Auto Dak
Auto Dak

Nga Ermir HOXHA: Hokatarizmi befasues i Metës, a është thjesht paskrupullsi e tij?

Ilir Meta, edhe pse një figurë e traditës politike post-komuniste, pa skuta mosnjohjeje nga publiku, është shfaqur së fundi si një suprizë me gjuhën e gjestet e tij hokatare. Të ofruara si ushqim për publikun në sfondin e një lufte politike me mazhorancën, a më saktë me vetë kryeministrin Rama, Meta ka futur në pune një lloj “rinie të vonuar”, një performancë publike të panjohur gjer me sot, e që sigurisht nuk e kanë bërë hiç simpatik. E kanë bërë thjesht më të çuditshëm. E jo vetëm kaq; e kanë bërë dhe më të paskrupullt. Pa diskutim që ka një përqindje paskrupullsie edhe të imponuar në politikë, e cila e limituar e me kufinj të kontrolluar, jo me patjetër mund të quhet e tillë. Ndërsa Meta nuk njeh më kufij. Hokatarizmit të tij publik, ku veçon hargalisja me botën shtazore e bimore, shoqëruar me batuta apo fraza që vuajnë nga një mangësi e lindur për të qenë inteligjente edhe në funksion argëtues(për humor), po shkon paralel dhe me ligjërimin e shfrenuar politik.

T’i japësh hakun, beteja e tij aktuale politike, ajo pra me Ramën, nuk është e para në karrierën e tij afro tre dekada, por kjo gjuhë e kjo sjellje publike nuk është parë në asnjë rast prej tij. As në KPD-në e famshme socialiste, ku në përplasje me Nanon, puna ja donte ta rivalizonte kryesocialistin edhe në forcë batute. Jo! Ka qenë besnik i vetëvetes; me atë gjuhë të drunjtë, e me atë paraqitje fizike po të drunjtë gjithashtu. Ndërsa tani, në të 50-at, po shfaqet ndryshe. Çfarë është realisht?

Betejën e tij politike, i sprovuar tashmë me to, mund ta bënte edhe duke qenë “serioz”. Pra, pse ka rrëshqitur edhe në showbiz-llëk, duke bërë politikë dhe me gjuhë hokotare, si të qe një adoleshent i hazdisur? Ç’është ky lloj aktrimi që nuk i ishte parë gjer më sot?

Me gjasë, është thjesht ajo e thëna më sipër; mospasja më e asnjë limiti etik në sfidën politike të radhës. Si i tillë, ai tashmë është më shumë Meta se sa presidenti Meta. Të tillë e bën dhe gjuha e zëdhënësit (Tedi Blushi), i cili as në karrierën gazetareske nuk e ka pasur kaq “rruge”, duke ndërfutur në reagimet politike një fjalor në emergjencë etike. E gjitha kjo, duke e çshenjtëruar atë në emër të së cilës po luftojnë – shenjtërinë e Presidencës – pra vetë Presidencën si institucion.

Para tij, Bujar Nishani, qe trashësisht një partiak si kreu i shtetit, por ruajti gjithsesi ca kufinj, hem në planin konstitucional e hem në atë etik. Tek e fundit nuk mund të pritej më shumë prej tij, si një figurë që të njohur, e thjesht si emër se sa si fenomen, e bëri PD-ja. Ndërsa Meta të fton të kesh nostalgji për Nishanin.

Çfarë është pra? Eshtë një tension i brendshëm, psiqik padyshim me burim te politika, me arsye të dukshme e të padukshme, me gjëra që ndoshta ai i di shumë më tepër se sa publiku që e sheh dhe e dëgjon. Rasti më i fundit me Venecian, reagimin ndaj Komisionit me prestigj ndërkombëtar në fushën e jurispundencës, duke përshkruar dhe me cilësorin “i çmendur”,  na tregon se hokatarja e tij, pra ajo adoleshencë apo rini e vonuar që shfaqet në të 50-at, është një tërmet i brendshëm psiqik, një dramë e brendshme, më shumë se sa një zjedhje për të qenë më sportiv në politikë, në betejat e saj.

Një përqindje skrupulli, nëse do e kish patur, jo vetëm që nuk do ia lejonte vetes një metamorfozë të tillë qesharake në sjelljen publike, por në emër të etikës politike duhej të kishte dhënë dorëheqjen nga kreu i shtetit qyshse iu ndanë rrugët me Ramën.

Sërish për të mos i ngrënë hakun, e ka bërë diçka të tillë, pak më shumë se çdo emër tjetër prej Big-ve të politikës në këto 30 vite, por te pozita e tanishme, asgjë nuk e përligj që ai të vijojë të mbajë postin e presidentit. Sepse nuk mund të kërkosh rrëzimin e një qeverie ndërkohë që je zgjedhur president prej saj; nuk mund të vijosh të godasësh mashorancën, kreun e saj, ndërsa je zgjedhur president prej tyre. E gjersa ata që të kanë zgjedhur po kërkojnë shkarkimin tënd, këtu legjitimiteti yt ka marrë fund. Por kjo kërkon seriozitet për ta bërë, skrupuj padyshim, ndërkohë që Meta ka zgjedhur të jetë hokatar, i paskrupullt padiskutim. /tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts