728 x 90 Leaderboard

Nga Enklid PELARI: Si na e mësuan Islamin

E mbaj mend si sot kur dhjetë vite më pare, isha student në fakultetin e teologjisë islame në Damask, e se si me endje vërtitesha korridoreve për të përfituar nga kjo degë, që për mua ishte një ëndërr e bërë tashmë realitet.

Teologjia islame kudo në Lindje të Mesme, në maksimumin e saj, arrin ta formojë studentin me nocionet islame, por kurrsesi ta mësojë atë sesi t’i transmetojë, aktualizojë apo t’i përkthejë mesazhet universale islame në shoqëri. Thënë ndryshe, një teolog musliman i diplomuar kudo, qoftë edhe në Turqi apo Malajzi po deshët, nuk është i aftë që t’i përcjellë këto vlera në shoqëri në mënyrë që ajo të përfitojë prej tyre, pra pjesa tjetër jo islame.

Nga jeta e Muhamedit e dimë se prej drejtësisë së tij përfituan edhe hebrejtë dhe të krishterët të cilët jetonin dhe qeverisnin me librat e tyre brenda shtetit që ai themeloi. Shpesh ata vinin tek Muhamedi për t’u gjykuar me ligjet islame, edhe pse e kishin të drejtën që të gjykoheshin me ligjet e qytetërimin e vet religjioz. Po ashtu, prej bamirësisë së tij të institucionalizuar përfitonin edhe anëtarët e feve të tjera. Me ushtrinë e tij mbrohej kushdo që jetonte në territorin e shtetit të tij, për mos të folur pastaj për dialogun, marrëveshjet e paqes dhe diplomacinë me të cilën ai trajtonte fetë e tjera brenda shtetit të vet, edhe pse kishte mundësinë që t’i spastronte ato sa hap e mbyll sytë. Këtë tolerancë fetare më pas e reflektoi çdo perandori apo dinasti islame duke nisur nga Emevitët, Abasitët, në Andaluzi më pas Perandoria Osmane, nga ku e përqasi edhe Shqipëria

Thënë kjo, Muhamedi i shërbeu me vlerat e fesë islame të gjithë shoqërisë pa dallim në kohën e tij, por edhe gjithë njerëzimit që erdhi më pas duke kursyer shumë kosto njerëzore.

Por sot, teologu musliman nuk e din apo ndoshta ka frikë ta thotë se nëse Muhamedi do jetonte në kohën tonë shteti tij do ishte anëtar i OKB-së duke respektuar të gjitha konventat ndërkombëtare, do ishte anëtar i organizatave botërore që promovojnë të drejtat e njeriut, siç qe rasti i “daru nedvasë”, një forumi i mbajtur përpara ardhjes së profetësisë nga ku u caktua karta e të drejtave të njeriut në atë kohë, sidomos i pelegrinëve të huaj që vizitonin Mekën dhe të cilët nuk kishin përkrahje të brendshme. Për këtë forum, Muhamedi thoshte se do merrte pjesë sërish nëse do ta ftonin, edhe pse tashmë ishte bërë profet dhe thërriste në drejtësinë islame. Muhamedi (a.s) nxiti lirimin e skllevërve duke hedhur kështu hapat e para për rrëzimin e rendit skllavo-pronar, nga ku vendosi si shpagim të shumë mëkateve që bënin muslimanët, lirimin e robërve të luftës. Shteti i Muhamedit pati në fokus arsimin ku shpesh njerëzit që kapeshin robër nga ushtria e tij nëpër luftëra liroheshin me kushtin e vetëm që t’u mësonin lexim-këndimin fëmijëve të muslimanëve. Pra dija dhe shkenca do ishin në fokusin e shtetit të tij sot. Për mos të folur pastaj për marrëveshjet dhe diplomacinë që ai tregoi qoftë me paganët e kurejshët, qoftë me hebrejtë dhe të krishterët, apo me respektin e treguar ndaj delegacioneve të jashtme (lexo: të Nexhranit, etj). Një shtet i mirëfilltë modern ky po ta mendosh. Ky është vetëm preludi i shumë studimeve dhe hulumtimeve që duhej të bënte çdo teolog musliman me qëllim evidentimin, prezantimin dhe më pas punimin për t’i vënë në jetë vlerat universale islame të cilat i duhen shoqërisë së sotme globale multikulturale.

Edhe pse dega që kisha zgjedhur të studioja në Siri kishte të bënte me propagandën dhe mediat, pra jo me shkencat e mirëfillta teologjike, mbaj mend se në lëndën e sociologjisë pedagogu krenohej me zbulimet e Ibn Haldunit, por ai nuk na tha njëherë se kush janë teoritë e sociologëve muslimanë të sotëm; ai krenohej sesi Perëndimi i zhvilloi teoritë e tij, por nuk na tha sesi mund ta bënim ne sot këtë gjë. Në orën e filozofisë flitej sesi Farabiu e të tjerë zhvilluan teoritë e filozofëve të lashtë grekë, sesi kalifët e parë muslimanë i përkthyen dhe zhvilluan teoritë filozofike, por më pas nuk na tha se çfarë bëjnë apo duhet të bëjnë muslimanët e sotëm për të kontribuar edhe sot në këtë lëmi. Edhe këtu diskutimi mbyllej me fjalinë: Perëndimi po përfiton sot prej kontributit të parëve tanë! Në mjekësi të gjithë krenoheshin me zbulimet e Ibn Nefisit, Ibn Sinas, por edhe këtu qarku mbyllej tek të tjerët. Sikur kjo mos të mjaftonte, edhe vet funksioni i teologjisë islame çalonte, pra pastrimi zemrave (tezkijeh) ishte një lëndë shumë shterpe e cila mjaftohej me disa versete kuranore e hadithe, por pa na evidentuar sesi njeriu sotëm modern, që e ka aq shumë të nevojshëm dimensionin metafizik, mund të përfitojë prej saj. Sot shoqëritë perëndimore, për ta mbushur këtë boshllëk janë orientuar drejt filozofive budiste, taoiste, etj., pasi përçuesit e Islamit nuk kanë ditur t’i promovojë vlerat sterilizuese për zemrën tek ta. Kushdo që ka lexuar filozofinë budiste, konstaton se edhe muslimani më i paarsimuar di t’i japë ato orientime spiritualiste pasi i gjen të reflektuar tek feja e vet.

Shumica e pedagogëve teologë që na mësonin ishin anëtarë të parlamentit sirian, por ata kurrsesi nuk ditën të na mësonin qoftë edhe për një ditë sesi t’i institucionalizonim vlerat islame, qoftë edhe dimensionin e bamirësisë. Më pas, në një takim që kemi pasur me kryetarin e dijetarëve muslimanë të Sirisë në Stamboll, dr. Usama Rrifai, mësuam se ata, dijetarët muslimanë pra, e kishin kuptuar tashmë këtë mungesë vizioni, por që ja faturonin faktit i të qenit të Sirisë shtet diktatorial dhe i izoluar. Ne jemi të detyruar t’i pranojmë justifikimet e tyre, sepse siç e pamë kjo e keqe e madhe që po ndodh në Siri e paska pasur edhe një të mirë për mendimin islam, por pavarësisht kësaj, thënia e kreut të dijetarëve sirianë mbetet sërish thjesht një konstatim. Ai thoshte se dijetarët e sotëm muslimanë duhet të punojnë për fik’hun e minoriteteve, pra ligjet sesi të sillet një musliman kur është minoritet, si të votojë, si të paguajë taksat, etj. Nëse ky vakum nuk mbushet, atëherë do vinë terroristët dhe do ta shfrytëzojnë atë duke keqinformuar muslimanët e duke iu thënë se ata duhet të formojnë shtetin e tyre islam etj., kur në fakt Muhamedi në Mekë u soll si minoritet, sepse i tillë ishte dhe kurrë nuk ngriti dorë mbi rendin qeverisës, edhe pse ata i vrisnin, i torturonin apo i persekutonin muslimanët. Shteti islam nuk është kusht e as qëllim për besimin tonë, por Islami ka ardhur si një paketë “full-option” që i përfshin të gjitha etapat e shoqërisë nga individi tek shteti. Ajo që kërkohet është vetpërmirësimi dhe perfeksionimi.

Në hipodromin e qytetërimeve moderne, kultura, vlerat dhe qytetërimi islam ka korsinë e tij të dedikuar. Të gjithë liderët perëndimorë, sidomos ato europianë, kanë nxitur që të promovohen vlerat e Islamit nga vetë muslimanët pasi bota ka nevojë për to, por edhe këtu këto zëra nuk gjetën jehonë tek muslimanët sepse një pjesë teologësh nuk janë formuar e as përgatitur për këtë ditë. Debatet akaidore (dogmatike), fik’hore (jurisprudenciale), usuliste (bazave të jurisprudencës islame) më shoqëruan përgjatë dy viteve teologji që bëra në Siri dhe kjo me pretekstin se debati nxit progres. Në fakt të gjitha këto debate datonin rreth njëmijë e kusur vite më parë; pra imagjinoni sesa ndryshe dhe jashtë kontekstit janë ato përballë gjendjes së muslimanëve të sotëm. Kur më pas më ra të studioja shkencat ekonomike, vetëm në vitin e pestë të studimeve, që i bie viti dytë i masterit shkencor, më ra të dëgjoja për debatet ekonomike e shkollave të teorive ekonomike midis shtetit të përfaqësuar nga Marksi dhe Keynesi dhe liberalistëve tregut, të përfaqësuar nga Smithi, Hayeku dhe Friedmani. Debat ky që i shërbente gjithashtu funksionit të qeverisjes, taksimit, etj. Pra ishte konkret dhe real. Ndërkohë debatet që ka studiuar dhe që vazhdon të studiojë çdo teolog janë abstrakte, surreale dhe inefiçente.

Teologjia islame sot ka nevojë për normatim, konturim dhe institucionalizim të vlerave të saj. Duke ngritur urat e komunikimit të cilat Perëndimi aq shumë po i kërkon, ne i bëjmë nder shoqërisë pasi vetëm kështu mund ta ç’rrënjosim gangrenën terroriste e cila në vetvete përkthehet në injorancë; por nga ana tjetër i bëjmë nder edhe vetes pasi kemi mundësi të promovojmë vlerat dhe mesazhet universale islame. Këto ura janë ngritur dhe po kërkohen nga aktualiteti ku jetojmë; e vetmja gjë që na penalizon është ky dimension i munguar i teologjisë islame i cili duhet të fillohet të merret seriozisht dhe të punohet për të, për të mirën e shoqërisë, vetvetes edhe fesë. Nëse ne nuk e bëjmë këtë gjë sot, brezat që do vinë dhe që do ta kuptojnë shumë mirë këtë dimension, do na stigmatizojnë dhe do na e kritikojnë këtë mungesë efiçence. /tesheshi.com/

 

Related posts