Auto Dak
Auto Dak

Nga Enkel DEMI: Udhëheqësit me flokë të ngjyer

Më bën përshtypje një foto e kandidatëve të FRPD-së para se të nisë fushata për kryetarin e forumit. Elvis Salianji është i vetmi që i ka hapur të dy krahët për t’i përqafuar shokët garues. Fill pas këtij përqafimi, tre kandidatë i lëshuan dorëheqjen pa mbërritur ende mirë në Kavajë. Ndryshe nga çdo forum politik, votimi për zgjedhjen e kreut të të rinjve demokratë po bëhet në çdo qytet më vete, jo në një ditë të diele kudo. Eshtë një mënyrë e çuditshme, që i bën zgjedhjet tërkuzë.

Nisi në Vlorë, ku vetë të rinjtë, garues apo vëzhgues, akuzojnë për manipulim, për pjesëmarrje në votim të njerëzve që nuk kanë qenë kurrë anëtarë të FRPD-së. U fol se deputeti socialist Koço Kokëdhima është interesuar në vetë të parë për këtë ngjarje të partisë kundërshtare. Në lista janë dalluar komisionerë të Partisë Socialiste në zgjedhjet e fundit, ndërsa pretendohet që në Vlorë e Kavajë nuk kanë mundur të votojnë dot kryetarët e degëve të FRPD-së, pasi nuk e gjenin dot emrin në lista. Dikush mund të thotë se është e kuptueshme që në Shqipëri historitë komplotiste janë popullore, dhe, me ç’duket, nuk kanë lënë pa infektuar edhe të rinjtë, por, gjithsesi, kontestimi i procesit zgjedhor në Vlorë, e më pas në Kavajë, u shoqërua me tre dorëheqje. Ka shumë gjasa që, derisa të vijmë në votimin e Tiranës, Salianji të ketë mbetur tek ajo foto i vetëm me krahët hapur si shqiponjë, sepse shokët që ai i çmon aq shumë do i kenë lëshuar dorëheqjet si kakërdhi.

Sot, kur ka halle shumë më të mëdha, siç është qeverisja e keqe, taksat, dekriminalizimi, reforma në drejtësi, helmi i ambasadorit Lu, dhe, mbi të gjitha, terrorizmi, mund të jetë e drejtë vërejtja se përse dreqin duhet të merremi me një proces tek e fundit jo aq kryesor në politikën shqiptare, si zgjedhjet në një organizatë rinore. Në fakt, këto ditë, sipas meje, është duke u zhvilluar sequel-i i zgjedhjes në krye të Partisë Demokratike i kryetarit Luli. Edhe atëherë votuan socialistë, nuk votuan demokratë, u manipuluan listat zgjedhore, u thyen kutitë. Sot, përveç kutive, të gjitha të tjerat i kemi. Manipulimi që po kryhet me zell tek e tek në çdo qytet nuk po sjell modën e kandidatëve rioshë me kokë të lyer me këna, por është duke sjellë në krye të piramidës opozitare deformimin, dhunimin e rregullave të lojës, manipulimin, mutacionin.

Ky është një rast i qartë i shtrirjes në mënyrë kapilare të hajnisë dhe të çimentimit të të vetmes mënyrë për të bërë karrierë në partinë e Lulit, që i bie të jetë vjedhja e votave dhe rrena. Nëse kjo gjë triumfon edhe tek të rinjtë që kanë qenë themeli ideologjik e votues i kësaj force politike, atëherë partia historike që ndryshoi sistemin duhet të nisë të bëjë llogaritë me rrudhjen, me mpakjen, e pse jo, me shpërbërjen.

Ka plot që po i ndjejnë këto erëra të acarta; këtu shohin dhe shkakun përse udhëheqësit e rinj nuk ia dalin dot të motivojnë mërinë popullore. Dhe këta të shumtë që po zhgënjehen kanë nisur të ngjisin shkallët e një pallati të lartë bash në qendër të Tiranës, ku rrëfehet hapur se mikpritësi është i detyruar të dalë në zyrë edhe në orët e mbrëmjes, kaq të dendura i ka vizitat./tesheshi.com/

auto pjese dak

Related posts