, familjet “me shumë pushkë”, me kontigjente të mjaftueshme për t’u vrarë (për liri) e për të rojtur, si fitorja e garantuar ende “pa tërhequr këmbëz”. Mishërim i kësaj është famija Haradinaj. Por ja që dhe atje, në Serbi, konsumerizmi e të tjera sëmundje të kohës po bëjnë të vetën. Ama së paku, njeriu që ka në krye të shtetit po bën sa mundet ta shërojë prej saj. Duke nisur që goja që s’i pushon se thëni: serbë, bëni fëmijë se po shuhemi!

Po tek ne, këtu në Shqipëri? Projekti politik i Ramës, ndryshe Rilindja, ka qenë padyshim më i larmishmi në rrokjen e problematikave, qasjen ndaj tyre. Fjala vjen, për mjedisin, me gjithë çka brenda, florë e faunë, askujt, asnjë qeverie nuk ia ka ndjerë para Rilindjes. Por kur vjen puna tek ajo që çdo ditë po bëhet dhe më evidente, boshatisja e vendit me ritme të frikshme, nga emigracioni apo nataliteti në rënie, nga goja e Ramës një brengë e tillë nuk shprehet kurrë.

Për të parën, emigracionin, ndonëse ai është i pazakontë në këto përmasa që po ndodh katër vitet e fundit, është përpjekur ta minimizojë duke e konsideruar të natyrshëm, një lëvizje diktuar nga tregu në një botë të lirë. Për të dytën, rënien e lindshmërisë, është mjaftuar të thotë se do krijohet një fond shpërblimi për lindjet dhe vetëm kaq.

Por ai mëton të jetë një lider, më shumë se një kryeqeveritar, një burrështetas më shumë se një kryeministër i zakonshëm, një rilindës kombi më shumë se ushtrues mandati në krye të punëve të vendit; dhe nëse e sheh veten kështu, pra diç prej misionari, edhe ai si Vuçiç, i cili ngjan si nxënës i tij në artikulimin politik, duhet t’i mëshojë me të madhe kërcënimit që i bëhet Shqipërisë: tkurrjen katastrofike si popullsi.

Deri më sot, ne vuanim humbjen e njeriut si cilësi, tashmë po e vuajmë dhe humbjen si sasi. Dhe fatkeqësia tjetër është se hallin tonë duhet ta qajmë…me Vuçiçin. /tesheshi.com/

Related posts