Auto Dak
Auto Dak
Auto Dak

Nga Ermir HOXHA: Camaj-Koliqi të Auron Tares, “çfarë” apo “pse”?

Mund të kem qenë ndër të parët që jam informuar nga Auron Tare mbi zbulimin e tij befasues, aspak të imagjinueshëm, lidhur me një anë të panjohur të dyshes monumentale të kulturës shqiptare, Martin Camajn e Ernest Koliqin.

Pra, siç është bërë e njohur nga Tare këto ditë, nëpërmjet një materiali të qepur me të dhëna arkivore, publikuar për herë të parë, dyshja Camaj-Koliqi kanë qenë bashkëpunëtor të rregullt të shërbimeve të huaja, përfshirë dhe UDB-në.

Kjo e dhënë për ta, krejt e ftohtë, i nxjerr nën një dritë jo aq vezulluese; më saktë, i zbret më “këmbë në tokë”, edhe ata, por më shumë ithtarët e tyre kulturore, të cilët i shihnin si yje në qiell deri më sot.

Kjo që ka bërë Tare nuk është e para e këtij lloji në 30 vite. Më herët, në kushte lirie, me mundësinë e madhe të aksesit në dokumenta e dëshmi, pas heqjes së kufizimeve të diktuara nga regjimi, janë të shumtë idhujt e rënë, siç janë po ashtu dhe të kundërtët me ta, gjigandë të lënë në hije, që në një moment kanë dalë në dritë.

Por debatin më të madh e kanë shkaktuar të parët; ata që iu ka rënë aureola e lavdisë e shkëlqimit, sapo iu është bërë publike një e metë a cen njerëzor.

Camaj e Koliqi janë më të fundit në një aradhë emrash e personalitetesh, ku veçon dhe Kadareja, i denoncuar sidomos nga Lubonja për vite me radhë mbi mpleksjen e tij letrare me regjimin e Hoxhës.

Veçon gjithashtu dhe heroi kombëtar – Skënderbeu, i servirur krejt ndryshe nga historiani zviceran Oliver Jens Shmid, me gjuhe faktesh të dokumentuara, ndryshe nga ç’na është ofruar nga historiografia komuniste. Dhe, në rastin e Camaj-Koliqit, do ishte interesant qasja e Ardian Klosit po të ishte gjallë, ajo mbi mentorin e tij kulturor, Martin Camaj.

Klosi, përkthyesi i Skënderbeut ndryshe, pra skicuar krejt ndryshe nga Shmid-i, ishte ai që hoqi shumë këtu e vite të shkuara, duke u mbrojtur nga akuzat, në adresë të tij e Shmid-it, mbi ç’mitizimin e Skënderbeut; mbi faktin se ai nuk paskësh qenë dhe aq hero apo atdhetar sa ç’na është treguar, e mbi të gjitha, se edhe  një shqiptar i kulluar, në gjak, vështirë të ishte. Pra, a do gëlltiste dot Klosi, edhe Camajn e tij nën këtë dritë të panjohur që e sjell Tare?

Interesant, si ahere me Skënderbeun e si sot me Camaj-Koliqin, është mënyra e reagimit. Ata që i janë vërsulur Tares, nuk i qasen asaj se “çfarë?” por “pse?”. Pra, jo çfarë të dhënash ka mbi dyshen, nëse ato janë të vërteta, nëse ato duhen parë në kontekst etj., porse pseTare e ka bërë këtë gjë. Dhe së këndejmi, ballafaqohemi me po të njëjtin defekt në diskursin publik: sulmohet autori mbi atë çfarë mund të ketë në gjoks dhe nuk preferohet oponenca ndaj punës së tij.

I pari ndër reagues qe Ardian Ndreca, me status e titull profesori, që e bëri baltë fare duke ndjekur këtë udhë të mbrapshtë përballjeje: e krahasoi Taren me Shvejkun, pa e kuptuar se po e nderonte, duke dhënë të nënkuptuar njëherësh se ose s’e ka lexuar kurrë kryeveprën e Hashekut, ose e ka lexuar por s’ka kuptuar gjë. Më tej, ata që reaguan, ndërtuan Taren komunist, si e vetmi shpjegim sepse ai ishte marrë me të pathënat e Camaj-Koliqit.

Tani, për të gjithë ata që s’e njohin, Tare mund të jetë shumëçka prej atyre që e lënë njeriun në dritë-hije, por kjo e të qënit të tij nostalgjik komunizmi, siç është zbërthyer në versionin psiko-analitik, është në kufijtë e qesharakes.

Në natyrë e formim, Tare as person politik s’është, e për dellet e tij do kish qenë dhe “nën komandën” e PD po t’i jepej mundësia. Me një anim nga kahja kulturore, me preferenca asish që mund enden nga një kahje politike te tjetra (fjala vjen, nuk ishte për prishjen e Teatrit), zgjedhja e qasjes ideologjike për ta sulmuar, përkthehet dhe si dobësi apo paaftësi e të zemëruarve apo irrituarve me materialin e tij, njëherësh ithtarë të Camaj-Koliqit, për t’i bërë oponencë në “çfarë” dhe jo “pse”-në.

Ngjashëm ndodhi dhe me Shmidin e Klosin nga ithtarë skënderbejanë: u sulmuan si shërbëtorë të serbit, pa iu qasur fare tekstit, të dhënave, fakteve, metodikës së trajtimit etj.

Të njëjtin fat po pëson dhe Tare, ku pas 30 vitesh protagonizëm publik, po na del “bij etërish”(!)

Edhe në pastë qenë i tillë, beteja në fund bëhet me tekstin dhe jo statusin e personit. Kështu nga mëson Roland Barthes në esenë e tij të famshme “Vdekja e autorit”. /tesheshi.com/                        

 

auto pjese dak

Related posts