728 x 90 Leaderboard

Nga Ermir HOXHA: Disfata e pazakontë e BESËS, si mund t’i rikthehet lavdisë së humbur?

Ashtu siç befasoi me rezultatin elektoral të 11 dhjetorit 2016 në zgjedhjet e përgjithshme në Maqedoni, po ashtu ajo shastisti gjithëkënd 10 muaj më pas kur në zgjedhjet lokale do pësonte një disfatë të pamenduar. Është fjala për Lëvizjen BESA, një fenomen jo i zakontë në historinë e politikës mbarëshqiptare të pas ’90-ës, që me precedentin e krijuar ja vlen të përfshihet dhe në analet e asaj botërore.

Ndryshe nga të gjitha partitë rioshe, krijuar në një kohë pak në kundrarrymë, BESA arriti që një periudhë të shkurtër të faktorizohej pangjashmërisht si rast. Ajo u bë shumë shpejt pjesë e axhendës e interesit të ndërkombëtarëve në Maqedoni, arriti të jetë vendimtare në Marrëveshjen e Tiranës, duke patur si kulm marrjen e 5 deputetëve në zgjedhjet e përgjithshme, e shtyrë në periferi të skenës politike PDSH-në historike të dyshes Xhaferi – Thaçi, katandisur në 2 deputetë. Pos kësaj, i jep dërmën BDI-së në bastionin e saj, Çair, si shenjë e një triumfi të paralajmëruar për zgjedhjet lokale. Por paradoksalisht kjo nuk ndodhi.

BESA pësoi një disfatë të pamenduar, madje të vështirë për t’u shpjeguar racionalisht, por që megjithatë zëra brenda saj e kanë paralajmëruar. E tashmë, ngjashëm si ai lojtari në ring që i merren këmbët nga goditja e befasishme kundërshtarit, edhe BESA po kalamendet nën një krizë të brendshme ende jo në përmasa dramatike, por që përbën një shenjë se nëse nuk e merr veten shpejt nga goditja, mund të plandoset përtokë deri më dalje nga ringu – pra skena politike.

Dhe ashtu siç forca e një lojtari matet tek rezistenca e tij në momente disfate, e më tej forca dhe kurajoja për ta rehabilituar veten shpejt, kështu dhe BESA është në sfidën e madhe që mu këto momente të tregojë se i posedon këto komponente morale. Ajo u shfaq si një parti e moralit të munguar në politikë, e tani ka rastin ta tregojë se kjo nuk ka qenë një sajesë iluzive. Koha e ka vënë në provë që ta shfaqë atë përballë vetes.

Në këtë pikë, lidershipi i saj ia vlen që të marrë në konsideratë atë ironinë e një prej medieve maqedonase, e cila pas disfatës në zgjedhje lokale, shkroi se ajo, BESA që kërkonte me ngulm ridefinimin e shtetit, tashmë duhet të ridefinohet vetë. Është aq e vërtetë kjo, sa duket si e thënë me shumë dashamirësi, ndonëse mund të ketë qenë e kundërta. Është koha që BESA të ridefinohet. Kjo duhet të ndodhë me statut, por duhet të ndodhë dhe me frymë.

Ata që e themeluan dhe e jetësuan Lëvizjen BESA, janë në provën e madhe të aftësisë për ta bërë këtë gjë, mjeshtërisht e fisnikërisht, ku betejën më të madhe do e kenë me veten e tyre, me atë që lëvrin tek çdo qenie njerëzore, por pak më shumë tek ata që aspirojnë pushtet, e që është egoja, ai zëri si pëshpërimë djalli që të thotë, në rastin më të mirë, se ti je më i miri, më i afti, i pazëvëndësueshmi, e në rastin më të keq, se ti nuk ke pse largohesh. E nëse kjo nis e bëhet predominante tek kokat drejtuese të saj, nokauti është i paevitueshëm, kësaj herë me vetëgrushtim.

E gjitha çfarë ndodhi me BESËN, si dhe e gjithë vijueshmëria e saj e deritanishme politike, duhet të përbëjë dhe një leksion për lidershipin, nëse ekziston premisa për të parë ftohtë e kujdesshëm se çfarë ngeci, çfarë nuk funksionoi mirë, ku u shfaq paaftësia, nxitimi, gabimet, që më pas sollën disfatën. Dhe nëse të gjitha këto përputhen me protagonizëm nominal, që kanë pra një emër njeriu, përgjegjësia që duhet marrë prej tij është dhe shërbimi më i madh që mund t’i bëjë BESËS.

Si kudo, edhe në një forcë politike, jo të gjithë shfaqin cilësi e dhunti të njëjta. Kohë dhe situata të ndryshme, kërkojnë njerëz të ndryshëm. Ajo që mbetet e pandryshuar ka të bëjë me parimet, vizionion dhe objektivat. Ndërsa burimet njerëzore që i bartin ato, lipset të ndryshojnë pozicione nëse aty ku janë nuk kanë dhënë rezultat.

Në gati 6 muaj, BESA humbi 11 mijë vota. Dhe kjo lloj humbjeje, duhet të shoqërohet patjetër më ndryshim pozicionesh. Xhanëm si në një skuadër futbolli. Mundesh që nganjëherë duket ndenjur në stol, apo duke luajtur vetëm 5 minuta, t’i sjellësh ekipit më shumë rezultat sesa të luaje 90 minuta. E kur kjo ndodh në futboll, që tek e fundit është thjesht një lojë, në politikë bëhet dhe më imperative si kredo morale, pasi aty janë fatet e njerëzve, nganjëherë dhe të një kombi. Mjaft që tek drejtues të saj, në bashkësi apo veçmas, të kuptohet se dhe politika kërkon “të lindurit” për të, që jo domosdoshmërisht duhet të vijnë nga jeta akademike. Shkolla e madhe e historisë së politikës, dje dhe sot, ofron shumë shembuj për vërtetësinë e kësaj devize.

Psikologjia e popullit, aty ku buron vota, gjuha e dëgjimi i tij, kërkojnë të tjerë mjeshtra, që BESA sigurisht i ka, e të cilët duhet që të vihen në vijën e parë të sulmit – drejtimit, e ku ata që nuk arritën dot ta kapin atë, ta kuptojnë e zotërojnë, të kalojnë pas, atje ku mund të jenë më efektivë. Kjo është skuadra që fiton, ky duhet të jetë modeli ekselent i një partie, këtë duhet të bëjë lidershipi i BESËS, nëse do jo thjesht të ekzistojë, më keq akoma si numër, por dhe t’i rikthehet lavdia e humbur.

BESA është tashmë aset kombëtar. Madhështia dhe suksesi i një force politike, qëndron tek fakti kur ajo kalon në “pronësi publike”, pra shndërrohet në pasuri kombëtare. Kështu duhet ta shohin krerët e saj, të tillë duhet ta ndenjë dhe mos të sillen me të si ta kenë pronë të tyren. E themeluan për njerëzit, e njerëzve është. Dhe nëse ka lindur për të bërë historinë, vetëm duke u trajtuar kështu do mundet ta bëjë. /tesheshi.com/

 

Related posts